1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sarkozy triumfon në zgjedhjet për departamentet në Francë

nem/hf (apf, dpa, rtr)23 Mars 2015

Partia konservatore e ish-presidentit Sarkozy është fituese e raundit të parë të zgjedhjeve kombëtare për departamentet.

https://p.dw.com/p/1EvLT
Nicolas Sarkozy
Nicolas SarkozyFotografi: Dominique Faget/AFP/Getty Images

Garën kokë më kokë mes partisë ekstremiste të djathtë Fronti Kombëtar (FN) dhe partisë konservatore UMP e fitoi partia e ish-presidentit Sarkozy. Shkarja e Francës në kampin ekstremist të djathtë nuk u realizua.

Me rreth 30 për qind të votave partia konservatore UMP e ish-presidentit Nicolas Sarkozy, së bashku me partnerin e saj, Partia UDI, është fituese e raundit të parë të zgjedhjeve kombëtare të departamenteve. Sipas parashikimit fillestar partia ekstremiste e djathtë Fronti Kombëtar (FN) e Marine Le Pen fitoi rreth 25 për qind të votave. Sipas sondazheve para zgjedhjeve supozohej se ajo do të fitonte rreth 30 për qind. Presidenti François Hollande dhe socialistët e tij në pushtet fituan sikurse pritej rreth 20 për qind të votave. Pjesëmarrja në votime ishte më e mirë se sa pritej.

Të majtët mund të humbasin 61 departamente

Balotazhi vendimtar zhvillohet më 29 mars. Për shkak ligjit të votimit në Francë, e djathta ekstreme ka pak shanse për të fituar në raundin e balotazhit, shumicën në më shumë se një nga 101 departamentet e Francës. Por për Marine Le Pen edhe kjo do të ishte një sukses i madh. Mundësitë më të mira partia e saj i ka sipas anketuesve në Vaucluse, në jug të Francës, dhe në departamentin Aisne në veri.

Marine Le Pen
Marine Le PenFotografi: Reuters/G. Fuentes

Në Francë, ka 101 qarqe ose departamente. Të majtë tmund të humbasin më shumë se gjysmën e 61 departamenteve që drejtojnë tani. Madje e Majta do të bëjë madje ndoshta të dielën thirrje për një "front republikan" kundër Frontit Kombëtar të Marine Le Pen, pra pro konservatorëve.

Test për zgjedhjet presidenciale 2017

Zgjedhjet për këshillat e qarkut dhe departamentet konsiderohen nga të gjitha kampet politike si një lloj testi kombëtar dy vjet para zgjedhjes së presidentit të ri. Para zgjedhjeve, Presidenti Hollande u përpoq të mobilizonte votuesit e majtë: Por votuesit e majtë kishin sipas sondazheve pak dëshirë për të marrë pjesë në zgjedhje, veçanërisht prej faktit se e ardhmja e qarqeve në Francë është mjaft e pasigurt për shkak të reformave të planifikuara strukturore.

Partia ekstremiste e djathtë e Marine Le Pen fitoi vjet në zgjedhjet evropiane rreth 25 për qind të votave duke dalë forca më e fortë politike në Francë. Drejtuesja e partisë Le Pen tha edhe një herë gjatë fushatës së tanishme elektorale se synimi final është Pallati Elize. Sipas anketave aktuale ajo ka shanse të mira për të arritur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017 në balotazh.

Edhe ish-presidenti Sarkozy donte që në këto zgjedhje të provonte shanset për zgjedhjet për kreun e shtetit në vitin 2017. Thuhet se ai po përgatitet për të kandiduar përsëri për betejën për pallatin Elize.