1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sfidat e hapura të vetëqeverisjes lokale ne Kosovë

Vetëqeverisja lokale në Kosovë nuk është një temë e lehtë, por sfida më e madhe vazhdon të mbetet procesi i decentralizimit. Përfshirja e komunave të veriut në institucionet e Kosovës kërkon ende kohë.

Mitrovica është komunë me probleme të shumta që nga zhvendosja e njerëzve, pasiguria, pamundësia e shfrytëzimit të pronave, mungesa e lëvizjes së lirë, strukturat paralele si edhe probleme të tjera, të cilat nuk mund të zgjidhen në nivelin lokal. Të drejtosh një komunë me specifika të tilla s´është apak e lehtë. Hapja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës nuk do të thotë edhe zgjidhje e problemit të veriut, duke pasur parasysh se Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi edhe me tej vazhdojnë të mbesin jashtë institucioneve të Kosovës, thotë për DW-në kryetari i komunës së Mitrovices, Avni Kastrati.

„Ne angazhohemi maksimalisht që të jemi afër qytetarëve dhe t´iu tregojmë se problemet aktuale janë një realitet i momentit dhe dalngadalë do të përmirësohet situata. Mendoj se qytetarët do t´i kthehen së ardhmes. Vetë fakti se ka fillu punën Zyra Administrative në veri do t´thotë se edhe këtu ka fillu të implementohet Pakoja e Ahtisarit. Prandaj, mendoj se rrjedhat janë të mira dhe përditë e më shumë komuniteti serb, i cili tash për tash heziton, do ta kuptojë se interesi i tyre është në Kosovën e pavarur, të ndajë të mirën e te keqen me qytetarët tjerë të Kosovës”.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar

Kosova njeh detyrimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale

Sipas ministrit për Administrim të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petrovic, Kosova që nga viti 1999 i ka kushtuar kujdes të veçantë krijimit dhe forcimit të pushtetit lokal, fillimisht me kompetenca të kufizuara ndërsa sot, komunat kanë një autonomi të konsiderueshme të vetëqeverisjes. „Kosova ka pasur parasysh dhe ka pranuar në tërësi Kartën e Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Ne kemi pranuar dhe implementuar me sukses Planin Gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, të propozuar nga Presidenti Ahtisari; proces që u përmbyll solemnisht po këtë javë nga institucionet e Kosovës dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kosova ka përfshirë në Kushtetutën e saj edhe parimet kryesore të vetëqeverisjes lokale dhe ka përkthyer në ligjet e saj principet më të avancuara të organizmit të pushtetit lokal“.

Fuqizimi i pushtetit lokal - prioritet

Përmirësimin e legjislacionit dhe strategjisë për qeverisjen lokale kishte si synim edhe konferenca e III-të Ndërkombëtare me temë “Fuqizimi i Qeverisjes Lokale nëpërmjet promovimit të Vlerave Evropiane“. Në këtë konferencë dyditore, e organizuar nën kujdesin e MAPL-së dhe e mundësuar nga Komisioni Evropian, e cila u mbajt në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë dhe Novobërdë, morën pjesë përfaqësues të lartë politik dhe ekspertë nga rajoni dhe bota. Samuel Zbogar përfaqësues i BE-së në Kosovë, tha se prioritet i Bashkimit Evropian është mbështetja dhe fuqizimi i qeverisjes lokale në Kosovë: “Ne do të vazhdojmë të mbështesim plotësisht të ardhmen evropiane të Kosovës dhe qeverisja e mirë është nocion i suksesit. Asgjë nuk është automatike. Ndërsa, në rastin e Kosovës, kjo do të thotë jo vetëm fuqizim i vlerave evropiane në legjislacionin tuaj në qeverinë qendrore, por edhe në qeverinë lokale, poashtu, që ajo të jetë e fuqishme, e shëndoshë dhe e gatshme të ofroj shërbime lokale për qytetarët në qytete dhe në fshatra. Qeveria lokale duhet të jetë e përkushtuar në përmbushjen e nevojave të qytetarëve”.

Deçani në panairin e Prishtinës

Deçani në panairin e Prishtinës

Integrim përmes bashkëpunimit ndërkufitar dhe binjakëzimit të komunave

Ndër përpjekjet për rregullimin e vetëqeverisjes lokale në përputhje me standardet evropiane është edhe bashkëpunimi ndërkufitar, i financuar nga Komisioni Evropian, në kuadër të të cilit tashmë janë lidhur marrëveshjet me Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa në tetor marrëveshja do të nënshkruhet edhe me Malin e Zi. Bashkëpunimi komunë-komunë ka rezultuar me binjakëzimin e komunave të Kosovës me disa komuna të shteteve të rajonit dhe më gjërë, ndërsa fuqizimi i tyre është prioritet i MAPL-së, shpjegon për DW-në Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm në këtë ministri.

„Ne këtë e kemi promovuar duke financuar aktivitete të vogla të përbashkëta. Vetëm këtë vit ne kemi ndarë rreth 1 milionë euro përprojekte të vogla, ku kemi futur nje grant konkurrimi midis komunave që ata që vine me ide të mira për projekte të bashkëpunimit ndërkomunal. Për momentin janë duke u realizuar 13-të projekte të vogla anekënd Kosovës." Konferencën për vetëqeverisjen lokale si dhe Panairin e Parë të Komunave Besnik Osmani i sheh si përpjekje të tjera konkrete në drejtimin e duhur.

Sfidë - procesi i decentralizimit dhe komunat e veriut

Procesi i decentralizmit, si një nga parimet themelore të një sistemi demokratik dhe një nga kushtet vendimtare për një qeverisje efikase, edhe më tej mbetet sfidë. Per ministrin Petroviç, ky është një shteg i pashmangshëm për zhvillimin e demokracisë lokale, integrimin e komuniteteve dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike karshi qytetarëve të Kosovës. „Suksesi i decentralizimit nuk varet vetëm nga përkushtimi i qeverisë për reformat, por varet po aq edhe nga fakti se si strukturat lokale dhe qytetarët në terren e përqafojnë këtë proces. Ky konstatim mund të ilustrohet me suksesin e arritur në komunat e Graçanicës, Kllokotit, Junikut apo Mamushës, ku qeveria, strukturat lokale dhe qytetarët ishin bashkë në implementimin e projektit. Megjithë themelimin e Komunës së Mitrovicës Veriore dhe Zyrës Administrative, ende mbetet për t´u bërë që qytetarët të kuptojnë përfitimet që sjell ky proces. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës, duke ju garantuar se puna e këtyre institucioneve shkon vetëm në dobi të tyre dhe ta kuptojmë se këtu është ardhmëria e jonë dhe e fëmijëve tanë“.

Sfida e hapur: Formimi i komunës veriore të Mitrovicës si obligim që del nga Pakoja e Ahtisarit, bashkëpunimi me komunitetin serb në veri si dhe përfshirja e komunave të veriut nën ombrellën e institucioneve të Republikës së Kosovës.