1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Greqia po lëviz në drejtimin e duhur ekonomik

Janis Papadimitiou / L. Arapi22 Korrik 2014

Motori i ekonomisë greke po bën përpara. Për herë të parë prej pesë vjetësh krize një firmë athinase e parqeve të erës hyn në bursën e Athinës. ELTEH ANEMOS - ka vendosur 20,67 milionë aksione në bursë.

https://p.dw.com/p/1CgC3
Steigende Kurse an der Börse in Athen
Fotografi: Reuters

Çmimi i një prej aksioneve kushton 1,70 euro duke u renditur kështu në pjesën e fundit të çmimeve të aksioneve. Fillimisht mendohej të bliheshin 40 milionë euro aksione, por në kontekstin e krizës ky nuk ishte një qëllim shumë i lehtë. ANEMOS - firmë bijë e koncernit të ndërtimit ELLAKTOR konsiderohet si një nga ofruesit më të mëdhenj të energjive të rigjenerueshme në Greqi: Firma e themeluar në vitin 2000, sipas të dhënave të veta ka një fitim prej 37 milionë euro dhe nuk punëson më shumë se 35 punëtorë - duket se firma përfiton nga kompetencat e koncernit nënë dhe efektet pozitive të lidhjes me të.

"Dalja e ANEMOS jep shenja optimizmi në bursë", titullonte portali i lajmeve online "ToVima". Nga viti 2009 as një firmë në Greqi nuk kishte guxuar të kërkonte tek investitorët kapital të ri. Sinjalizon vërtet dalja e firmës ANEMOS edhe fundin e krizës së borxheve në Greqi? Theodoros Sietis drejtor ekzekutiv i firmës e shikon gjendjen me sy realist. "Në vitet e fundit ne i kemi përmirësuar dukshëm parametrat e përgjithshëm ekonomikë. Pikërisht kjo ishte një ndër arsyet që na bëri të futeshim në bursë", thotë Sietis në bisedë me Deutsche Welle-n, duke shtuar se "shumë më të rëndësishme ishin vështrimi specifik i kësaj dege, pra reduktimi i pengesave burokratike dhe ngushticat e financimit tek energjitë e rigjenerueshme."

Manos Hatzidakis
Manos HatzidakisFotografi: DW/J. Papadimitriou

"New deal" për energjitë e rigjenerueshme

Me këtë Theodoros Sietis ka parasysh një ligj të miratuar vitin e kaluar, i cili reformoi me rrënjë sektorin e energjive të rigjenerueshme në vend dhe madje u quajt një "new deal" për këtë degë. Tarifat e Photovoltaik u shkurtuan me prapaveprim dhe barra e borxheve të vjetra që kishte shteti u ristrukturua. Kjo bëri që firma dedicitare si Lagie të rimëkëmbeshin, por jo pa protestën e kreditorëve, të cilëve iu desh të përballonin humbjen e shkaktuar nga falja e borxhit në 500 milionë euro.

Megjithatë sipas Theodoros Sietis "kuadri i ri ligjor sjell me vete më shumë siguri planifikimi". Edhe firma e tij u desh të hiqte dorë nga një pjesë e kërkesave ndaj shtetit. Por kjo është pak krahasuar me gjendjen e mëparshme. "Për një kohë të gjatë operatori energjitik Lagie i kishte pezulluar pagesat ndaj prodhuesve privatë të energjisë. Ose ne na duhej të prisnim shumë gjatë për paratë tona, nganjëherë deri në 8 muaj."

Deri në vitin 2016 firma ANEMOS do të ndërtojë parqe të rinj me erë me një kapacitet prej 93,5 megavat, dhe investimi do të përballohet nga kredi bankare dhe të ardhurat nga bursa. Për këtë arsye shihet me sy pozitiv që rikapitalizimi i bankave greke vitin e kaluar u krye me sukses.

TT Hellenic Postbank
Fotografi: picture-alliance/dpa

Alternativë përballë financimit tradicional të bankave

Manos Hatzidakis kryeanalist i qendrës financiare "BETA Securities" nuk është shumë optimist. "Nuk pres një çtensionim të situatës së kredidhënies, para se të mbyllen testet e kontrollit nga Banka Qendrore Europiane". Momentalisht madje tregu i kredive ka ngrirë. Në maj 2014 bankat greke kanë dhënë 4% më pak kredi se një vit më parë. Prandaj bursa mund të jetë një alternativë përballë financimit tradicional përmes bankës", është i mendimit kryeanalisti Hatzidakis.

Nëse futja e ANEMOS në bursë mund të shihet si shenjë normalizimi për Greqinë, për këtë vetëm mund të spekulohet mendon eksperti Hatzidakis: "Sigurisht është një hap drejt normalizimit, kur një firmë guxon të futet në bursë. Mendoj se po lëvizim në drejtimin e duhur. Por kemi edhe shumë rrugë për të bërë."