1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rusia duhet ta shuajë tani zjarrin"

Marco Müller/Auron Dodi19 Prill 2014

Në takimin për Ukrainën në Gjenevë u ra dakord për një plan paqeje. Këtë e përshëndet Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane të Bundestagut Gjerman. Por nuk mendon se është arritur suksesi i madh.

https://p.dw.com/p/1BkrW
Gunther Krichbaum CDU deputet
Fotografi: Deutscher Bundestag/Lichtblick/Achim Melde

Deutsche Welle: BE, SHBA, Rusia dhe Ukraina ranë dakord në Gjenevë për një plan paqeje për Ukrainën. Mund të flitet për suksesin e madh, të cilin e kanë pritur gjatë të gjitha palët?

Gunther Krichbaum: Dakordimi në Gjenevë është padyshim një sinjal inkurajues dhe prandaj ne si Komisioni për Çështje Evropiane e përshëndesim pa rezerva dakordimin. Megjithatë, suksesin e madh unë nuk arrij ta dalloj. Për sukses të madh unë do të flas kur marrëveshja të pasohet vërtet nga vepra.

Një mision vëzhgues i OSBE-së do të mbikqyrë zbatimin e marrëveshjes. A prisni probleme në zbatimin e saj?

Një rol vendimtar këtu luan qeveria ruse, zoti Putin. Çelësi për zgjidhjen e të gjithë konfliktit në të kaluarën ishte në Moskë e edhe tani ai ndodhet në Moskë. Prandaj: Rusia duhet ta shuajë zjarrin, që ka ndihmuar të ndizet në javët e fundit.

Një konferencë të përbashkët shtypi të ministrave të jashtëm nuk pati. Në vend të kësaj, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov u shkëput dhe lexoi i pari deklaratën e përbashkët. Kjo nuk është saktësisht shprehje e një vije të njësuar, të përbashkët. Ose si e shikoni këtë?

Javët e fundit është hedhur dëm shumë besim nga ana e Rusisë. Ne kemi rënë pas në modelet e Luftës së Ftohtë. Në vendet baltike, në Poloni, por edhe në Gjeorgji dhe në Republikën e Moldavisë ekziston një pasiguri e madhe. Këto dy vendet e fundit kanë të ashtuquajtura "konflikte të ngrira". Kjo do të thotë se qeveria qendrore nuk ka qasje në të gjitha pjesët e vendit. Kështu për shembull, në Republikën e Moldavisë ishin shumë nervozë. Këtu ne kemi të bëjmë me "konfliktin e ngrirë" të Transnistrisë. Dhe "presidenti" i atjeshëm, zoti Shevçuk, ka deklaruar ditët e fundit se do t'i pëlqente të bëhej pjesë e Federatës Ruse. Prandaj: mbetet thirrja drejtuar Moskës, që deklaratat të ndiqen nga vepra.

Pas shpalljes së planit të paqes, Lavrovi e akuzoi qeverinë e Kievit se angazhon trupa kundër popullit të saj dhe kërcënon të drejtat e minoritetit rusishtfolës. Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrej Deshçiza tha se me Rusinë ka mosmarrëveshje për shkaqet bazë të shpërthimit të konfliktit dhe të dyja palët kanë mendime të ndryshme përsa i përket paprekshmërisë territoriale të Ukrainës. Kjo të lë përshtypjen, sikur paqja e negociuar është tepër e brishtë.

Po, ajo është e brishtë. Dhe njëkohësisht ne mund të flasim për shansin e një paqeje. Ditët e fundit situata dukej fare ndryshe. Prandaj ne tani duhet ta mbështesim këtë marrëveshje. Edhe vetë në Ukrainë, kampet e ndryshme dhe natyrisht edhe rajonet duhet të bashkëpunojnë më mirë me njëri-tjetrin. Në rastin e Ukrainës ne nuk kemi të bëjmë me një ndarje më dysh. Në njërën anë popullata ukrainishtfolëse e Ukrainës, nga ana tjetër popullata rusishtfolëse. Ukraina përbëhet nga shumë rajone dhe është me më shumë shtresa, se sa e perceptojmë ne nganjëherë në Gjermani. Duhet menduar me të vertëtë sa përgjegjegjësi mund t'u jepet këtyre rajoneve - por pa e rrezikuar në substancë shtetin e Ukrainës.

Intervistën e zhvilloi Marco Müller.

Gunther Krichbaum është kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane të Bundestagut Gjerman dhe deputet i CDU/CSU prej vitit 2002 në Bundestagun Gjerman.