1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria plotëson legjislacionin në luftë kundër evazionit fiskal

Një ligj i sapomiratuar lejon përdorimin e kapitaleve në investime vetëm nëse zotëruesit e tyre paguajnë tatimin mbi të ardhurat.

Pastrimi i parave - barrierë për integrimin e ekonomisë shqiptare në tregun evropian

Pastrimi i parave - barrierë për integrimin e ekonomisë shqiptare në tregun evropian

Lufta kundër evazionit fiskal dhe pastrimit të parave mbetet një betejë për t'u fituar nga autoritetet e Tiranës dhe bizneset e ndershme. Ligji i sapo miratuar synon të plotësojë kuadrin ligjor për të minimizuar këto fenomene dhe për të rritur përdorimin e kapitaleve të ligjshme në investime.

Alfred Rrushaj

Alfred Rrushaj

Ky ligj erdhi si një nismë e Ministrisë së Financave. Alfred Rrushaj, zv. minister në këtë ministri sqaron: "Ligji është në kuadër të masave që kemi marrë për të luftuar evazionin fiskal dhe ekonomine informale."

Selami Xhepa, ekspert në fushën e ekonomise, anëtar i komisionit parlamentar për ekonominë, saktëson se çfarë përfaqëson konkretisht ky ligj: "Përfaqëson një ndryshim që lidhet me shtimin e kapitalit të shoqërive aksionare, në rastin kur një ose më shumë partnerë shtojnë kapitalin me burime burime financiare të padeklaruara ky ligj parashikon detyrimin e tyre për t'i paguar tatimin shtetit në masën 10%."

Futja në investime e të ardhurave të krijuara nga emigrantët shqiptarë

Ligji nuk i përjashton të ardhurat financiare të krijuara jashtë territorit të Shqipërisë nga puna e emigrantëve shqiptarë. Që ata t'i përdorin ato si shtesë në investime duhet të paguajnë tatimin mbi të ardhurat, përsëri në masën 10%. Një nen i posaçëm i tij garanton transferimin në Shqipëri të pagesës së taksës mbi të ardhurat, nëse ajo është kryer në vendin ku emigranti punon. Kjo ndodh për të gjitha ato raste kur mes Shqipërisë dhe atij vendi nuk është nënshkruar marrëveshja e taksimit të dyfishtë. Në rastet kur kjo marrëveshje ekziston si p.sh. me Gjermaninë, Francën, Italinë, Greqinë, me të cilat Shqipëri ka shumicën e investimeve dhe marrëdhënieve ekonomike, por edhe me vende të tjera, pagesa e tatimit mbi të ardhurat në këto vende nuk transferohet në Shqipëri por njihet. Veprimi i këtij ligji nuk shtrihet në kapitale financiare të krijuara nga veprimtari kriminale si trafiqe të paligjshme, drogë, kontrabandë.

Sekuestrim, përballje me drejtësinë për të ardhurat nga veprimtari kriminale

Duke bërë dallimin mes përftimit të të ardhurave nga burime ilegale dhe atyre kriminale dhe rastet që të ardhurat vijnë nga burime të panjohura, ligji parashikon së pari pagesën e tatimit mbi të ardhurat. Kurse nëse kapitali financiar është krijuar përmes aktiviteteve kriminale, që përbëjnë shkelje të legjislacionit shqiptar, atëhere veprojnë strukturat e posaçme për luftën kundër pastrimit të parave. Në të gjitha këto raste pasuritë sekuestrohen dhe shkojnë në dobi të shoqërisë. Ato nuk i legalizohen personit që i ka krijuar duke paguar 10% tatim shtetit.

Sipas të dhënave të organeve të drejtësisë dhe të rendit në krye të këtyre strukturave është Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe njësia taskforcë e Prokurorisë. Gjatë vitit të kaluar janë zbuluar rreth 1.231 transaksione bankare të dyshimta. Prej tyre të gjitha rastet e dyshuara për pastrim parash i janë dërguar për verifikim Shërbimit Informativ Shtetëror. Deri tani rezultojnë 13 raste për të cilat ky shërbim ka pasur të dhëna, se transaksionet bankare kanë qenë pastrim parash, raste që i janë përcjellë Prokurorisë.

Pastrimi i parave - barrierë për integrimin e ekonomisë në tregun evropian

Mes evazionit fiskal, ekonomisë informale dhe pastrimit të parave që ky ligj synon të godasë ka një lidhje organike. Nga mospagimi i tatimit vjen evazionit fiskal që lind ekonominë informale, që është hapësira ku mund të bëhet pastrimi i parave. Por nuk përjashtohen rastet kur paratë e pista i ngjiten pjesës së pastër të ekonomisë shqiptare duke penguar integrimin e saj në tregun evropian.

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani