1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rëndësi ka që dialogu të mos ndërpritet."

av (dpa)19 Nëntor 2014

Kancelarja është e zemëruar me Vladimir Putinin, ministri i Jashtëm shkon në mision diplomatik. Fillimisht Kievi pastaj Moska dhe në mbrëmje pastaj Kremlini, ky ishte plani i udhëtimit të Frank-Walter Steinmeierit.

https://p.dw.com/p/1DpeS
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Chirikov

Natyrisht që konflikti në lidhje me Ukrainën ishte në qendër të bisedimeve, që ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier zhvilloi fillimisht në Kiew dhe pastaj në Moskë. Por duke qenë në kryeqytetinn rus Steinmeier kërkoi nga udhëheqja ruse përpjekje të përbashkëta edhe në vatrat e tjera të krizave të politikës ndërkombëtare. Si shembull ai përmendi negociatat bërthamore me Iranin dhe luftën kundër milicëve terroristë të "shtetit Islamik" (IS). Shefi i Kremlinit Vladimir Putin e ftoi politikanin socialdemokat në mbrëmje papritur në një takim.

"Serioz dhe i hapur"

Nga qarqet e delegacionit gjerman pas bisedës 75 minutëshe në Kremlin u tha se biseda ishte "serioze dhe e hapur". Është biseduar për "rrugët për daljen nga kriza e Ukrainës, që mund të hapin perspektiva të reja". Steinmeier ishte takuar së fundi me shefin e Kremlinit në shkurt, pak para aneksionit të gadishullit të Krimesë nga Rusia. Në mbrëmje pas vizitës tek Putini, Steinmeier u kthye me vonesë në Berlin. Putini bisedoi në fundjavë katër orë me kancelaren gjermane Angela Merkel në kuadër të samitit të G20. Pa arritur me të vërtetë që të afrojnë këndvështrimet.

Steinmeier dhe ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në konferencën e përbashkët për shtyp nuk e fshehën qëndrimin e ndryshëm lidhur me konfliktin në Ukrainë. Ministri i Jashtëm gjerman foli për një "krizë me të vërtetë serioze për rendin e paqes në Evropë". Më parë në një takim me presidentin ukrainas Petro Poroshenko ai porositi të kihet kujdes nga një "konfrontim i madh ushtarak". Ministri i Jashtëm gjerman u bëri thirrje të gjitha palëve në konflikt për të respektuar marrëveshjen e armëpushimit të arritur në shtator në Minsk. Në të njëjtën kohë ai paralajmëroi: "Është koha, për të menduar përtej Ukrainës. Ne duhet t'i dalim ballë disa kërcënimeve të tjera në botë."

Steinmeier dhe Lavrov në Moskë, 18.11.2014
Steinmeier dhe Lavrov në Moskë, 18.11.2014Fotografi: picture alliance/AP Photo/I. Sekretarev

Shanse për procesin e Minskut

Rusia sipas fjalëve të Lavrovit është e gatshme të vazhdojë të ashtuquajturin proces i Minskut "pa parakushte". Në të njëjtën kohë ai fajësoi udhëheqjen në Kiev për shkelje të marrëveshjes. Në lidhje me marrëdhëniet gjermano-ruse ministri tha: "Me gjithë ndryshimet se si e vlerësojmë ne gjendjen në Ukrainë, është e rëndësishme, që dialogu ndërmjet nesh të mos ndërpritet." Lidhur me fjalimin e kancelares, e cila e kishte kritikuar ashpër Rusinë në fundjavë, ai nuk u shpreh.

Kryeministri i Ukrainës Arseni Jazenjuk i bëri thirrje Rusisë për bisedime direkte në një territor neutral. "Gjithçka varet nga presidenti rus dhe nga rrethi i tij", tha Jazenjuk, njofton agjensia e lajmeve Interfax. Moska e ka hedhur poshtë këtë: Udhëheqja ukrainase nuk duhet të bisedojë me Rusinë, por me kryengritësit në Ukrainën Lindore.

Ministri i jashtëm gjerman kërkoi me këmbëngulje nga Kievi, Moska dhe separatistët prorusë, që të respektojnë marrëveshjet për armëpushimin. Si shembull ai përmendi shkëmbimin reciprok të të burgosurve, kontrollin e kufijve dhe demilitarizimin. Gjithashtu synohet rigjallërimi i bisedimeve të një grupi kontakti nën ombrelën e organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Presidenti ukrainas Poroshenko i dorëzoi mysafirit të tij Steinmeier një dokument, në të cilin renditen shkeljet e armëpushimit nga ana e Rusisë. "Rusia nuk ka plotësuar asnjë kriter të marrëveshjeve", tha presidenti. Sekretari i Përgjithsëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi në Bruksel se udhëheqja në Moskë po armatos fort ushtrinë në kufirin me Ukrainën. "Ne flasim për trupa, ne flasim për armatim dhe ne flasim për artileri", tha ai. Shefi i NATO-s kërkoi tërheqjen e trupave ruse. Jo për herë të parë dhe ai nuk është i pari, që e bën këtë.