1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekti "KosovotalksEU"

Ajete Beqiraj6 Prill 2014

Projekti "KosovoTalksEU" synon përmirësimi i komunikimit mes Kosovës dhe vendeve që ende s'e kanë njohur pavarësinë e saj.

https://p.dw.com/p/1Bcky
Fotografi: DW/A. Beqiraj

Ende ka disa vende evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si Sllovakia, Greqia, Spanja, Qiproja dhe Rumania. Për të përmirësuar komunikimin mes Kosovës dhe këtyre vendeve është inicuar projekti "KosovotalksEU", nö kuadër të të cilit organizohen edhe turne me shkrimtarë në këto vende.

Selia e Lidhjes së shkrimtarëve të Rumanisë në Bukuresht ishte adresa e parë e karvanit të shkrimtarëve nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilët mblodhën rreth vetes figura eminente të letërsisë rumune për të transmetuar mesazhin e qartë të projektit “Shkrimtarët lobojnë për Kosovën”, sepse ata besojnë se zëri i shkrimtarëve thyen barriera dhe hap shtigje.

Symbolbild Lesen Bibliothek
Fotografi: anyaberkut - Fotolia.com

Mesazhi u transmetua sigurisht, sepse shkrimtarët janë antenat e tërë popujve. Ata kanë një ndjeshmëri të brendshme dhe sa më e madhe është kjo ndjesi aq më shumë ndikojnë në sensibilizimin e opinionit dhe të njerëzve” - tha për DW-në Natasha Lako, shkrimtare dhe skenariste nga Shqipëria, njëra ndër tri themelueset e “Teutës”. Ajo tha se: ”Ne zgjodhëm Rumaninë për projektin tonë për shkak se ndërmjet shqitparëve dhe rumunëve ka një traditë bashkëpunimi e cila zë fill që nga lëvizja kombëtare shqiptare. Ndaj, e them me kënaqësi se na kuptuan shumë mirë dhe hapat e bashkëpunimit do të shtohen ndërmjet këtyre dy vendeve të Ballkanit”.

Nicolae Prelipceanu, nga Unioni i Shkrimtarëve të Rumanisë nuk është edhe aq optimist se ndryshimet e mëdha fillojnë edhe nga shkrimtarët, meqë sipas tij, kjo elitë është radhitur pas politikës dhe ekonomisë. Por zëri i tyre mund të dëgjohet nëpër qarqe të ndryshme, edhe pse të vogla. Por ne do të përpiqemi të bëjmë më të mirën!”, tha Prelipceanu.

Symbolbild Schreibmaschine
Fotografi: Bartlomiej Zyczynski/Fotolia.com

Lidhjet e vjetra duhet të përtërihen

Pa Bukureshtin dhe Rumaninë historia e Rilindjes kombëtare shqiptare do të ishte e gjymtë, tha shkrimtari nga Kosova, Ibrahim Kadriu: “Sepse, këtu është thurur himni kombëtar shqiptar. Këtu janë bërë takimet e para për pavarësinë e Shqipërisë. Këtu janë botuar edhe gazetat e para shqipe dhe po nga këtu kanë dalë poetë të mëdhej shqiptarë tejet të rëndësishëm për letërsinë tonë kombtare”.

Në Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë u përmendën lidhjet tradicionale që nga familja Elena Gjika alias Dora d`Istria dhe drejtoresha e përgjithshme dr. Elena Tirziman vullnetit të shoqatës për bashkëpunim ju përgjigj shkurt e qartë: „Keni trokitur në një derë të hapur!“

Basri Qapriqi, president i Pen Qendrës së Kosovës tha se ardhja në Rumani është në frymën e rivendosjes së urave të së kalaurës të ndërprera nga luftërat. “Ndaj,konsideroj që edhe kur ka barriera të patejkalueshme politike, shkrimtarët janë ata që gjejnë shtigjet”, tha Qapriqi.

Kultura nuk njeh barriera politike

Trashëgmia shqiptare në Rumani zë një vend të rëndësishëme dhe këtë e tregojnë gjurmët e ruajtura ndër shekuj. Sipas etnologes Irina Cajal-Marin, sekretare shteti në Ministrinë e Kulturës të Rumanisë: „Kultuara shqiptare në Rumani është shumë e pranishme dhe nëpër ekspozita të ndryshme ndërkombtare, unë kam gjetur ngjashmëri te shumta ndërmjet nesh. Sidoqoftë, unë jam e sigurt se shkrimtarët rumunë janë shumë të interesuar të bashkëpunojnë me Kosovën, ndërsa një stendë në panairin me libra edhe nga Kosova do mund të ishte hapi i parë“, tha për DW-në Cajal-Marin.

Ndërsa Smajl Smaka shkrimtar dhe gazetar, rëndësinë e këmbimit kulturor e rrumbullaksoi me thënine: “Kur njerëzit këmbejnë vlerat, të dyja palët fitojnë nga dy vlera”.

Turi katërditor "Shkrimtarët lobojnë për Kosovën“ u mundësua nga Këshilli Britanik dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës në kuadër të Fondit të Kosovës për Avokim, nga Minisitria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë, Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës dhe komuna e Istogut.