1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Serbia e indinjuar nga deklarat e Ramës

Bahri Cani10 Prill 2015

Serbia shprehet e indinjuar ndaj deklaratës së fundit të kryeministrit Rama për mundësinë e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës. Ministria e Jashtme serbe ka kërkuar shpjegime shtesë. BE kërkon maturi.

https://p.dw.com/p/1F5nR
Serbischer Ministerpräsident Aleksandar Vucic
Fotografi: DW/B. Marx

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq pohon se homologu i tij shqiptar Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Hashim Thaçi e kanë tepruar me deklaratat e fundit për mundësinë e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës. "Ne gjithmonë kemi kërkuar të gjejmë gjuhën më të mirë për bashkëpunim me Tiranën. Por ata e kanë tepruar me deklaratat për bashkim me hir apo pahir, nën ombrellën europiane apo pa të", ka deklaruar Vuçiq duke shtuar se "ai nuk kërcënon askënd, por do të ishte më mirë që Rama dhe Thaçi të mos ëndërrojnë gjëra të tilla, sepse ëndrrat për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës nuk do të realizohen".

Mediat serbe pohojnë se në intervistën e përbashkët me ministrin e Jashtëm të Kosovës Thaçi dhënë televizionit Klan, kryeministri i Shqipërisë Rama ka deklaruar se "këto dy vende do të detyrohen të bashkohen në mënyrë klasike", në qoftë se BE-ja vazhdon t'i mbyllë dyert e integrimit të Kosovës.

Daçiq shtron shumë pyetje

Disa media në shqip pohojnë se deklarata e Ramës është përkthyer dhe intepretuar gabimisht. Por Ministria e Jashtme e Serbisë i ka dërguar një notë proteste ambasadës shqiptare në Beograd dhe ka kërkuar shpjegime shtesë për këtë deklaratë. Ministri i Jashtëm Ivica Daçiq pohon se "BE-ja duhet t'i trajtojë në mënyrë të barabartë të gjithë" dhe duhet ta dënojë ashpër deklaratën e Ramës për "bashkimin" e Shqipërisë dhe Kosovës.

"Nuk është kontestuese vetëm ajo që ka deklaruar ai (Rama), por kontestuese është që shumë pakkush po reagon. Sa kohë duhet të kalojë për t'i dënuar deklarata të tilla?", pyeti Daçiq, në një konferencë të përbashkët shtypi me sekretarin e përgjithshëm të OSBE-së, Lamberto Zanieri.

"Pse flasim për bashkëpunim dhe pse duhet të shkojnë kryeministrat (e Serbisë dhe Shqipërisë) së bashku në Bruksel më 21 prill, të paraqesin projektet e përbashkëta... nëse nga pala tjetër kemi këtë?", pyeti Daçiq dhe vazhdoi me një pyetje tejtër: "Sa herë kemi dëgjuar se kufijtë e jashtëm nuk do të ndryshojnë? Ku mbeti kjo fjali?" Daçiq tha se Serbia synon të ketë raporte të mira me Shqipërinë, por këto janë "deklarata të papërgjegjshme".

BE kundër provokimeve

Komisioni Europian kumtoi, se të gjithë në Ballkan, pra edhe Shqipëria dhe Kosova, i kanë pranuar parimet e fqinjësisë së mirë, të bashkëpubimit dhe pajtimit në rrugën drejt BE-së. "Në këtë kontekst janë të papranueshme provokimet", tha zëdhënësja e Komisionit të BE Maja Kocijançiç. Ajo theksoi se të gjitha vendet e Ballkanit janë duke përparuar drejt BE-së, por secili me ritmin e vet, duke i respektuar parimet dhe standardet e BE-së. Sa i përket kritikave nga Beogradi, për një reagim të butë të BE-së, Kocijaçiç tha se reagimi i BE-së ka qenë "i qartë dhe i padyshimtë". Ndërsa në pyetjen nëse këto deklarata do të cënojnë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesit e BE-së thonë se "Thaçi nuk i ka mbështetur deklaratat e Ramës" dhe se dialogu po vazhdon me punën e ekspertëve.

Raundi i ri i bisedimeve do të mund të mbahej në kuadër të takimit të gjashtë të kryeministrave të vendeve të Ballkanit, më 21 prill në Bruksel. Në këtë takim do të bisedohet për mbështetjen e projekteve rajonale të infrastrukturës, në një vlerë prej një miliardë euro.