1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shkatërrimi i municioneve të tepërta në Shqipëri - ndihmojnë NATO dhe OSBE

Një projekt i ri i qeverisë së Tiranës synon të përfundojë në vitin 2013 asgjësimin e gjithë arsenalit gjigand të municioneve stok sovjeto- kineze nga koha e diktaturës komuniste

Në harkun kohor të 11 viteve janë asgjësuar rreth 90 mijë ton municione

Në harkun kohor të 11 viteve janë asgjësuar rreth 90 mijë ton municione

Projekti synon të shmangë në kohë rrezikun potencial të shpërthimit të tyre, për banorët e zonave pranë depove, ku këto municione ndodhen. Shifrat zyrtare flasin për 184 mijë ton municione stok sovjeto- kineze të trashëguara nga regjimi komunist . Shqipëria u bë një vend i armatosur deri në dhëmbë për t' u mbrojtur ndaj armiqve imagjinarë që sajonte paranoja e nomenklaturës komuniste. Arsenali gjigand i armëve nuk u përdor kurrë. Ai u shndërrua në një rrezik potencial për popullatën për shkak të rënies së parametrave të sigurisë nga shpërthimi në depo ku qëndronte prej 50 vitesh. Procesi i asgjësimit të tij filloi në vitin 1999 si plotësim i një prej kushteve të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë demokratike në NATO dhe shmangjes së rrezikut potencial për popullsinë nga shpërthimi i tyre.

Deri në vitin 2013 duhet të bëhet asgjësimi i gjithë municioneve të tepërta

Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi

Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi

Në harkun kohor të 11 viteve janë asgjësuar rreth 90 mijë ton municione pa përfshirë këtu minat, silurat detare dhe predhat për avionët luftarakë MIG. Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi, në komandën e Brigadës së Logjistikës, që drejton projektin e ri të qeverisë flet për qëllimin e tij:“Asgjësimin e gjithë municioneve të tepërta deri në vitin 2013 dhe reduktimin e depove të municionit në afërsi të komunitetit me qëllim rritjen e shkallës së sigurisë në vend dhe në rajon.” thotë ai.

Zbatimi i projektit realizohet përmes Qendrës së Asgjësimit të Municioneve, në periferi të Tiranës, që varet nga Brigada e Logjistikës. Komandanti i kësaj qendre, Nënkolonel Shkelzen Mhilli tregon se asgjësimi bëhet në Uzinat ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes, në Poliçan, Gramsh dhe Elbasan ku makineri moderne bëjnë të mundur asgjësimin e fishekëve, predhave dhe mortajave. Por asgjësimi bëhet edhe në mënyrë mekanike, me shpërthim , në tetë poligone, të miratuara me vendim të posaçëm të Parlamentit. “Kjo strukturë u krijua me asistencën të ekspertëve më të mirë të NATO-s. Në fillim u ndërhy në zonat ku ishin shpërthyer depot e armëve nga trazirat e vitit 1997. U pastrua një sipërfaqje e infektuar prej 157 hektarësh me municione të kalibrave të ndryshëm, në mënyrë që jeta e popullsisë në ato zona të ishte jashtë rrezikut dhe të vazhdonte rrjedhën normale,” thotë Nënkolonel Shkëlzen Mhilli.

Asistenca nga Aleanca Veriatlantike NATO dhe OSBE

Nënkolonel, Shkelzen Mhilli

Nënkolonel, Shkelzen Mhilli

Asgjësimi i municioneve mbart me vete rrezik për jetën e atyre që e realizojnë atë. Gjenerali Xhemal Gjunkshi i cilëson ata heronj. Por strukturat e specializuara të Ministrisë së MBrojtjes nuk janë vetëm në detyrën e tyre të vështirë. “Kemi mbështetjen e vendeve anëtare, partnere të NATO-s si SHBA, Italia, Holanda dhe vende të tjera që kanë sjellë pajisje, kanë bërë treinimin e personelit ushtarak vendas për të kryer larg rrezikut për jetën asgjësimin e municioneve të tepërta. Kontribut ka dhënë edhe OSBE- ja për pajisjet që ajo ka sjellë për këtë qëllim.”

Anëtarësimi vitin e kaluar i Shqipërisë në NATO ka sjellë objektiva të tjera për Qendrën e Asgjësimi të Municioneve. Ajo duhet të menaxhojë jo vetëm asgjësimin e tonelatave të fundit nga stoku i municiomeve sovjeto- kineze por edhe të gjitha municionet, që Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s nuk i hyjnë më në punë. Pas tre vitesh Shqipëria dikur e armatosur deri në dhëmbë do të jetë një vend i demilitarizuar, i sigurtë për jetën e banorëve të saj.

Autore: Ani Ruci

Redaktoi: Esat Ahmeti