1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrugëtimi i një mahnitjeje: Historia e filmit gjerman

19 Gusht 2011

Kinemaja u shpik në Francë nga vëllezërit Lumiere. Kështu të paktën thuhet në çdo histori serioze të filmit. Por edhe dy vëllezër gjermanë eksperimentonin asokohe me filmin.

https://p.dw.com/p/12KAk
Arkivi i Filmit në Berlin: Një ekzemplar i një shiriti filmik të pionerit gjerman të filmit Max Skladanowsky
Arkivi i Filmit në Berlin: Një ekzemplar i një shiriti filmik të pionerit gjerman të filmit Max SkladanowskyFotografi: dpa

Gjer më sot Max dhe Emil Skladanowsky mbahen për pionierë të filmit gjerman. Më 1 nëntor 1895 dy vëllezërit shfaqën në Wintergartenpalais (Pallatin e Kopshtit Dimëror) në Berlin filmat e parë të shkurtër me bioskopin e tyre, një aparat i thjeshtë për projektime filmash. Në repertor ishin një kangur duke bërë boks, fëmijë duke vallëzuar dhe një zhongler. Me pagesë sigurisht. Publiku ishte i mahnitur. 15 minuta zgjaste një shfaqje. Vëllezërit Skladanowsky dhe pionierët e tjerë të filmit siç ishte Oskar Messter dokumentonin kryesisht skena të së përditshmes: një alarm i zjarrfikëseve të Berlinit, hyrja e një treni në stacion, fragmente operash dhe operetash.

Projektor i filmit i vëllezërve Skladanowsky
Projektor i filmit i vëllezërve SkladanowskyFotografi: Stephen Barber

Me kalimin e kohës filmi u shndërrua nga zhanri dokumentar në atë fiksional. Filloi ndërtimi i kinemave. Prodhimi filmik pësoi bum, aq sa në vitin 1910 Perandoria Gjermane filloi të shqyrtonte mundësinë e një takse për produktet e dëfrimit: edhe monarkia donte të përfitonte nga "dega me perspektivë rritjeje".

"Drita në fund të tunelit"

"Der Student von Prag" (Studenti nga Praga) konsiderohet si filmi i parë me ambicie artistike. Drama për ekran rrëfen ngjitjen dhe rënien e një të riu, i cili dëshiron të bëjë pjesë në shoqërinë e "dhjetëmijë të parëve". Në këtë prodhim u vunë për herë të parë në përdorim procedura specifike kinematografike, si ndriçimi i dyfishtë dhe iluzioni optik. Ai shënoi kalimin nga filmi i frymëzuar nga teatri tek filmi si zhanër më vete kinematografik.

Në përgjithësi në epokën e Perandorisë Gjermane u zbuluan dhe u zhvilluan disa nga elementet kryesorë të filmit: totalet, plani i parë, udhëtimet e kamerave, efektet dhe truket e ndriçimit, sfumimet, ndërrimi i perspektivës dhe thellësia e pamjes.

Die Filmstudios Babelsberg Jubiläum 1927
Studio e parë e madhe filmike ishte Babelsberg, 1927Fotografi: picture alliance

Studioja e parë e madhe: Babelsberg

Rritja e interesimit të publikut ndikoi në numrin e shoqërive gjermane për prodhimin e filmave: Ndërsa në vitin 1913 ishin 28 të tilla, gjashtë vjet më vonë, u bënë 245. Teatrot e kinemave u bënë gjithnjë e më të mëdha, u përhapën në të gjithë vendin dhe tërhiqnin sidomos borgjezinë e mesme. Në vitin 1912 u hap në Babelsberg pranë Berlinit atelieja e parë e madhe për prodhimin e filmit. Këtu zë fill zhvillimi i mëtejshëm tekniko-estetik i kinematografisë: drita artificiale, loja fiksionale, kinemaja narrative, këtej e tutje do të ishin pjesë të përhershme të filmit gjerman.

Argëtim e jo propagandë

Gjatë Luftës së Parë Botërore u prodhuan kryesisht filma të rëndomtë me përmbajtje patriotike që kishin si synim t'i bënin thirrje popullit për durim. Por kur viktimat e luftës ishin me miliona sidomos për shkak të luftës së llogoreve në fushëbetejat e Flandrës, publiku i kinematografisë e humbi interesin për filma të tillë propagandistikë. Vendin e tyre e zunë temat e kohës së paqes. Aty bënin pjesë filma kriminalë e me detektive, filma për qytete të mëdha, apo ata që trajtonin raportin e marrëdhënieve mes njeriut dhe makinës. Ndër filmat më të njohur ishte "Der Golem", "Homunculus" dhe "Der Andere".

Asta Nielsen, një ndër yjet e para të kinemasë gjermane
Asta Nielsen, një ndër yjet e para të kinemasë gjermaneFotografi: dpa

Regjisorë teatri, shkrimtarë dhe aktorë të famshëm iu kthyen filmit, si për shembull Paul Wegener, Max Reinhardt, Frank Wedekind, Gerhart Hauptmann dhe Else Lasker-Schüler. Kësisoj lindën edhe yjet e para që mbrujtën kinemanë e hershme gjermane: Asta Nielsen dhe Henny Porten.

Konkurencë për Hollywoodin: UFA

Viti 1917 shënoi një datë të rëndësishme në historinë e filmit. Universum Film A.G., e njohur si UFA, u krijua në Luftën e Parë Botërore nga një konsorcium i drejtuar nga Deutsche Bank, me pjesëmarrjen e fshehtë të Perandorisë Gjermane. Filmi si medium për masat do të bënte propagandë lufte për Gjermaninë brenda dhe jashtë vendit: me filma artistikë, kronika javore dhe filma dokumentarë dhe kulturorë.

"Studenti nga Praga" - filmi i parë artistik, 1926
"Studenti nga Praga" - filmi i parë artistik, 1926Fotografi: picture-alliance/Mary Evans Picture Library

Por nuk zgjati shumë dhe mes Ushtrisë gjermane (Deutsche Reichwehr) dhe Deutsche Bank filluan konfliktet. Kjo e fundit ishte e interesuar për UFA-n për shkaqe biznesi e jo për qëllime ushtarake. Kështu ndodhi që koncerni filmik fillimisht nuk bëri as edhe një film propagandistik. Përkundrazi, UFA do të luante një rol shumë të madh në periudhën e Republikës së Weimar-it, e cila, për shkak të shpërthimit të saj të jashtëzakonshëm kulturor në histori njihet me emrin "të Njëzetat e Arta".

Autor: Michael Marek/Anila Shuka

Redaktoi: Lindita Arapi