1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkaqet e borxheve evropiane

Zhang Danhong/Bahri Cani24 Prill 2014

Përderisa ekonomia evropiane po këndellet ngadalë, mali i borxheve po rritet. Ndër shkaqet kryesore të kësaj krize janë borxhet private. A do të ndihmonte shlyerja e borxheve?

https://p.dw.com/p/1BnXH
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për këshilltarin e sipërmarjeve dhe ekspertin financiar Daniel Stelter gjërat janë të qarta: ajo që po ndodh prej vitesh në ekonomi nuk është pasojë e krizës financiare apo ekonomike, por krizë e borxheve në mbarë botën. Prej vitit 1980, borxhet e shteteve, sipërmarrjeve dhe borxhet private janë dyfishura dhe kanë kaluar nga 160 në 320 % të prodhimit bruto, shkruan ai në librin e tij "Bomba bilionëshe e borxheve".

Po pse shtetet dhe njerëzit janë futur kaq shumë në borxhe? Stelter mendon se kjo është pasojë e politikës së gabuar ekonomike dhe monetare. Pas rënies së Murit të Berlinit dhe anëtarësimit të Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë, shtetet industriale kanë filluar të ndjejnë një presion të jashtëzakonshëm të kostove, në radhë të parë nga Azia. Në vend të investimeve në arsim dhe inovacione, politika dhe qytetarët e kanë zgjedhur një rrugë më të lehtë - rrugën e futjes në borxhe, për të realizuar qëllimet e tyre. Përderisa amerikanët e realizojnë ëndrrën e tyre për të pasur një shtëpi përmes kredive, në Evropë shtetet janë ato që kërkojnë kredi. Ky fenomen në veçanti ishte i përhapur në disa vende jugore në Evropë, pas futjes së monedhës së përbashkët. "Euro është paralajmëruar në vitin 1995 në samitin e Madridit. Dy vjet më pas niveli i interesave ka rënë në nivelin e Gjermanisë. Pastaj vendet kanë marrë kredi për të financuar rritjen e rrogave", thotë Hans-Werner Sinn, kryetar i Institutit Ifo, për Deutsche Wellen. Kjo ka qenë në rregull derisa tregjet financiare kanë qenë të gatshme të japin kredi.

Por me 2007 pëlciti fluska e imobilieve dhe kredive, së pari në SHBA e pastaj edhe në Evropë. Ndërsa kriza e shteteve në veçanti u bë e njohur pas bërjes publike të rastit të shtetit grek, i cili ishte futur në borxhe tepër të mëdha. Greqia nuk ishte përjashtim, mendon eksperti Moritz Schularick, nga Universiteti në Bon. Kriza në Irlandë dhe Spanjë, për shembull, nuk ka të bëjë fare me borxhet e shtetit. "Atje kemi pasur fluska imobiliesh të financuara me kredi, pjesërisht edhe nga jashtë, të cilat kanë shpërthyer", thotë ai për DW.

Borxhet e sektorit privat

Ndaj sektori privat në këto vende është shumë më shumë i futur në borxhe. Për shembull në Spanjë nga 2,5 bilionë borxhe, rreth 70 % i takojnë sektorit privat. Irlanda ndërkohë ka dalë nga ombrella për shpëtimin. Por këtë vend edhe më tej e ngarkojnë borxhe të mëdha, në vlerë prej 400 % të fuqisë ekonomike vjetore. Më shumë se 2/3 e këtyre borxheve i takon sektorit privat. Me fjalë të tjera: rrezik më i madh vjen prej sektorit privat. E njëjta thuhet edhe në një studim të një ekipi ekspertësh në Bonn, të cilët kanë hulumtuar mbi 90 kriza financare, që kanë shpërthyer që nga viti 1870. "Në parim krizat financiare janë pasojë e krizave të sistemeve financiare, që e kemi parë edhe tani. Kjo është pasojë e futjes në borxhe të sektorit privat", thotë Schularick.

Deri tani është insistuar në kursime, për të kaluar krizat. Gabim? Masat e deritanishme të kursimeve, e ngarkojnë rritjen ekonomike, që edhe më tepër ngarkon mundësinë e shlyerjes së borxheve, thotë eksperti Daniel Stelter. Në këtë drejtim nuk ndihmon as futja në borxhe të reja. Eksperti mendon se këtu mund të ndihmojë vetëm një shlyerje radikale e borxheve. Disa ekspertë thonë se vendet në krizë duhet të lirohen për 30 % të prodhimit bruto nga borxhet. Moritz Schularick mendon se kjo është e tepërt, përveç në rastin e Greqisë: "Ekonomisht do të ishte ndoshta dhe kuptimplotë që kjo të bëhet, sepse Greqia do të përballet me atë mal të borxheve me dekada të tëra."