1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Seanca dështon: Nuk i dihet fundi ngërçit politik në Kosovë

Bekim Shehu2 Tetor 2014

Koalicioni i partive politike, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje, i kërkuan kryesueses së seancës konstituive, Flora Brovina, që të thërrasë vazhdimin e seancës javën e ardhshme.

https://p.dw.com/p/1DOpX
Kosovo Hauptstadt Pristina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Nuk ka vazhduar seanca konstituive e Parlamentit të Kosovës, e paraparë për të enjten (02.10), ku si pikë e vetme e rendit të ditës ishte zgjedhja e kryetarit të kuvendit të Kosovës. Shtyrja e seancës u bë mbrëmë vonë nga kryesuesja më e vjetër Flora Brovina, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) me arsyetimin e fillimit të këshillimeve të Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, me partitë politike.

Në një letër që deputetja Brovina u ka dërguar deputetëve të parlamentit thuhet se “duke u bazuar në rolin kushtetues të Presidentes së Republikës së Kosovës për garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve dhe fillimin e lehtësimit të procesit të arritjes së marrëveshjes politike me liderët e partive politike dhe me qëllim të krijimit të hapësirës së mjaftueshme për tejkalimin e krizës politike dhe institucionale, e konsideroj të nevojshme dhe domosdoshme shtyrjen e vazhdimit të seancës konstituive, në mënyrë që seanca të përfundojë me sukses”.

Menjëherë pas kësaj letre, mbrëmë vonë në një deklaratë të zyrës së presidentes thuhet se takimet e saj me udhëheqësit e partive politike janë proces i veçantë që synon të lehtësojë diskutimet mes partive, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve. Zyra e presidentes thekson faktin se "Parlamenti i Kosovës është institucion plotësisht autonom. Asnjë procedurë e brendshme e tij, përfshirë edhe thirrjen e seancës së tij, nuk ndërlidhet me përpjekjet e presidentes për lehtësim të dialogut.

Presidentja Jahjaga respekton pavarësinë dhe rregullat e parlamentit. Presidentja Jahjaga do të vazhdojë të luajë rolin e saj kushtetues të faktorit të unitetit”, thuhet në deklaratën e zyrës së presidentes, Atifete Jahjaga.

Shtyrja e seancës ka nxitur reagimin e partive politike në koalicion, LDK, AAK Nisma dhe Vetëvendosje, (V-LAN) që përbëjnë shumicën e deputetëve të kuvendit. Udhëheqësit e këtyre partive në koalicion, një nga një iu drejtuan mediave nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku akuzuan PDK-në, e cila sipas tyre po bllokon ndërtimin dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës. #bbig

Reagimet e partive të koalicionit V-LAN

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kandidati i koalicionit V-LAN, për kryetar kuvendi, konsideron se shtyrja e seancës është siç thotë “një abuzim i rëndë i institucioneve. “Ata që e kanë marrë mandatin po i frikësohen seancës. Jemi të mbledhur këtu të shprehim pakënaqësinë tonë me zhvillimet e fundit. Jemi këtu të japim zotimin tonë si subjekte politike të LDK-AAK-NISMA dhe VV. Ne kemi një qëllim të përbashkët që është në të mirë të qytetarëve të Kosovës që është në përparimin e Kosovës”, tha Isa Mustafa.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, nga ana e tij tha se, koalicioni V-LAN, është i vendosur për ndryshime.

“Ne sot u themi qytetarëve të vendit se jemi të vendosur për një ndryshim të madh, është vullneti i popullit. Ne do ta zgjedhim kryetarin e kuvendit në afat kohor dhe do të krijojmë institucionet”, tha Ramush Haradinaj. Lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës tha se PDK-së po bllokon funksionimin e institucioneve të Kosovës. “PDK-ja, kjo parti-shtet e ka lënë pa Republikë po donë që ta lej edhe pa Kuvend Kosovën. Jemi bërë bashkë që në vijim të luftohet krimi, korrupsioni, të hapet perspektiva për qytetarët pa asnjë dallim. Jemi dëshmitarë që seanca konstituive u ndërpre, pastaj ajo u vazhdua përsëri për t'u ndërprerë dhe së fundi u shty që mos të vazhdohet”, tha Albin Kurti.

Blloku opozitar shpreson të mbledhë seancën javën e ardhshme

Zyrtarë të PDK-së nuk ishin të pranishëm sot në ambientet e kuvendit të Kosovës. Ata as nuk i kanë komentuar zhvillimet e sotme ne kuvend.

Përfaqësuesit e partive në koalicion V-LAN, thanë se ata do të mbledhin nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit. Kjo sipas tyre do të ndodhë më së largu deri nga mesi i javës së ardhshme.

Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm vendimin e kuvendit për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit në seancën e 17 korrikut. Në vendim Gjykata i njohu të drejtën Partisë Demokratike të Kosovës PDK që të propozojë kandidatin për kryetar, si grupi më i madh parlamentar i dalë nga zgjedhjet. Por, kjo parti dy herë radhazi nuk arriti t'i sigurojë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit. Ndërkohë, blloku i partive në koalicion, V-LAN, thonë se ata i kanë 63 deputetë që mund të zgjedhin udhëheqjen e parlamentit dhe më pastaj ta formojnë edhe qeverinë e Kosovës.