1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ekonomia

Si paraqitet situata në sektorin bankar në Shqipëri?

Kriza financiare e cila tronditi fillimisht sektorin bankar në SHBA për t'u shtrirë më pas edhe në Europë i ka bërë të pasigurtë klientët e bankave dhe investuesit privatë në të gjithë botën.

Banka Tregtare Kombëtare në Shqipëri

Banka Tregtare Kombëtare në Shqipëri

Në një botë të globalizuar efektet e krizave të këtyre përmasave nuk mund të mbeten brenda kufijve nacionalë apo kontinentalë. Direkt apo indirekt efektet e krizës do të ndihen në të gjithë globin, qoftë në sektorin financiar, qoftë në ekonominë reale. Aktualisht shumë klientë janë të shqetësuar edhe për paratë e tyre në depozita kursimi dhe rrjedhëse. Si paraqitet situata në sektorin bankar në Shqipëri? Ai është ai i prekur direkt nga pasojat e krizës dhe çfarë forme mund të kenë ato për klientët e bankave?

Raiffeisenbank Durrës

Raiffeisenbank Durrës

Gabimet në vlerësimin e aftësisë paguese të kredimarrësve në SHBA janë një nga shkaqet kryesore të krizës financiare në Amerikë. Sistemi bankar në Shqipëri karakterizohet nga një nivel relativisht i ulët kreditimi të ekonomisë. Një nga shkaqet e të cilit është politika e strikte mbikqyrëse e Bankës së Shqipërisë, e cila pas problemeve që sistemi kishte trashgëguar nga periudha e ekonomisë së centralizuar i kushtoi vëmendje të veçantë kontrollit të portofolit të kredive të bankave.

Banka Pro Credit ishte një nga bankat e para aktive në kreditimin e biznesit në Shqipëri. Ajo e nisi aktivitetin e saj me kreditimin e biznesit të vogël dhe të mesëm duke i kushtuar vëmendje të veçantë ndjekjes së klientëve kredimarrës dhe duke i ndihmuar në realizimin e plan-bizneseve të tyre. Kjo strategji e Pro Credit kishte të bënte jo vetëm me politikën e saj të mbështetjes së zhvillimit në vend por rezultonte me fitim edhe për vetë bankën e cila kështu mbikqyrte cilësinë e portofolit të saj të kredive.

Pikërisht kjo lidhje e ngushtë me ekonominë reale është një nga arsyet kryesore të optimizimit me të cilin shprehet për bankën që drejton dhe sistemin bankar në përgjithësi në Shqipëri zv/menaxherja e përgjithshme e bankës Pro Credit znj. Anila Denaj:"Ne e shohim situatën me një ndikim më pak direkt tek bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Kjo për dy arsye: e para sepse nuk kemi të njëjtën formë asetesh siç kishin këto banka dhe kryesisht klienti ynë është klient biznesi. Në rastin e bankës Pro Credit biznesi i vogël dhe i mesëm është në qendër të vëmendjes dhe këto investime kanë shkuar për të zhvilluar këtë biznes të vogël dhe të mesëm. Analiza që i është bërë këtyre bizneseve ka qenë shumë e detajuar dhe dhënia e kredisë nuk është mbështetur tek kolaterali por tek aftësia paguese, menaxhuese dhe investuese e këtyre bizneseve. Kjo mënyrë analize ka eliminuar risqet aktuale por edhe ato potenciale."

Arsyeja e dytë ka të bëjë me strukturën e bilancit të bankave në Shqipëri të cilat karakterizohen nga një likuditet i lartë. Likuditetit i bën bankat në Shqipëri më pak të varura nga fondet ndërkombëtare.

"Në sistemin bankar në Shqipëri një element tjetër shumë pozitiv është likuditeti. Ne ndryshe edhe nga vende të tjera të rajoni kanë nivel depozitash në vëllim më të madhe sesa niveli i kredive. Aktualisht në sistemin bankar vetëm 40 për qind e depozitave të klientëve kthehen në kredi. Ky është një element pozitiv jo në aspektin e zhvillimit por në aspektin e riskut të kredive i cili është i ulët përballë një niveli kaq të lartë depozitash. Nëse financimi i kredive në vend do të bëhej me fonde të bankave mëmë apo nga tregjet ndërkombëtare të kapitalit efekti i krizës do të ishte më i ndjeshëm. Por në Shqipëri për arsye të këtij likuiditeti sektori bankat është më i pavarur nga tregu ndërkombëtar." - shprehet znj. Denaj.

Synimi i masave që po marrin qeveritë në SHBA dhe Europë ka të bëjë jo vetëm me shpëtimin e institucioneve të kredisë që rezikohen nga falimentimi por edhe me besimin tek sistemi bankar. Ky është madje problemi më serioz në këtë krizë pasi sistemi mund të rrënohet nëse depozituesit të shqetësuar do të tërhiqnin të gjithë njëherësh kursimet nga depozitat e tyre. Kjo do t'a vinte sistemin përballë një problemi likuditeti i cili vështirë se mund të përballohet nga agjensitë për garantimin e depozitave. Në Shqipëri megjithatë rreziku për fenomenin e njohur si "bank run" nuk është i pranishëm, mendon zv/menaxherja e përgjithshme e Pro Credit:

"Në Shqipëri bankat janë disi më të mbrojtura nga kriza falë strukturës së bilanceve të tyre e cila karakterizohet nga likuditeti i lartë. Kjo nuk vlen kudo në rajon pasi atje ndeshen banka që nuk disponojnë një raport të tillë depozita-kredi. Veçanërisht likuide paraqiten bankat në Shqipëri dhe Kosovë. Aktualisht nuk ka asnjë arsye për t'u shqetësuar. Struktura e kontrollit nga Banka e Shqipërisë do të ndihmonte në shmangien në kohën e duhur të situatave anarkike."

Rreziku i pasojave të krizës në një periudhë afatmesme apo afatgjatë mbetet megjithatë. Luhatjet në bursa dhe shtrenjtimi i përgjithshëm i një numri produktesh mund të çojnë në uljen e fuqisë blerëse dhe aftësisë paguese të kredimarrësve. Një tjetër efekt negativ në ekonominë reale do të ishte ulja e nivelit të investimeve si pasojë e shtrenjtimit të kredive.

Audio dhe video për temën