1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shqipëria në fazë të re në rrugën drejt Bashkimit Evropian

Sot (1 Prill) hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së dhe shfuqizohet marrëveshja dypalëshe Interim. Kjo shënon fillimin e një periudhe detyrimesh më të mëdha ndërkombëtare të Shqipërisë.

Poster nga Tirana

Sot (1 Prill) hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së dhe shfuqizohet marrëveshja dypalëshe Interim.

Përgëzime, rikonfirmim i mbështetjes së BE ndaj Shqipërisë por edhe kujtesë për detyrimet e saj ndërkombëtare në rritje. Këto janë idetë kryesore që përshkruajnë deklaratën zyrtare të Komisionerit për Zgjerimin e BE, Olli Rehn, me rastin e hyrjes sot në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së. „Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, thekson Oli Rehn në këtë deklatatë, shënon fillimin e një periudhe gjatë së cilës detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe ajo çka pritet nga zhvillimet politike do të jenë më të larta se më parë.“

Javier Solana dhe Sali Berisha gjatë një takimi të BE-së në Bruksel, 31 janar 2008

Javier Solana dhe Sali Berisha gjatë një takimi të BE-së në Bruksel, 31 janar 2008

Për Komisionerin e zgjerimit Olli Rehn, hyrja sot në fuqi e MSA është një rast më shumë për të sjellë në vëmendje se çfarë stadi paraqet kjo Marrëveshje në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së.„Marrëveshja e Stabilizim- Asocimit mes Shqipërisë dhe BE-së paraqet një marrëdhënie kontraktore që mbështetet në të drejta dhe detyrime reciproke. Ajo fokusohet në respektimin e parimeve demokratike kyçe dhe të elementeve thelbesorë, që janë në bazë të tregut të njësuar evropian. Një zonë e tregëtisë së lirë me BE, aplikimi i standarteve të BE-së, shoqëruar me disiplina të tilla si konkurenca, pronësia intelektuale dhe refomat për të adaptuar standartet evropiane në fusha të tjera, do t´i japin mundësi Shqipërisë t´i afrohet më shumë perspektivës së saj europiane.“ thekson ai në deklaratën në fjalë.

Rëndësinë e riafirmimit të kësaj perspektive nga politikanët e BE-së, komisioneri Rehn e bëri të ditur dje në Parlamentin Europian. Duke iu drejtuar euro- parlamentarëve ai tha: “Viti 2009 nuk është një vit që mund të shihet bardhë e zi. Ka zhvillime pozitive por edhe shumë sfida. Megjithatë, pavarësisht nga sfidat në kontekstin politik dhe ekonomik, Ballkani Perëndimor po shënon progres. Riafirmimi i perspektivës evropiane të Ballkanit perëndimor e mban atë në shinën e kryerjes së reformave dhe në atë të stabilitetit. Nuk është vetëm çështje solidaritet,i por është edhe vetë interesi i BE-së që të sigurojë se Ballkani Perëndimor nuk do të shndërrohet në një vrimë të zezë brenda Bashkimit Europian.”

Komisioneri i zgjerimit, Olli Rehn

Për Komisionerin e zgjerimit Olli Rehn, hyrja sot në fuqi e MSA është një rast më shumë për të sjellë në vëmendje se çfarë stadi paraqet kjo Marrëveshje në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së

Në deklaratën zyrtare më rastin e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së, Komisioneri Rehn garanton vendet e Ballkanit perëndimor për mbështetjen e BE-së drejt perspektivës së tyre evropiane. "Për të mbështetur reformat e duhura, BE do t`i japë vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Turqisë, një asistencë të parapranimit që arrin në 6,8 miliardë euro në periudhën nga 2009-2012,” bën ai të ditur në deklaratën e përshëndetjes së hyrjes në fuqi të marrëveshjes së SA mes Shqipërisë dhe BE."

Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE në qershor të vitit 2006. Në mars të këtij viti përfundoi procesi i ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama