1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shoqërisë sonë të konsumit po i vjen fundi!

irene Quaile/Lindita Arapi14 Korrik 2014

Resurse të pakta, emetime të larta, që ndotin mjedisin. Komisioni Europian kërkon t'i jepet fund konsumit pa kufi dhe shpenzimit të resurseve. Tani ai ka vendosur kuota të larta ricklimi.

https://p.dw.com/p/1CcTt
Fotografi: picture-alliance/dpa

Komisioni Europian ka vendosur rregullore të reja për mbeturinat duke kërkuar rritjen e kuotave të ricklimit për të mundësuar kalimin në një ekonomi qarkulluese, një ekonomi që të bazohet tek ricklimi. Sipas KE deri në vitin 2030 europianët do të duhet të riciklojnë rreth 70% të mbeturinave rajonale dhe 80% të mbeturinave të paketimit. Nga viti 2025 do të ndalohet djegia e mbeturinave të ricklueshme. Komisioni ka vendosur objektiva të rinj edhe përsa i përket reduktimit të mbeturinave në dete dhe hedhjes së ushqimeve. Eurokomisioneri për çështjet e mjedisit, Jann Potocnik, i vlerëson planet e BE-së: "Në një kohë që mbrohet mjedisi, nxitet edhe zhvillimi ekonomik me rritje të re ekonomike dhe vende të reja pune."

Para bërjes publike të këtyre planeve BE e kishte vendosur ekonominë qarkulluese në qendër të një konference për mjedisin në Bruksel,"Green Week". Jan Potocnik u shpreh se, "po qe se ne nuk ndryshojmë në rrënjë sistemin tonë ekonomik, sjelljen tonë të orientuar nga konsumi, mënyrën tonë të jetesës, atëherë në plan afatgjatë nuk do t'ia dalim dot të shpëtojmë mjedisin tonë dhe të jetojmë brenda kufijve të këtij planeti."

Grubullimet e mbeturinave mbartin rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.
Grubullimet e mbeturinave mbartin rrezikun e përhapjes së sëmundjeve.Fotografi: DW

Gati në fund të mandatit të tij eurokomisioneri për çështjet e mjedisit u shpreh se sistemet ekonomike lineare të shekullit të 19-të, nuk vlejnë më për botën e shekullit të 21-të me miliona e miliona konsumatorë të shtresës së mesme dhe tregje të lidhura së bashku. Potocnik: "Po qe se duam të jemi konkurrues, duhet që të shfrytëzojmë në maksimun resurset, që kemi, që do të thotë se ne duhet t'i riciklojmë ato dhe t'i bëjmë sërish të përdorueshme. Ne nuk duhet t'i groposim ato si mbeturina në kazanë plehrash."

Drejtori i Iniciativës së Gjelbër të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin industrial, UNIDO, Heinz Leuenberger, u shpreh se "një mënyrë efiçiente e trajtimit të resurseve nuk i zgjidh të gjitha problemet e mjedisit, por është një hap i rëndësishëm." Sipas një studimi të firmës McKinsey në vitin e shkuar mund të kursehen në këtë mënyrë 3 trilionë dollarë në vit. Ky është një aspekt, që është injoruar deri më sot, kritikon Leuenberger.

Shumica e krerëve të firmave kursejnë tek personeli, në një kohë që kostoja e personelit në Gjermani për shembull qëndron tek 20%-i, ndërsa shpenzimet për material dhe energji kapin 55% të buxheteve,.

Sukseset e Europës në kurriz të vendeve në zhvillim?

Baas de Leew drejton Forumin Botëror të Resurseve me qendër në Zvicër, një organizatë që bashkon studiuesit, politikanët, firmat dhe institusionet joqeveritare. Në një bisedë me Deutsche Welle-n Leeuw thotë se "për të gjitha resurset natyrore, tendenca shkon në drejtimin e gabuar. "Ne konsumojmë shumë dhe shpenzojmë mjaft resurse, gjë që sjell si pasojë ndotjen e mjedisit dhe çmimet në rritje. Kjo mund të çojë në prishjen e stabilitetit, pasi të varfrit nuk kanë kanë akses tek resurset me çmim të leverdisshëm dhe tëper ekzistenciale."

Këpucë prej materiali të ricikluar
Këpucë prej materiali të ricikluarFotografi: DW/Irene Quaile

Edhe drejtori i UNIDO-s Leuenberger është i të njëjtit mendimi: "Ne kemi nevojë për rritje ekonomike për popullsinë botërore në rritje. Të gjithë duan një jetë më të mirë. Kjo do të na vërë para probleme të jashtëzakonshme, po qe se nuk e shkëpusim -shkyçim- rritjen ekonomike nga shpenzimi i resurseve natyrore dhe rritja e emetimit të gazrave ndotës."

Eksperti i OKB-së thotë se industritë, që ndotin mjedisin dhe kërkojnë shumë energji, janë zhvendosur nga Europa në vende të tjera: "Ne mund të arrijmë tek kjo shkyçje, vetëm po qe se arrijmë të kemi partnerë edhe vende si Kina, Meksika, India, Amerika Jugore."

Mbështetje për planet e BE-së

Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian do të duhet të japin votën e tyre për këto plane të Komisionit. Eksperti Bas de Leeuw thotë se është shumë i nevojshëm një sistem rregullator në shkallë ndërkombëtare me qëllim që të kalojmë në një formë të re ekonomike. Drejtori i Iniciativës se qeverisë skoceze për riciklimin e mbeturinave, Iain Gulland prezantoi në Bruksel iniciativën e skocezëve për ricklimin e 70% të mbeturiave deri në vitin 2025, deri në 2022 në 60%. "Ne kemi nevojë për iniciativa të BE-së për të zhvilliar tregun për këtë, për të ndryshuar mentalitetin e firmave që të adoptojnë një sistem të ri ekonomik", thotë Gulland.

Edhe celularët e përdorur janë shumë të vlefshëm.
Edhe celularët e përdorur janë shumë të vlefshëm.Fotografi: picture-alliance/dpa

Kursim i resurseve dhe mënjanim i konflikteve

Uji dhe energjia bëjnë pjesë tek resurset më të rëndësishme, të cilat do të ruhen nga Komisioni Europian. Po ashtu edhe resurset e pakta të metaleve të rralla janë një arsye shumë e fortë për të kaluar tek ekonomia e ricklueshme. Pikërisht sepse resurset gjenden jashtë BE-së dhe SHBA-së, është shumë e rëndësishme, që ato të përdoren me kursim, thotë Bas de Leeuw.