1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Spanjollët skeptikë ndaj rigjallërimit ekonomik

Guy Hedgecoe/ Auron Dodi25 Gusht 2014

Qeveria e Madridit gëzohet për rritjen ekonomike dhe uljen e shifrave të të papunëve. Por shumë spanjollë megjithatë nuk i besojnë Madridit. Ata e ndiejnë si më parë krizën ekonomike.

https://p.dw.com/p/1CzyG
Fotografi: DW/G. Hedgecoe

Në një mbrëmje të nxehtë në gusht, 60 vetë janë mbledhur në "Qendrën Kulturore Luis Peiro", në lagjen e punëtorëve të Madridit Vallecas. Shumica e të pranishmëve e anëtarëve të këtij grupi të ndihmës së ndërsjellë janë të dëshpëruar, ndoshta ata i kërcënon dëbimi nga shtëpitë, sepse nuk janë në gjendje t'i paguajnë hipotekat e tyre.

"Ka ende shumë përzënie nga shtëpitë", deklaron Daisy Silva. Gruaja 45 vjeçare nga Ekuadori ka tri vjet që është e papunë. Akoma ajo jeton në apartamentin e saj. Përpiqet të gjejë një zgjidhje me bankën, për t'i shpëtuar evakuimit të detyruar. Por ajo merr 426 euro ndihmë sociale në muaj. Ajo ka ardhur më 1998 nga Ekuadori, për t'i shpëtuar vështirësive ekonomike në atdhe. "Tani këtu është njësoj si atje, në mos më keq", thotë ajo.

Deklarata të tilla nuk përputhen me pamjen që skicoi dy javë më parë kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy. Ai tha se ekonomia e Spanjës po shlodhet pas më shumë se pesë vjetëve në krizë. "Fatalizmi dhe dëshpërimi për të ardhmen i lënë vendin një ndjenje të justifikuar optimizmi", deklaroi Rajoy. Kursi i dhimbshëm i kursimeve i qeverisë së tij ka dhënë fryte.

Vende të reja pune

Në takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel të hënën dhe të martën (24.25.082014) në Santiago de Compostela, Rajoy mund të paraqesë shifra të reja ekonomike. Shifra që flasin për një rritje në disa degë të ekonomisë spanjolle.

Kryeministri Rajoy flet për rigjallërim të ekonomisë
Kryeministri Rajoy flet për rigjallërim të ekonomisëFotografi: picture-alliance/abaca

Në fillim të vitit 2014, ekonomia spanjolle doli zyrtarisht nga recesioni i saj i dyfishtë, kurse në korrik Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e korrigjoi prognozën e tij për rritjen ekonomike të Spanjës këtë vit, nga 0,9 deri në 1,2 përqind. Sipas Bank of Spain vitin e kaluar u rrit me dhjetë përqind numri i kredive për sipërmarrjet e vogla, të cilat bëjnë pjesë në mbajtëset kryesore të peshës së krizës. Ajo që duhet të jetë më e rëndësishme për popullatën në Spanjë: tregu i punës nis të shlodhet-"një kthesë 180 gradë", thotë Rajoy. Numri i të papunëve në tremujorin e parë të vitit ra me 300.000 vetë, kuota e papunësisë ra nga 25,9 deri në 24,9 përqind.

Tendenca ka ndryshuar, vendet e punës nuk shkatërrohen më, por krijohen, mendon Luis Torrens, ekspert i ekonomisë në "Public-Private Sector Research Center", të Shkollës Tregtare IESE në Barcelonë. Një reformë e diskutueshme e tregut të punës, e nisur më 2012 për të lehtësuar pushimet nga puna, është sipas qeverisë shkaku për rrezen e dritës. Por Torrens thotë se duhet parë edhe cilësia e vendeve të punës, jo vetëm sasia. "Janë vende pune me orar të reduktuar dhe me kontrata të përkohshme, dhe kjo nuk sjell stabilitet", thotë eksperti. "Një bankë nuk i jep hipotekë askujt që ka një kontratë të përkohshme".

"Rigjallërimi i ekonomisë nuk është gjë tjetër vetëm fasadë", thotë Daisy Silva. "Ai që shëtim me makina të shtrenjta nuk e sheh realitetin - kurse ne, po."