1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Sa më shumë dashuri dhe sa më pak gënjeshtra

23 Maj 2009

Një grup studentësh nga universitetet e Durrësit, të Tetovës dhe të Shkupit vunë në skenë komedinë "Armët dhe Burri" të Xhorxh Bernard Shou.

https://p.dw.com/p/HvpH
Posteri i komedisë "Armët dhe Burri" të Xhorxh Bernard Shou
Vënia në skenë e komedisë "Armët dhe Burri" të Xhorxh Bernard Shou një sfidë e dyfishtë e studentëve, edhe për aktrimin edhe aftësinë në një gjuhë të huaj.Fotografi: DW / Arben Muka

Grupi i aktorëve përbëhet nga 13 studentë, një pjesë e të cilëve nga Universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës, nga Universiteti i "Europës Juglindore" në Tetovë dhe nga "Ss Cyril i Methodius Universitet" në Shkup. Shfaqja zgjat vetëm 60 minuta por për këtë studentët kanë punuar rreth 6 muaj. Komedia "Armët dhe Burri" e irlandezit Xhorxh Bernard Shou është një fabul jetësore, një fluks situatash e të papriturash, ku nuk mungojnë gënjeshtrat e dashuria. Mesazhet e komedisë përçohen tek spektatori në gjuhën angleze. Pra një sfidë e dyfishtë e studentëve, edhe të provojnë aktrimin, por dhe aftësinë në një gjuhë të huaj.

Amir Bilalli, është nga Kumanova në Maqedoni dhe studjon në degën e gjermanishtes në Tetovë. Pjesmarrja në këtë projekt ka ndryshuar shumë nga planet e tij për të ardhmen. Prova e parë për t'u ngjitur në skenë ka zgjuar tek Amir një dëshirë të tij të fjetur: "Jam në vitin e fundit në fakultet dhe kam në plan të filloj studimet për aktrim në fakultetin e Shkupit".

Për Amirin ka pasur dhe një bashkëpunim tjetër me miqtë nga Shqipëria. "Kam pasur një eksperiencë të mëparshme me studentë nga Elbasani, por këtë radhë u ndjeva ndryshe. E kishim dhe të vështirë se kishim prova 3 - 4 herë në javë dhe për këtë na duhej kohë".

Edhe Fatjona, studente në Durrës, është bindur se që tani nuk do të ndahet nga rruga e artit: "Gjithmonë më ka pëlqyer arti. Marrja pjesë në këtë aktivitet është një hap përpara. Dua që të vazhdoj më tej. Siç ka qenë ëndërra ime, ajo po bëhet realitet".

Për fat kjo ishte një eksperiencë e mirë për çdo pjesamrrës në këtë projekt, thotë për DW-në, bashkëdrejtori artistik Evangelos Tzavaras: "Pjesa më e madhe e studentëve as që kishin ndonjë eksperiencë të mëparshme në skenë. Eshtë e vështirë t'i besosh dikujt në skenë, të cilin s'e ke takuar kurrë më parë. Aq me tepër që provat për komedinë bëheshin në pjesën me të madhe të ndara në dy vende, në Shqipëri dhe në Maqedoni. Por të gjithë ia dolën duke bërë një prezantim të shkëlqyer për publikun. Kemi marrë duartrokitje dhe mbështetje për këtë debutim. Ia dolëm nga përkushtimi, fryma e punës në ekip, por dhe nga disiplina".

Charlotte Siegerstetter, bashkëdrejtore artistike e komedisë
Charlotte Siegerstetter, bashkëdrejtore artistike e komedisëFotografi: DW / Arben Muka

Charlotte Siegerstetter, bashkëdrejtorja tjetër artistike e komedisë tregon dhe një objektiv tjetër të projektit: "Të ishin bashkë studentë nga Shqipëria e Maqedonia, të punojnë së bashku të udhëtojnë, të shkëmbejnë eksperiencat e tyre. Por dhe të njohin vendet e tyre. Shumica e studentëve nga Shqipëria nuk kishin udhëtuar më parë në vendin fqinjë, po kështu dhe ata të Maqedonisë e kishin për hërë të parë ardhjen në Shqipëri".

Dhe tek i shikon ashtu si një trupë shëtitëse artistësh dallon se ata kanë lidhur një miqësi mes tyre të cilën do ta vazhdojnë dhe pas përfundimit të projektit. Ata ndjehen të kënaqur se ia kanë arritur të ngjiten në skenë me profesionalizëm, por, si thotë Kristina duke ndikuar tek të gjithë publiku që i ka ndjekur: "Të shpresojmë që me këtë komedi ta kemi pasur të qartë mesazhin për të gjithë, sa më shumë dashuri dhe sa më pak gënjeshtra"

Për realizimin e këtij projekti kanë dhënë mbështetje ambasadat gjermane në Tiranë e Shkup, fondacioni "Robert Bosch", universitetet respektive si dhe disa aktivitete biznesi.

Autor: Arben Muka
Redaktoi: Pandeli Pani