1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pasojat e vendimit të Gjykatës Evropiane

Jeanette Seiffert9 Prill 2014

Në Gjermani ka vite që diskutohet me forcë për direktivën e BE-së për ruajtjen në masë të të dhënave për lidhjet telefonike dhe ato të internetit.

https://p.dw.com/p/1BdxV
Fotografi: picture-alliance/dpa

Gjykata Evropiane e shpalli të pavlefshme direktivën e BE-së për ruajtjen në masë të të dhënave për lidhjet telefonike dhe ato të internetit të qytetarëve kur për këtë nuk ka arsye të veçanta. Sipas gjyqtarëve në Luksemburg kjo është një ndërhyrje serioze në të drejtat themelore për respektimin e jetës private dhe për mbrojtjen e të dhënave personale. Në të ardhmen regjistrimi dhe ruajtja e të dhënave të telekomunikacionit, kur nuk ka rast dyshimi nga ana e organeve të rendit, duhet të kufizohet në minimumin absolut theksuan gjyqtarët. Sipas direktivës së deritanishme, të miratuar në vitin 2006, ofruesit e shërbimeve të telekomunikacionit ishin të deryruar që t'i ruanin të dhënat e komunikimit të të gjithë qytetarëve deri në dy vjet për të ndihmuar hetuesit për zbardhjen e veprave të rënda penale.

Aktivistët për mbrojtjen e të dhënave personale e pritën me gëzim të madh këtë vendim, sepse edhe ata sikurse trupi gjykues e konsideronin ruajtjen e të dhënave të telekomunikacionit si ndërhyrje dhe shkelje të rëndë të privatësisë.

Demonstration gegen Vorratsdatenspeicherung
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjermani ka vite që diskutohet me forcë për direktivën e BE-së për ruajtjen në masë të dhënave për lidhjet telefonike dhe ato të internetit. Kritikuesit e konsiderojnë një gjë të tillë si mbikqyrje të përgjithshme të qytetarëve, kurse përkrahësit e shikojnë si masë të domosdoshme në kushtet e rritjes së krimit të organizuar dhe të kriminalitetit në internet.

Interpretim i ndryshëm i vendimit të Gjykatës Evropiane

Vendimi i Gjykatës së Luksemburgut do të sjellë me vete edhe diskutime të forta brenda koalicionit qeverisës në Gjermani. Gjermania është i vetmi vend i BE-së që nuk i ka të rregulluara me ligj afatet për ruajtjen e të dhënave nga lidhjet telefonike dhe ato të internetit. CDU/CSU kërkojnë që të merret vendim për një ligj që rregullon këto afate. Më parë në Gjermani afati i ruajtjes ishte 6 muaj, por ky ligj u hodh poshtë me një argumentim të ngjashëm si ai i Gjykatës së Luksemburgut nga Gjykata Kushtetuese Gjermane. Ministri i Drejtësisë Heiko Maas (SPD) ka thënë se do të presë vendimin e Luksemburgut dhe tani që ky vendim u mor, ai mendon se në këtë pikë nuk ka më nevojë për t'u nxituar.

Ministri i Drejtësisë Heiko Maas (SPD)
Ministri i Drejtësisë Heiko Maas (SPD)Fotografi: picture-alliance/dpa

Në këtë mënyrë pritet të ketë mosmarrëveshje në koalicion për çështjen nëse do të lejohet apo jo ruajtja në masë të dhënave për lidhjet telefonike dhe ato të internetit dhe nëse po se cili do të jetë afati për këtë.

Ende nuk është e qartë nëse BE-ja do të nxjerrë një direktivë të re për ruajtjen në masë të dhënave për lidhjet telefonike dhe ato të internetit. Komisarja e BE-së për Punët e Brendshme Cecilia Malmstrëm tha se Komisioni i BE-së do ta shqyrtojë mirë vendimin dhe pasojat prej tij.