1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe sfida e menaxhimit të mbeturinave

Arben Muka26 Maj 2014

Shqipëria si një vend pa traditë në grumbullimin e diferencuar të mbetjeve po lëviz drejt aplikimit të metodave të standardizuara që janë të përshtatshme për mjedisin dhe kanë impakte ekonomike e sociale.

https://p.dw.com/p/1C6ch
Albanien Abfallentsorgung
Fotografi: DW/A. Muka

Që në origjinë mbetjet urbane të familjeve, institucioneve publike, biznesit etj., sipas praktikës shqiptare mblidhen pa ndarje dhe po kështu realizohet dhe trajtimi i tyre në landfilde ose sheshe të pakontrollura në periferi të zonave urbane, buzë rezerave ujore, rrigëve nacionale etj. Përballë krijimit të “maleve” me mbeturina gjithëfarëlloj reagimi më “efikas” i autoriteteve vendore është asgjesimi i tyre me djegie, një process që shkaton dëme të pallogaritshme për popullatën dhe mjedisin përrreth. Pas strategjive të njëpasnjëshme, pas nismave që kanë mbetur më shumë teorike, rezultati i pare konkret po duket në qytetin e Lezhës, ku bashkia po aplikon mënyrën me ndarje të mbledhjes së mbetjeve urbane qoftë nga familjarët ashtu dhe nga bizneset a institucionet.

Ekspertët e fushës e shikojnë me optimizëm projektin pilot që zbatohet në Lezhë. Pavarësisht problemeve që hasen – kjo është e natyrshme pas dekadave të trajtimit pa ndarje – ata kërkojnë që shkallë shkallë “fenomeni Lezha” të shtrihet dhe në qendra të tjera administrative, duke e shndërruar në një nismë në rang kombëtar.

Zbatohen praktika të thjeshta, por shumë të gabuara

Lavdosh Ferruni, aktivist për mbrojtjen e mjedisit mendon se pilotimi për ndarjen e mbeturinave mund të fillonte nga Tirana, si qendar më e madhe urbane në Shqipëri, ku dhe problemet janë më të shumta dhe të lëna pa zgjidhje prej shumë vitesh. Ka më shumë se 20 vite që nuk është gjetur një zgjidhje e detyrueshme për qytetarët dhe që do të jepte efekte positive në rradhë të pare për ata, thotë Ferruni për DW.

Albanien Abfallentsorgung
Lavdosh Ferruni, aktivist për mbrojtjen e mjedisitFotografi: DW/A. Muka

“Në të gjithë territorin e vendit treguesit e ndotjes janë alarmantë dhe një shkak kryesor është mosmenaxhimi me standarde i mbetjeve. Dekompozimi i tyre natyral zgjat me dekada dhe krijojnë ndotje permanente, që depërton në ujrat nentokësore dhe ato mbitokësore. Kur bëhet dhe asgjesimi i tyre me djegie, psh plastiket, në atmosferë çlirohen helme shumë të rrezikshëm, deri dhe kancerogjene. Kjo konsiderohet si mënyrë e thejshtë asgjesimi por shumë e gabuar. Sepse në këto raste evitohet riciklimi, proces që rrjedh nga ndarja në origjinë e mbetjeve. Me lëndët plastike kohët e fundit në mënyrë sposntane angazhohet komuniteti rom, që jua shet ndërmarrjeve të riciklimit. Por nga autoritetetet nuk ka vendime që ta vënë këtë aspekt me rregulla loje që do të rriste shumë përfitimet për ata që investohen Me mbetjete metalike prej vitesh janë në funksion linjat e grumbullimit të skrapit, që kanë motivuar në riciklimin e kontrolluar”.

Ferruni mendon se legjislacioni dhe vendimarrja duhet të orientohen drejt nxitjes që qytetarët të gjenerojnë sasira më të vogla mbetjesh, dhe kjo sipas tij arrihet dhe përmes politikave të studiuara fiskale.

Mosndarja e mbetjeve nxit abuzimet me fondet publike

Prof. Sazan Guri, ambjentalist, mendon duke mos ndarë mbetjet humbasin energji pune dhe energji elektrike, ndërkohë që nëpërmjet riciklimit përftohen lëndë të nevojshme me kosto shumë më të ulura, se sa ne do ti prodhonim nga e para. Në këtë mënyrë kemi dhe kursim të burimeve natyrore, thotë prof. Guri për DW.

Proteste gegen Vernichtung syrischer Chemiewaffen in Albanien
Prof. Sazan Guri, ambjentalistFotografi: DW/Arben Muka

“Une shoh dhe një dëm të madh për fondet publike në këtë rast. Një sipërmarje që merret me asgjesimin e mbetjeve mund të luajë me shifrat e sasive. Mund të grumbullojë të themi 100 ton dhe raportoin me letra 150 ose 200 ton. Mos garroni që likuidimi financiar do të jetë sipas sasive në letra sepse asnjë gjurmë nuk mbetet në terren për të verifikuar nëse ishin 100, nëse ishin 120, 150 apo 200 ton mbetje. Këtu lindin abuzime me fondet publike, me paratë e taksapaguesve. Atëhere shikoni se çfarë dëmi: edhe për shëndetin, edhe për ndotjen e mjedisit në të gjitha aspektet dhe shtoji këtyre dhe dëmin financiar. Kjo është një kosto e lartë për shoqërinë”.

Prof Sazan Guri është kritik me infrastrukturën e grumbullimit të mbetjeve në kryeqytet, ku sipas tij koshat janë jashtë standardit, duke qenë metalikë, pa kapakë dhe në një përmasë, si për familjarët ashtu dhe për institucionet e bizneset.

Ambasada gjermane përfshihet në sensibilizimin e opinionit

Për grumbullimin e ndarë të mbeturinave po kontribuon dhe ambasada gjermane në Tiranë. Njëri nga iniciatorët në stafin e ambasadës, Jürgen Lubczyk e shikon përfshirjen në këtë nismë si një kontribut për mbrojtjen e mjedisit. Ndarja e mbeturinave e lehtëson procesin e përpunimit dhe përdorimit të mëtejshëm të këtyre mbetjeve si lëndë sekondare, thotë Lubczyk për DW.

Albanien Abfallentsorgung
Fotografi: DW/A. Muka

“Ky proces aplikohet kryesisht në materialet si: qelq, plastik, alumin dhe letër/karton, materiale të cilat për momentin ndahen dhe mund të ripërdoren menjëherë. Për më tepër, për këto materiale është kudo edhe kërkesa më e madhe. Ne shpresojmë që në një moment tjeter të mund të ndahen dhe përpunohen edhe materiale të tjera si psh. mbetje të gjelbërta pra lëndë me përbërje biologjike”.

Sipas Jürgen Lubczyk , kancelar në ambasadën gjermane në Tiranë stafi është i familjarizuar me sistemin e ndarjes së mbeturinave qysh në Gjermani.

“Ata janë të ambientuar atje mjaftueshëm vitet e fundit me idenë e ndarjes së mbeturinave. Të hequrit dorë nga kjo rutinë shpesh u ka përcjellë atyre ndjesinë se nuk po kontribuojnë mjaftueshëm për mbrojtjen e mjedisit. Prandaj ky aksion përkon edhe me dëshirën e tyre për të patur një sistem të ndarjes së mbeturinave edhe në Shqipëri dhe njëkohësisht për të dhënë këtu një sinjal sensibilizues për mbrojtjen e mjedisit”.

Një nga nismat më të njohura në Shqipëri është “Unë ricikloj” e cila ofron falas shërbimin e mbledhjes dhe riciklimit të mbeturinave në zyra, institucione, organizata, përfaqësi ndërkombëtare, hotele, restorante, shkolla, qendra tregtare si dhe çdo subjekt tjetër që do të reduktojë ndjeshëm mbeturinat dhe të përfshihet në mbrojtjen e mjedisit. Projekti “Unë ricikloj” siguron për partnerët koshat që duhen për mbledhjen e mbeturinave të ndara, për ti hapur rrugë ricikimit.