1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjermanofon mbi zhvillimet në Kosovë, Serbi dhe Ballkan

NZZ, FAZ,9 Dhjetor 2014

Shtypi gjermanofon analizon zhvillimet e fundit në Kosovë me krijimin e institucioneve të reja, skandalet e oligarkëve në Serbi e fenomenin e salafizmit.

https://p.dw.com/p/1E1M1
Fotografi: imago/Ralph Peters

Gazeta "Neue Zürcher Zeitung" nën titullin "Sërish Thaçi - në funksion të ri" shkruan se Kosova e ka tani koalicionin me bazë të gjerë e qeverinë e saj. Sipas marrëveshjes kreu i ri i qeverisë është Isa Mustafa, por njeriu i fortë në qeveri ende mbetet Hashim Thaçi, si edhe më parë që nga fundi i luftës.

"Thaçi triumfon"

"Kundërshtarët e shumtë, që krijoi Hashim Thaçi në karrierën e tij 20 vjeçare, u gëzuan tepër herët....Pas gjashtë muajsh amullie sërish Thaçi triumfon. Ai ia ka dalë të nxjerrë nga koalicioni i bllokut kundërshtar Lidhjen Demokratike, LDK-në, dhe ta bëjë partneren më të vogël të koalicionit, për këtë ai duhej të dorëzonte postin e kreut të qeverisë tek Isa Mustafa. ...Kalimi në plan të dytë nuk duket se do t'i dhembë shumë. Se e gjithë Kosova e di që Thaçi është dhe mbetet njeriu më i fuqishëm në vend."

Gazeta zvicerane analizon se gjendja e statusquo-së për gjashtë muaj nuk rrezikonte vetëm buxhetin, por edhe vazhdimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Një tjetër angazhim i rëndësishëm për parlamentin dhe qeverinë është sipas NZZ edhe miratimi për krijimin e gjykatës së posaçme, që do të hetojë dyshimet për krimet e UÇK-së ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve. "Hashim Thaçi, i cili vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm, ka qenë në vitin 1999 udhëheqësi politik i UÇK-së. Gjykata do të duhet të provojë ndër të tjera edhe, nëse ka krime, që janë pjesë e përgjegjësisë së tij."

"Mjaft më me këto pazare"

Ndërsa gazeta gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" nën titullin "Si e kanë vjedhur oligarkët Serbinë" analizon arrestimin e Miroslav Bogicevic në aeroport për shkak të borxheve të firmës Farmakom prej 450 milionë eurosh. Më parë ishte arrestuar bosi tjetër Goran Percevic, i cili po ashtu ka një borxh prej 330 milionë eurosh... "Ata duket se e kanë gënjyer shtetin me një shumë prej së paku 1 miliardë euro, ka llogaritur gazeta 'Novosti', mbi bazën e aktakuzave dhe hetimeve të mëparshme. Me kredi pa likuiditet të plotë ata kanë rrezikuar gjendjen e pesë bankave shtetërore." Kryeministri serb Aleksandar Vucic citohet nga FAZ me fjalët "mjaft më me këto pazare." Vucic ka premtuar fundin e një lloj biznesi, që kryhet me lidhje nga më të ndryshmet. "Të gjithë bien në ujdi me njëri-tjetrin dhe pasurohen gjithnjë e më shumë, kanë avionë privatë. Vetëm Serbia është ajo, që duhet të paguajë."

Por sipas FAZ deri më tani asnjë politikan nuk është zbuluar si dora, që ka lëvizur fijet në prapaskenë.

Shpresa për përfitime materiale

Sërish gazeta "Neue Zürcher Zeitung" i kushton vëmendje në edicionin e së martës fenomenit të radikalizimit të salafistëve në Ballkan. Nën titullin "Nga Ballkani në Luftën e Shenjtë", NZZ shkruan se tek xhihadistët, që luftojnë në Siri dhe Irak, gjenden disa qindra vetë, që vijnë nga Ballkani. Shumë prej tyre kanë vepruar më parë në një ambient salafistësh. NZZ thekson se në Shqipëri dhe Kosovë ndërmerren veprime konkrete kundër këtij fenomeni.

"Me shumicë bëhet fjalë për të rinj, rrallë mbi të 30-t. Përjashtim të veçantë përbën xhihadisti 70-vjeçar nga Shqipëria, i cili prezantohet me krenari në një video në You Tube. Femrat nga Ballkani përbëjnë më pak se 10%, më shpesh ato shkojnë si shoqëruese të bashkëshortëve...si shumica e xhihadistëve të huaj ata, që vijnë në Europa Juglindore, iu bashkohen grupimeve ekstremiste të Jabhat al Nusras dhe Shtetit Islamik. Shumica tani luftojnë në krah të Shtetit Islamik....edhe stimujt materialë luajnë rolin e vet, për shkak se grupet ekstremiste janë të mirëfinancuara dhe i paguajnë ushtarët e tyre, përveç kësaj ata shpresojnë që të kenë pjesë nga përfitimet e luftës."