1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpërthim në një stacion policie në veri

Bekim Shehu14 Prill 2015

Shpërthimi i së hënës në mbrëmje në stacionin e policisë në Zubin Potok pasoi një seri incidentesh të ndara në veriun e Kosovës gjatë pesë ditëve të fundit, ku pati edhe persona të plagosur.

https://p.dw.com/p/1F8X9
Mitrovica
Fotografi: AP

Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit në veri të Kosovës janë shënuar një serë incidentesh të njëpasnjëshme, ku për pasojë ka patur edhe persona të lënduar nga të gjitha komunitetet dhe po ashtu janë shkaktuar edhe dëme materiale. Në disa incidente u përfshinë pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme, ndonëse nga autoritetet u cilësuan si incidente të izoluara. Incidenti i fundit u shënua në mbrëmjen e së hënës (13.04), kur persona të panjohur hodhën një mjet shpërthyes në stacionin e policisë në Zubin Potok, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale në veri të Kosovës, Besim Hoti, tha se sulmi dyshohet se është kryer me granatë dore, e cila pas shpërthimit ka shkaktuar dëme në shtatë vetura të policisë të parkuara në oborrin e stacionit të policisë në Zubin Potok. Lëndime në njërëz nuk ka pasur. Zëvendësdrejtori i Policisë Rajonale, Besim Hoti, thotë se sulmuesit kanë lënë edhe porosi të shkruara pas sulmit, si “Stop polici e Kosovës dhe EULEX-it, tradhtarë, EULEX go home etj”.

Incidente të shtuara ditët e fundit

Një incident tjetër u shënua në po të njejtën natë, ku pas një përleshje me armë zjarri ndërmjet dy grupeve serbe të veriut u plagosen tre persona. Të shtëna pati edhe mbi një veturë të policisë së Kosovës. Ky incident, që ndodhi të hënën pas mesnate në veri të Mitrovicës, sipas policisë ndodhi gjatë kremtimit të festës së Pashkëve ortodokse. Tre persona morën plagë nga armët e zjarrit, mirëpo ata janë jashtë rrezikut për jetën. Sipas Besim Hotit, zëvendësdrejtor rajonal i Policisë së Kosovës për veri, incidenti i të hënës në Mitrovicën e veriut, ku u perdorën armët e zjarrit, është rezultat i përleshjes së dy grupeve rivale nga Mitrovica e veriut dhe Zveçani. Këto grupe janë të njohura për policinë, thotë Besim Hoti. Tre të plagosurit, sipas Hotit, janë jashtë rrezikut për jetë.

Ndryshe me datën 9 prill, gjatë një incidenti në veri të Mitrovicës, u plagos me thikë një 17 vjeçar serb nga sulmues tash për tash të panjohur. Dy ditë më vonë një i ri shqiptar 17 vjeç është regjistruar nga Policia e Kosovës si “person i humbur”. Kërkimet për të akoma po vazhdojnë dhe ato janë të fokusuara në Lumin Ibër, ku besohet të jetë mbytur i riu shqiptar. Në lidhje më këtë rast policia arrestoi dy serbë, por pas 24 orëve ata u liruan.

Naim Rashiti: Zhvillimet janë pasojë e një tranzicioni në këtë pjesë problematike të Kosovës
Naim Rashiti: Zhvillimet janë pasojë e një tranzicioni në këtë pjesë problematike të KosovësFotografi: International Crisis Group

Sidoqoftë të gjitha këto incidente, ndonëse të ndara dhe të izoluara, sipas policisë megjithatë kanë shkaktuar shqetësim te qytetarët e veriut. Edhe përfaqësuesit serbë të veriut të Mitrovicës shprehen të shqetësuar për incidentet, që ndodhën gjatë pesë ditëve të shkuara. Ksenija Bozhoviq, kryesuese e Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së veriut, thotë për mediat lokale se është policia ajo, që duhet gjetur fajtorët për këto incidente, në mënyrë që të ulën shqetësimet dhe tensionet.

Analistët e pavarur në Kosovë ndërkaq thonë se zhvillimet në veri, ku vazhdimisht po shënohen incidente, janë pasojë e një tranzicioni, nëpër të cilin po kalon tash së voni kjo pjesë problematike e Kosovës. Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, (BPRG), i tha Deutsche Welles se “veriu i Kosovës për vite të tëra ka jetuar pa ndonjë rend dhe rregull, sikundër që gjatë këtyre viteve shumica e popullatës ka jetuar e qetë dhe e përjashtuar nga proceset me shumë kujdes. Por në të njejtën kohë janë zhvilluar elita dhe grupe, të cilat kanë bërë rendin atje”.

“Qe nga marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013´ situata ka vazhduar të jetë e qetë, sepse qeveria e Serbisë ka kontrolluar situatën me forcë dhe ka pasë mesazhe të qarta. Por më e rëndësishmja marrëveshja e Brukselit ende nuk ka ndërruar gjendjen atje dhe nuk ka afektuar mënyrën e të vepruarit të grupeve dhe të rinjve, të cilët kanë qenë shpesh autoriteti. Situata do të jetë më e tensionuar gjatë implementimit të marrëveshjes, shuarjes se institucioneve serbe dhe transformimit në ato të Kosovës. Disa nga të pakënaqurit e shumë tjerë të varur nga jeta publike pa ndonjë rend ligjor do të provojnë të pengojnë procesin. Shumë nga këto incidente do të jenë në mes serbëve apo kundër atyre serbeve dhe insitucioneve, që punojnë për integrimin”, thotë Naim Rashiti.

Kjo sipas tij është një situatë normale në këto procese të transferimit të administrimit dhe duhet pasur kujdes sa më shumë masa politike e juridike për të ndihmuar procesin. Naim Rashiti thotë për DW se “do të ketë shumë të pakënaqur në proces dhe duhet akomoduar interesat e shumë njerëzve, ndërsa funksionimi i policisë, gjykatave dhe dialogu politik do të minimizojnë efektin e incidenteve."

Dhuna dënohet nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare

Sidoqoftë të gjitha këto incidente, ndonëse të ndara dhe të natyrave të ndryshme, që ndodhën në veri të Kosovës gjatë pesë ditëve të shkuara, bënë që të reagojnë edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe prania ndërkombëtare, sidomos pas therjes më thikë të një të riu serb nga persona të panjohur në veri të Mitrovicës.

Incidente edhe në Mitrovicë
Incidente edhe në MitrovicëFotografi: DW

Shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuell Zhbogar, tha se dhuna dëmton përpjekjet për pajtimin e komuniteteve në veri të Mitrovicës. “Dhuna është e papranueshme dhe i dëmton përpjekjet për normalizim të gjendjes në Mitrovicë dhe pajtimin mes komuniteteve." Shefi i Zyres së BE bën thirrje për vetëpërmbajtje nga të dyja palët dhe kërkon nga autoritetet kompetente "që të bëjnë të pamundurën në ndriçimin e këtij incidenti, t'i identifikojnë kryesit dhe t'i sjellin ata para drejtësisë”. Kështu u shpreh Samuell Zhbogar pas therjes më thikë të një te riu serb mbrëmjen e 9 prillit.

Edhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, i dënoi aktet e dhunës në Mitrovicë, ku në incidente të ndara lëndimë pësuan pesë qytetarë, dy shqiptarë, dy boshnjakë dhe një pjesëtar i komunitetit serb. Presidentja Jahjaga në reagimin e saj theksoi se incidentet e tilla janë të papranueshme në një kohë, që institucionet e Republikës së Kosovës po angazhohen për ruajtjen e stabilitetit dhe fuqizimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në gjithë vendin dhe kur vendi ynë po dëshmohet si promovues i paqes dhe i stabilitetit në gjithë rajonin e Evropës Juglindore.

“Aktet e tilla të dhunës nuk i kontribuojnë rikthimit të mirëbesimit ndërmjet komuniteteve, që jetojnë në Mitrovicë, si dhe dëmtojnë përpjekjet shumëvjeçare të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miqve tanë ndërkombëtarë për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët pa dallim”, thotë Presidentja Atifete Jahjaga.