1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkollat Steve Jobs

Cintia Taylor / E. Xhani11 Shtator 2013

Ndërkohë që teknologjia po pushton botën, jemi të detyruar të përshtasim rutinën tonë dhe të mësojmë aftësi të reja. Në Holandë një sistem i ri shkollor bazuar në iPads i lejon fëmijët të vendosin vetë ritmet e mësimit.

https://p.dw.com/p/19fsc
Fotografi: Getty Images

Koha e lojës ka përfunduar për fëmijët në shkollën fillore Digitalis, në Almere, rreth 40 km në lindje të Amsterdamit. Mësuesit i thërrasin fëmijët të rikthehen në klasë. Por mbi banka ata nuk nxjerrin libra, por tableta.

Digitalis është një nga shtatë shkollat fillore që janë hapur këtë vit akademik në Holandë, ku gjithçka bëhet duke përdorur teknologjinë digjitale: librat janë të rrallë këtu. Ideja për këto shkolla vjen nga sipërmarrësi holandez Maurice de Hond. Ai thotë se nuk kishte arritur të gjente një shkollë që të përgatiste si duhet vajzën e tij katërvjeçare për një të ardhme, ku teknologjia luan një rol kyç.

"Nëse i hedh sot një vështrim zyrave, nuk ka më orare fikse nga 8:30 deri në 5:00. Bëhet fjalë më shumë për performancën. Kjo mënyrë moderne pune është bërë e mundur nga bota digjitale, sepse edhe kur je në shtëpi, je i lidhur me zyrën dhe kolegët. Pra kjo është bota, për të cilën duhet të pregatisim fëmijët dhe ne duam ta organizojmë në këtë drejtim shkollën, duke i bërë fëmijët shumë më të pavarur dhe të përgjegjshëm", thotë de Hond.

Mësim në distancë që në shkollë fillore

Këtu në Almere edukimi digjital i ofrohet 140 fëmijëve nga gjashtë deri tetë vjeç. Ata janë rreth gjysma e nxënësve të shkollës. Vitin e ardhshëm atyre do t'u shtohen edhe 60 të tjerë.

Digitalis përdor aplikacione ekzistuese si material mësimor. Por njerëzit prapa këtyre shkollave Steve Jobs po zhvillojnë mjetet e tyre për një interaktivitet të plotë në distancë. Ideja është që fëmijët të kenë mundësi të punojnë prej kudo dhe në çdo kohë, ndërkohë që janë virtualisht të lidhur me shkollën e tyre.

Beni shtatëvjeçar na tregon një nga aplikacionet e tij të preferuara, me të cilin mëson mbledhjet. Ai duhet të ushqejë peshkun me ushqimin, që mban numrin 3. Nëse në ekran shfaqet ushqim me numra më të vegjël, ai duhet të presë, derisa t'i mbledhë ata dhe vetëm atëherë mund ta ushqejë peshkun.

Dhe mësuesja Yvonne Kieft është po aq entuziaste sa Beni për iPad-in. Ajo thotë se kjo qasje e re me mësimdhënien i ka shpëtuar asaj karrierën. Pas 39 vjetësh pune si mësuese ajo ishte gati t'i jepte fund: Unë mendoja se metoda e deritanishme ishte e panatyrshme. Fëmijëve nuk u pëlqente të bënin ato që u thoja, por i bënin të detyruar. Nuk u pëlqente të mësonin, por mësonin sepse unë ua kërkoja këtë. (...) Ndërsa tani e di se ata mësojnë për vete. Ata e dinë se çfarë duhet të mësojnë dhe të vazhdojnë të mësojnë."

Jo të gjithë janë të bindur për metodologjinë e re

Dy fëmijë lexojnë libër tradicional dhe elektronik
Qasje më e mirë tek teknlogjia apo krijim individualistësh - koncepti i shkollave Steve Jobs has në kritikaFotografi: AndreyPS - Fotolia.com

Shkollat Steve Jobs kanë ndryshuar rolin e mësuesit. Ata janë bërë më shumë trajnerë, që drejtojnë fëmijët ndërkohë që ata mësojnë sipas ritmit të tyre. Fëmijët kanë mësues të ndryshëm për lëndë të ndryshme. Por orët e mësimit quhen "workshops" dhe fëmijët, që i ndjekin nuk janë të njëjtët. Ata mund të jenë nga tri vite të ndryshme akademike dhe disa prej tyre mund ta ndjekin më shpesh workshop-in, nëse janë prapa.

Por jo të gjithë janë të kënaqur me shkollat Steve Jobs. Filozofja dhe shkrimtarja Joke Hermsen ka një përvojë 25-vjeçare në mësimdhënie. Ajo thotë se është e shqetësuar për ndikimin e këtyre shkollave tek fëmijët: "Shkolla iPad ashtu si e shoh unë, do të formojë fëmijë shumë individualistë, me sjellje autiste, të cilëve u mungojnë aftësitë e nevojshme empatike për të komunikuar dhe punuar me njerëz të tjerë. Mendoj se aftësia e sjelljes në komunitet është diçka, që duhet mësuar në shkollë. Unë jam e mendimit se shkolla iPad po krijon mendje shumë teknokrate, mekanike, të cilat mund të funksionojnë vetëm në botë e tyre të vogël tejet individualiste."

Në Holandë kushdo mund të hapë një shkollë fillore, përsa kohë u përmbahet disa kritereve të caktuara dhe një numri objektivash mësimorë të përcaktuar nga qeveria. Shkollat e kanë vetë në dorë të vendosin për materialin mësimor dhe metodologjinë, përsa kohë garantojnë se fëmijët përmbushin kriteret minimale të mësimit.

Shkollat Steve Jobs nuk po operojnë ende me kapacitet të plotë. Sipas ligjit holandez fëmijët duhet të ndjekin çdo ditë shkollën dhe kjo bie ndesh me konceptin e ri të mësimit në distancë. Por ministria përkatëse ka premtuar se do ta shqyrtojë modelin dhe nëse rezulton se nuk ka efekte negative, mund t'i lejojë shkollat të eksperimentojnë duke i lejuar fëmijët të mësojnë dhe jashtë mureve të klasave.