1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa "miq" janë bullgarët me rusët?

N Cekov/Auron Dodi23 Prill 2014

A ka ndryshuar qëndrimi publik i bullgarëve ndaj Rusisë pas ndërhyrjes së Kremlinit në Ukrainë? A mund të mbështetet BE te Bullgaria si një partner i besueshëm në krizën aktuale? Ekspertët kanë mendime të ndryshme.

https://p.dw.com/p/1BmGv
Krime, flamur rus
Fotografi: picture-alliance/dpa

A ka ndryshuar qëndrimi publik i bullgarëve ndaj Rusisë pas ndërhyrjes së Kremlinit në Ukrainë? A mund të mbështetet BE te Bullgaria si një partner i besueshëm në krizën aktuale? Ekspertët kanë mendime të ndryshme.

Profesori Kalin Janakiev nga Universiteti i Sofies beson se Bullgaria ende nuk e ka treguar veten si një "kalë troje" i Rusisë. Sofia i ka votuar deri tani në bashkëpunim me partnerët evropianë vendimet që synojnë të ndalin praktikën agresive të aneksimit të Putinit, praktikë që ka ringjallur kohën para Luftës së Dytë Botërore.

A bëhet propagandë ruse në Bullgari?

Janakievi megjithatë është i shqetësuar për përpjekjet për të manipuluar opinionin publik, me anë të infiltrimit gradual, por sistematik të klisheve të propagandës ruse në mediet e monopolizuara në një shkallë të lartë të Bullgarisë: "Në përgjithësi qarkullon ideja se revolucioni në qendër të Kievit është pjesë e një plani konspirativ të Perëndimit kundër Rusisë dhe agresioni pasues i Putinit është thjesht një përgjigje e pashmangshme ndaj "kryengritjes fashiste". "Varësia e madhe energjetike nga Rusia përshkruhet si një fenomen natyror dhe qeveria e justifikon "përmbajtjen" e saj kundër inisiativave për të vendosur sanksione më të forta kundër agresorit", vëren Janakiev. Ai pranon megjithatë se në mediet bullgare thuajse nuk gjen vend histeria nacionaliste dhe shovinizmi militant, që ka vërshuar tani në Rusi.

"Bullgarët nuk e ndjekin më me vëmendje atë që ndodh në skenën e brendshme në Rusi, doktrina e pushtetit të së cilës po merr gjithnjë e më tepër karakteristikat e një forme të re të autoritarizmit". Por mediet bullgare përhapin sipas Janakievit në mënyrë aktive idenë se anëtarësimi i Bullgarisë në BE është një përkujdesje e mundimshme, për mirëmbajtjen e së cilës Brukseli herë pas here "na ndalon diçka". Ka medie që Evropën e paraqesin si një kolonialiste të re, që e grabit Bullgarinë.

Paradoksi bullgar

Bullgarët ambivalentë, por pa nostalgji ndaj rusëve
Bullgarët ambivalentë, por pa nostalgji ndaj rusëveFotografi: cc-by-sa/sweti/flickr.com

Sociologu i organizatës Gallup, Andrei Raiçev thotë se qëndrimi i bullgarëve ndaj rusëve është një përjashtim paradoksal nga situata në vendet e tjera të ish-kampit sovjetik, që tani janë anëtare të BE. "Arsyeja është fare e thjeshtë. Për Poloninë, shtetet baltike, për Hungarinë, Republikën Çeke, për Sllovakinë dhe madje Rumaninë, Rusia ka qenë gjithmonë "e keqja e madhe", e cila jo vetëm e ka kërcënuar pavarësinë e tyre, por shpesh e ka shkatërruar atë. Edhe Bullgaria ka frikë nga një "vend i madh". Në këtë rast, ky vend quhet Turqi. Në këtë kuptim, Rusia është perceptuar nga bullgarët më tepër si shpresëdhënëse se sa si kërcënim", thotë Raiçevi. Sipas tij, paradoksi i madh është se bullgari i zakonshëm nuk jeton me idenë e Rusisë si një kërcënim gjeostrategjik.

Për më tepër, ka njerëz që mendojnë se bullgarët në përgjithësi kanë ruajtur pak nostalgji dhe madje dashuri për Rusinë. "Por kjo nuk është e saktë. Nga njëra anë, pyetjes se nëse Rusia (e parë në aspektin sociologjik) veproi drejt kur pushtoi Krimenë, një e treta e të pyeturve iu përgjigj me "po", rreth 20 përqind me një "jo" të qartë dhe pjesa tjetër nuk kishte mendim të përcaktuar. Nga ana tjetër, më shumë se gjysma e të pyeturve iu përgjigj me "po" pyetjes nëse Bullgaria duhet të mbetet anëtare e BE dhe e NATO-s, vetëm 10-15 përqind dhanë përgjigje negative.

Sipas Raiçevit, ambivalenca te një pjesë e bullgarëve midis Rusisë dhe Perëndimit ka të bëjë me faktin se qëndrimi bazë i bullgarëve ndaj Rusisë nuk është negativ. Një shqetësim i madh në sondazhe është megjithatë që konflikti në Ukrainë do të ketë pasoja të rënda në ekonominë bullgare, në formën e humbjeve ekonomike. Për më tepër, në sondazhe të pyeturit besojnë se pasojat e konfliktit do t'i paguajnë vendet fqinjë, siç ishte rasti i luftërave në Jugosllavi," thotë sociologu Andej Raiçev.