1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Siria kërkon më shumë ndihmë, Rusia ngurron

Roman Goncharenko26 Nëntor 2014

Kur ministri i Jashtëm sirian të shkojë të mërkurën (26.11.) në Moskë, do të bëhet fjalë për dy gjëra: armë dhe para. Qeveria në Damask kërkon më shumë nga të dyja. Deri tani ndihma nga Rusia ka qenë më shumë simbolike.

https://p.dw.com/p/1Dth9
Lawrow dhe al-Muallem
Fotografi: AP

Ata janë mobilë dhe veçanërisht eficientë: sistemet ruse të mbrojtjes kundërajrore të tipit S-300 mund të përdoren kundër avionëve, raketave balistike apo raketave kruiz . Pikërisht këto armë kërkon të marrë Siria nga Rusia sa më parë të jetë e mundur. Ministri i Jashtëm i Sirisë Walid al-Muallem e bëri këtë të qartë përpara vizitës së tij dyditore në Moskë, që fillon të mërkurën. "Ne i kemi bërë të qartë Moskës se duam të marrim armë cilësore", tha ai në një intervistë për një gazetë libaneze. Fjala është për sisteme të mbrojtjes anti-raketore S-300, por edhe armë të tjera, ka thënë kryediplomati sirian.

Rusia si furnizuesi më i rëndësishëm i armëve

Që nga koha e Bashkimit Sovjetik, Rusia e furnizon me armë Sirinë. Instituti suedez i Studimeve të Paqes SIPRI në raportin e tij vjetor 2013 e cilëson Rusinë si furnizuesin më të rëndësishëm të Sirisë, tek i cili Damasku blen rreth gjysmën e armëve. Vitet e fundit shifrat janë rritur vazhdimisht.

Një marrëveshje veçanërisht fitimprurëse lidhën Moska dhe Damasku në 2010: kontrata milionëshe për livrimin e sistemeve S-300 u nënshkrua që përpara fillimit të luftës civile në Siri. Gjithsej sipas informacioneve të medieve ruse janë livruar me kamionë në Siri katër reparte me shumë raketahedhës dhe impiante radarësh. Hollësitë mbahen sekret.

Russland S-300 Raketen
Sistemi S-300Fotografi: picture-alliance/dpa

Damasku i trembet sulmeve ajrore nga SHBA

Disa medie pretendojnë se sistemet e mbrojtjes kundërajrore me gjithë këshilltarët ushtarakë rusë janë tashmë në Siri. Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi vetëm se janë livruar "komponentë të veçantë". Në shtator 2013 shefi i Kremlinit tha në një intervistë se Rusia ka pezulluar livrime të mëtejshmë të sistemeve S-300 në Siri. Tani duket se Siria do të kërkojë nga partneri i saj Rusia t'i rifillojë ato.

Që prej shtatorit forcat e armatosura të SHBA sulmojnë pozicione të milicisë terroriste "shteti islamik" (IS) në Siri. Por qeveria siriane druan se edhe ushtria e saj është në rrezik. "Ne duhet të pregatitemi", tha ministri i Jashtëm sirian Walid al-Muallem para vizitës së tij në Moskë. "Ne nuk e dimë se si do të sillet Obama."

Në bashkëpunimin ushtarak me Sirinë, Rusia nuk ka bërë asnjë pushim, bëri të ditur pak ditë më parë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Moskë duke reaguar kështu ndaj deklaratave të al-Muallem. Rusia i ka përshkruar më parë sistemet S-300 si "armë mbrojtëse", të cilat nuk preken nga sanksionet ndërkombëtare kundër Sirisë. E megjithatë ekspertë si Dmitri Trenin dyshojnë se Rusia do t'i përgjigjet tani Sirisë. "Rusia i kupton pasojat e këtyre livrimeve kur mbahet parasysh se sistemet S-300 mund të binin në duart e luftëtarëve të IS", tha drejtori i qendrës Carnegie në Moskë në bisedë me DW. Qendrimi i rezervuar i Rusisë mund të ndryshojë mëgjithatë nëse SHBA do të sulmonin Damaskun dhe ushtrinë siriane.

Moska nuk ka më para të tepërta

Pika e dytë në vizitën e ministrit të Jashtëm sirian mund të ishin paratë. Siria do t'i kërkojë Rusisë një kredi prej 1 miliard dollarë amerikanë, për të stabilizuan valutën e saj të zhvlerësuar, njoftonin në fund të tetorit mediet ruse. Rusia nuk është gati për këtë, citon gazeta "Kommersant" një burim në qeveri.

Qeveria siriane ka përgënjështruar se i ka kërkuar Moskës një kredi miliardëshe. E sigurt është që Rusia në maj i premtoi Sirisë ndihma financiare në vëllim prej 240 milionë eurosh. Sipas medieve ruse një bankë nga Rusia deri tani i ka transferuar qeverisë në Siri rreth 46 milionë euro.

"Moska i kushton tani shumë kujdes burimeve të saj financiare", mendon Dmitri Trenin. Ekonomia ruse aktualisht "ka vështirësi gjithnjë e më të mëdha". Veç kësaj "janë shtuar shpenzime të reja" - gadishulli i anektuar ukrainas Krime dhe Donbassi, rajoni i minierave në lindje të Ukrainës që kontrollohet nga separatistët prorusë.

Rusia dhe SHBA bisedojnë për çështjen e Sirisë

Që prej fillimit të luftimeve mes qeverisë dhe opozitës në Siri, Moska ka dhënë para së gjithash ndihmë diplomatike. Me veton e saj në KS të OKB, Rusia ka penguar disa herë rezoluta kritike ndaj Sirisë. Veç kësaj Moska ka nisur anije lufte në Mesdhe para brigjeve të Sirisë. Së fundi në vjeshtë 2013 Presidenti Putin arriti të pengojë një goditje ushtarake të mundshme të SHBA kundër Sirisë. Atëherë Moska e bindi Presidentin sirian Bashar al-Assad të lejonte shkatërrimin e armëve të saj kimike nën mbikqyrje ndërkombëtare. Si Moska ashtu edhe Uashingtoni lëvdojnë njëri-tjetrin për këtë. Por dallimet mbeten: ndërkohë që SHBA kërkojnë ndryshimin e pushtetit në Siri, Moska e mbështet Assadin.

Diskussionsveranstaltung "Russland - EU" in der Landesvertretung Hamburg
Dmitri TreninFotografi: DW/N. Jolkver

Forcimi i milicive të IS në Siri dhe Irak i ka afruar megjithatë muajt e fundit Rusinë dhe SHBA-në, mendon Trenin nga qendra Carnegie në Moskë. Ka informacione për mbi 800 luftëtarë të IS nga Rusia. "IS është një armik i përbashkët për Rusinë dhe SHBA", thotë eksperti. Trenin sheh për këtë arsye shansin për një konferencë të re ndërkombëtare paqeje për zgjidhjen e konfliktit të Sirisë. Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse të martën (25.11.) thuhej se Rusia është edhe më tej e gatshme të lejojë negociata në Moskë mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës siriane.