1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rritet trysnia e ndërkombëtarëve ndaj Maqedonisë

Fatos Musliu29 Prill 2015

Institucionet shtetërore në Maqedoni nuk reagojnë ndaj kërkesave në rritje për përgjegjësi politike dhe dorëheqje për t'i hapur rrugën hetimeve lidhur me pretendimet nga "afera e përgjimeve" të publikuara nga opozita.

https://p.dw.com/p/1FHZc
Nikola Gruevski Premierminister Mazedoniens 19.06.2014
Fotografi: MIA

Kryeministri Nikolla Gruevski dhe zyrtarët e tjerë të lartë të kabinetit qeveritar, të gjitha këto pretendime i kanë quajtur “të montuara me ndihmën e shërbimeve të huaja sekrete me qëllimin e vetëm rrëzimin e qeverisë dhe destabilizimin e vendit“.

Pas publikimit të njëpasnjëshëm të aferave të përgjimit janë intensifikuar edhe prononcimet e diplomatëve perëndimorë, të cilët kërkojnë hetim të plotë të rasteve, madje ambasadorja gjermane në Shkup, Kristine Althauzer, tha se bazuar në praktikën ndërkombëtare për raste të tilla jepen edhe dorëheqje për t'i hapur rrugën zbardhjes së rastit. “Sipas standardeve politike perëndimore, pasojat politike janë të pashmangshme në raste të akuzave të përmasave të tilla. Që të jem e qartë, ashtu siç ishte edhe kolegu im amerikan javën e kaluar, pasojat politike përbëjnë, për shembull, dorëheqje si parakusht që të zbatohet një hetim i nevojshëm, transparent dhe i plotë.Vetëm përmes një procesi të besueshëm hetimor, do të mund të ruhet perspektiva euroatlantike e Maqedonisë”, ka deklaruar ambasadorja gjermane Kristine Althauzer.

Qeveria e “shurdhët” ndaj mesazheve të ndërkomëtarëve

Deklarata e ambasadores gjermane është vlerësuar si reale nga njohësit e çështjeve ndërkombëtare. Ata thonë se në situatën e krijuar hetimet nuk mund të bëhen nga pushteti aktual i cili apostrofohet si fajtori kryesor për gjithçka që ndodh në vend.

“Deklarata e ambasadores gjermane po hap rrugën që Maqedonia të futet drejt një procesi, fillimisht me një qeveri teknike e një konsensusi të gjerë dhe pastaj t'i hapet rruga një procesi gjyqësor dhe një zbardhjeje për të parë se çfarë përmbajnë përgjimet. Qëndrimi amerikan dhe ai gjerman është shumë i qartë se kjo qeveri nuk ka më mbështetje dhe e ka humbur legjitimitetin. Vlerësoj se faktori ndërkombëtar nuk do të lejojë që pushteti aktual përmes krizave të ndryshme të mbijetojë politikisht “, thotë Arsim Sinani nga Qendra për studime ndërkombëtare dhe hulumtime ballkanike.

Deklarata e prerë e ambasadores gjermane dëshmon angazhimin më serioz të bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e krizës politike, por paraqet njëkohësisht edhe planin e tyre për kapërcimin e krizës, thotë analisti Xhelal Neziri.
“Izolimi i kësaj qeveria sa vjen e shtohet, të gjitha qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes ia bëjnë me dije se dorëheqja është rruga e vetme e zgjidhjes së krizës, pra dorëheqja e qeverisë dhe prokurorit, mund hapë një mundësi dhe rrugë drejt zgjidhjes legale dhe institucionale të krizës me të cilën ballafaqohet Maqedonia”, vlerëson Neziri.
Për Bojan Mariçiq nga Qendra Maqedonase për edukim europian , mesazhet e Uashingtonit dhe Berlinit, gjithashtu sugjerojnë që qeveria të jetë më fleksibile në bisedimet që zhvillohen në Bruksel. “Këto porosi të bashkësisë ndërkombëtare i kuptoj si porosi ndaj qeverisë që të jetë më fleksibile gjatë bisedimeve, sepse është e qartë se nuk shkojnë mirë. Pasi këto mesazhe përbëjnë tërheqje të vërejtjes se përgjegjësia është e piketuar dhe e qartë dhe në këto bisedime qeveria ka shanse ta mbajë përgjegjësi me qëllim që ta shpëtojë shtetin nga skenarë më seriozë ose më të padëshirueshëm”, shprehet Bojan Mariçiq.
Opozita paralajmron protesta masive

Maqedonia në muajin maj pritet të tronditet nga një protestë masive gjithëpopullore kundër pushtetit të udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski, kështu paralajmëroi ditë më parë lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev. Sipas Zaevit protesta gjithëpopullore është metoda e vetme me të cilën mund të ndryshohet situata në Maqedoni, sidomos pas skandalit të përgjimeve që dëshmoi se në Maqedoni krimi, korrupsioni, kontrolli i mediave, gjykatave, administratës, është nën direktivë të plotë të kryeministrit Gruevski.
Analistja politike Lidija Dimova tha se është optimiste, që protestat e paralajmëruara në maj do të japin rezultat. “Protestat do të jenë gjithëpopullore, mirëpo nuk do të jenë të dhunshme. Nga masovivteti i qytetarëve, të cilët do të shprehin pakënaqësinë do të bindet pushteti dhe regjimi i Gruevskit se i ka ardhur fundi. Skandali i përgjimeve nuk mund të tolerohet, pasi ka rrënuar të gjitha institucionet e shtetit, gjykatat, prokurorinë dhe në përgjithësi sigurinë”, thotë Dimova.
Sipas profesorit universitar Mersel Bilalli garnitura në pushtet po tenton që t`i minojë marrëdhëniet stabile ndëretnike përmes incidenteve siç ishin në Goshincë dhe Malinë. Ai daljen nga kriza politike e sheh në protestat masive. “Po krijohen kushtet për një masë serioze kritike dhe për kundërshtim kolektiv. Diçka e re po lind në Maqedoni duke marrë parasysh këtu edhe protestat e studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme. Protestat masive duhet që të jenë vendimtare dhe të organizohen përderisa qeveria nuk bie”, thekson Bilalli.

Profesoresha e Institutit për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike Mirjana Najçevska thotë se kjo qeveri mund të ndryshohet vetëm me demonstrata masive si dhe me bllokimin e instituteve. “Kjo qeveri mund të largohet vetëm me mospranimin e gjerë të qytetarëve, me demonstrata masive, me bllokimin e institucioneve.”, vë në dukej Najçevska.

Në Maqedoni po qëndron një delegacion i nivelit të lartë të Komisionit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili po zhvillon të veçuara bisedohet për krizën politike në vend me përfaqësuesit më të lartë shtetrorë dhe përfaqësuesit e partive politike.