1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si kontrollohen pilotët nga ana psikike?

5 Prill 2015

Përsa i përket shëndetit trupor, pilotët kontrollohen rregullisht. Këtë e bën edhe Lufthansa. Bëhet edhe një kontroll i dendur nëse pilotët janë përfshirë në aktivitete ekstremiste. Kontroll psikik bëhet rrallë.

https://p.dw.com/p/1EyBk
Fotografi: Reuters/Wolfgang Rattay

Pas marrjes së licencës së pilotit, pilotët u nënshtrohen testeve të rregullta mjekësore. Si tek të gjitha shoqëritë ajrore, ata u nënshtrohen edhe testeve psikologjike. Por vetëm para fillimit të ushtrimit të profesionit. Shefi i koncernit të Lufthansas, Carsten Spohr tha se për të përzgjedhur pilotët, koncerni i tij përdor një test aftësie, të zhvilluar në mënyrë të posaçme me Qendrën Gjermane për fluturimet ajrore dhe hapësinore DLR. Ky test "pranohet në të gjithë botën", bëri të ditur ai.

Symbolbild Lufthansa Pilotenstreik vom 05.09.2014
Fotografi: picture-alliance/dpa

Por e përditshmja gjermane, Die Welt e citon Spohr me fjalët se pas kësaj, gjërat që bien në sy nga pikëpamja psikologjike te një pilot, vërehen nga kolegët e tij dhe raportohen. Por ekipet e pilotëve fluturojnë rrallë gjatë së bashku në kabinë. Prandaj devijimet psikologjike duhet të jenë shumë të dukshme që të vërehen menjëherë.

Lufthansa bëri të ditur se në rast problemesh shpirtërore dhe psikike pilotët mund t'u drejtohen në çdo kohë specialistëve të koncernit, të cilët i ndihmojnë ata ditën dhe natën. Para fillimit të shkollimit, kandidatët për pilotë kontrollohen edhe për marrje droge. Konsumimi i drogës më vonë mund të konstatohet vetëm njëherë në vit, në kontrollet e detyrueshme ligjore mjekësore.