1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria ndër vendet me nivel të lartë korrupsioni

Në raportin vjetor të DASH- Departamentit Amerikan të Shtetit, të publikuar kohët e fundit, Shqipëria renditet ndër vendet me nivel të lartë korrupsioni. Cilat jane shkaqet kryesore dhe si mund të dilet nga kjo situatë?

Ky klasifikimi i Departamentit Amerikan të shtetit në raportin e tij vjetor është një sinjal tjetër për dëmin imediat dhe afatgjatë që korrupsioni i sjell Shqipërisë: ngadalësimin e ritmeve të progresit në procesin e integrimit evropian. Lufta kundër korrupsionit është një nga rekomandimet këmbëngulëse të BE-së për lidershipin politik të Shqipërisë. Aleksandër Çipa analist i pavarur në Tiranë thotë për programin shqip të DW-së se edhe vetë qeveria e Tiranës pranon që situata është e rëndë. "Pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, qeveria përmes kreut të saj, kryeministrit Berisha, u shpreh se beteja kundër korrupsionit nuk është fituar. Si shkak kryesor për këtë situatë shihet mosfunksionimi i sistemit gjyqësor dhe sidomos korruptimi i gjykatësve. Këto janë dy arësyet kryesore që sistemi i drejtësisë dhe sidomos gjyqësori është i kapur nga korrupsioni, nga aktet e mitmarrjes dhe mitdhënies", thotë Aleksandër Çipa.

Sa e korruptuar është Shqipëria?

Në foto, Lutfi Dervishi

Në foto, Lutfi Dervishi

Por sa të korruptuar e bën Shqipërinë një system i tillë drejtësie? Lutfi Dervishi, Drejtor i Transparency International Albania thotë për programin shqip të DW-së se në listën e indeksit global të perceptimit të korrupsionit, Shqipëria nuk ka shënuar përmirësim në krahasim me një vit më parë në nivel rajonal. "Shqipëria vazhdon të mbajë vendin e parafundit në indeksin e korrupsionit në rajon, duke qenë më mirë vetëm se Kosova, që është në vendin e fundit”, thotë Lutfi Dervishi.

Kultura e pandëshkueshmërisë - një realitet i frikshëm

Për analistin e pavarur Aleksandër Çipa rëndimi në Shqipëri i sëmundjes ballkanike të korrupsionit vjen në rradhë të parë nga mungesa e dënimeve gjë që po formon një kulturë pandëshkushmërie. "Kultura e pandëshkueshmërisë ka marrë dimensione të një realiteti të frikshëm në marrdhëniet mes gjyqësorit dhe personave me precedent penal. Autoritete të larta në Shqipëri, përfaqësues me mandat politik apo publik u janë shmangur proceseve të gjata gjyqësore për afera korruptive. Në Shqipëri ka patur procese gjyqësore për njerëz me një tagër të lartë politike apo me imunitet parlamentar që nuk janë dënuar as me burg, as me gjoba. Kjo vjen sepse statusi aktual, juridik i gjyqësorit në Shqipëri nuk mund të demonstrojë kurajon e duhur për të dënuar për korrupsion politikanë apo deputetë që kanë imunitet", thotë Çipa.

Heqja e imunitetit – hapi thelbësor drejt ndryshimit

Në foto, Aleksander Çipa

Në foto, Aleksander Çipa

Por një projektligj i ofruar nga maxhoranca e djathtë, që pritet të votohet këtë javë në parlament synon t'i hapë rrugën fillimit të ndryshimit të kësaj situate. Projektligji kërkon të heqë imunitetin e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të dyshuar për korrupsion si edhe të kufizojë imunitetin e gjykatësve për t'i hapur rrugën hetimeve. Projektligji kërkon shfuqizimin e nenit përkatës të Kushtetutës sipas të cilit “një deputet arrestohet vetëm kur kapet në flagrancë për krime të rënda”!! .

Pro ndryshimit të Kushtetutës për reformimin e sistemit të imuniteteve është shprehur misioni Euralius i BE-së, që asiston Shqipërinë për përfundimin e reformave në drejtësi si edhe Këshilli i Evropës, që po realizon në Shqipëri një projekt për rezultate më të mira në luftën kundër korrupsionit. "Rruga kryesore për ndryshimin pozitiv të situatës mbetet heqja e imunitetit të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, kufizimi i imunitetit për gjykatësit që dyshohen për korrupsion. Po kjo është e pamjaftueshme nëse nuk shoqërohet me reforma të thella që sigurojnë funksionimin e institucioneve të pavarura të drejtesisë", thotë analisti i pavarur Aleksandër Çipa.