1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shamia e kokës dhe gjykata gjermane

Wolfgang Dick25 Shtator 2014

Gjermania garanton në Kushtetutën e saj lirinë e ushtrimit të besimit. Por vazhdimisht grave myslimane iu duhet të mbrohen në gjykata kur duan të mbajnë shaminë e kokës në jetën e përditshme të punës.

https://p.dw.com/p/1DKe6
Fotografi: picture-alliance/dpa

Paditë për mbajtjen e shamisë së kokës kanë filluar në gjykatat gjermane para 15 vjetësh. Atëherë për herë të parë paditi një myslimane. Ajo donte të mbante shaminë e kokës gjatë mësimdhënies si mësuese në Baden-Württemberg. Ai është një shprehje e besimit të saj, argumentoi në 1998 Fereshta Ludin, e cila kishte ardhur në Gjermani në 1995 nga Afganistani dhe ishte natyralizuar si gjermane. Ish-ministrja e Kulturës e Baden-Württembergut refuzoi ta pranonte në shërbimin e mësimdhënies. Argumenti: mësuesit duhet të sillen në mënyrë neutrale kundrejt nxënësve të tyre në çështjet e besimit. Kjo është e detyrueshme në një një shtet laik si Gjermania në shërbimin publik.

Në vazhdën e procesit gjykatësit kërkuan në të gjitha planet referenca për të marrë një vendim sa më të drejtë të mundshëm. Për shembull u diskutua me hollësi çështja nëse Kurani i detyron vërtet gratë myslimane të mbajnë një shami koke. Përkrahësit e shohin këtë detyrim të argumentuar nga Surja 24. Por Kurani interpretohet në mënyra të ndryshme nga shkolla të ndryshme të së drejtës. Pastaj u shqyrtua nëse ligjet gjermane ndalojnë mbajtjen e shamisë së kokës për arsye fetare. Nuk u gjet asnjë ligj. Për pasojë Gjykata Kushtetuese hoqi në 2003 ndalimin për pranimin në shërbimin e mësimdhënies. Pas kësaj landi i Baden-Württembergut miratoi një ligj të ri arsimi, i cili u ndalon mësueseve myslimane në shkollat publike të japin mësim me shami koke. Problemi si atëherë edhe sot është që jo të gjitha landet vendosën kështu. Në lindje të Gjermanisë qendrimi është i rezervuar. Ndërsa pikërisht landi me popullsinë më të madhe, Nordrhein-Westfalen iu bashkua vendimit për ndalimin. Dhe pastaj goditja trullosëse: gjykata administrative e Stuttgartit e anuloi në vitin 2006 ndalimin e shamisë së kokës në Baden Württemberg. Duhet të ketë trajtim të barabartë fetar, u argumentua. Motrat e urdhërit të krishterë kanë të drejtë të japin mësim me veshjet e tyre të fetare. Atëherë duhet të jetë e pranueshme edhe shamia e kokës. Kështu filloi një kaos juridik deri sot i pazgjidhur, në të cilin çdo rast duhet parë në veçanti.

Përse ka vazhdimisht zënka?

Thomas Brinkmann është avokat i specializuar në të drejtën e punës dhe sociale në kancelarinë Hopfgarten në Wuppertal. Prej vitesh ai dhe kolegët e tij ndjekin rastet dhe vendimet në çështjen e shamisë së kokës në të gjithë Gjermaninë. Gjykatat gjermane nuk i marrin me lehtësi vendimet për këtë, siguron avokati Brinkmann. Sipas vëzhgimeve të tij nuk ekziston as ndonjë fobi ndaj fesë islame dhe as mirëkuptim i paargumentuar kundrejt myslimanëve para gjykatave, për të mos u konsideruar si armiqësorë ndaj myslimanëve. "Këtë nuk e kam parë deri tani", thotë avokati Brinkmann. Një ligj të përgjithshëm që t'u japë fund të gjitha zënkave nuk mund të ketë për shkak të lirisë së besimit.

Deutschland Thomas Brinkmann Rechtsanwalt
Thomas BrinkmannFotografi: Günter Lintl

"Duhen marrë parasysh interesat e të gjitha palëve, pra të drejtat e punëdhënësve dhe të punëmarrësve". Në rastin e një gjykatësje myslimane kjo do të thotë që ajo nuk mund të mbajë shami koke. Në Berlin sundon ndalimi i plotë i simboleve fetare për të gjithë punonjësit e shtetit. Ndër simbolet bëjnë pjesë si kryqet e krishtera ashtu edhe kapuçi hebre. Berlini kërkon të bëjë të qartë në hapësirën publike se të gjitha fetë trajtohen në mënyrë të barabartë.

Türkinnen im Deutschkurs
Fotografi: picture-alliance/dpa

Më të komplikuara janë shpesh rastet në ekonominë private. "Në këtë rast shqyrtohet nëse tek besimtari një qendrim fetar është vërtet i ngulitur thellë, prej sa kohësh e mban shaminë e kokës dhe sa shpesh edhe në kohën e lirë", thotë Thomas Brinkmann. Nga ana tjetër një punëdhënës e ka të vështirë të arrijë që të zbatojë vendimin për ndalimin e shamisë së kokës kur i punësuari nuk ka kontakt me klientët, të cilët ndoshta mund të shqetësoheshin nga shamia e kokës. Punëdhënësi mund të ngulë këmbë për ndalimin e shamisë së kokës vetëm nëse kjo është paracaktuar më parë në kontratën e punës. Në rastin e punëdhënësve me orientim fetar si institucionet kishtare për shembull është e vetëkuptueshme që çdo deklarim i besimit në një tjetër fe nuk mund të pranohet.

Në gjykatat gjermane nuk ka arbitraritet, gjë që shpjegon përse Këshilli Qendror i Myslimanëve deri tani nuk ka protestuar me zë të lartë kundër vendimeve. Thomas Brinkmann shprehet shumë qartë për këtë: "Deri tani të gjitha vendimet kanë qenë të argumentuara."

Tendenca është që të forcohet e drejta e vendimit për ushtrimin e besimit. "Kjo ndodh më shpesh se më parë", thotë avokati. Përshtypja e tij ndahet edhe nga të tjerë përfaqësues të këtij profesioni. Sidoqoftë problemi nuk është aq i madh. Sipas një studimi të Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë nga viti 2009, vetëm 25 për qind e grave myslimane nga 16 vjeç mban shami koke. 70 për qind nuk e mbajnë asnjëherë.