1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rregullat për luftën kibernetike

Spencer Kimball / E. Xhani4 Korrik 2014

NATO po lëviz drejt një strategjie më të fortë mbrojtjeje në rast luftërash kibernetike, në prag të samitit në Uells. Aleatët mund të mbështesin aplikimin e ligjit për konfliktet e armatosura në luftën kibernetike.

https://p.dw.com/p/1CVUU
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pasi kanë operuar për vite me radhë pa një kornizë të qartë ligjore, 28 shtetet anëtare të NATO-s po i afrohen zbatimit zyrtarisht të ligjit të konflikteve të armatosura në luftën kibernetike, një lëvizjë e cila do të ketë pasoja me rreze të gjatë veprimi në mënyrën se si zhvillohen operacionet ushtarake në epokën digjitale. "Aleatët do të jenë në një pozicion ku mund të shprehen pro aplikimit të ligjit ndërkombëtar në hapësirën kibernetike", tha për Deutsche Welle Christian Lifländer, një hartues politikash në Sektorin e Mbrojtjes Kibernetike në selinë e NATO-s, në kuadër të Global Media Forum të mërkurën në Bonn (02.07.2014). Ai iu përgjigj një pyetjeje për propozimet e Aleancës në samitin e saj të shtatorit në Uells. "NATO nuk mund të hartojë ligje, por aleatët mund të shprehin mbështetjen e tyre për ligjin ndërkombëtar", tha Lifländer, duke përmendur në mënyrë specifike ligjin për konfliktet e armatosura.

Aplikimi i ligjit për konfliktet e armatosura në rastin e luftës kibernetike mund t'u ofrojë ushtarakëve të vendeve anëtare më shumë qartësi për mënyrën e zhvillimit të operacioneve kibernetike, mendon Michael Schmidt, drejtor i Stockton Center për studime të ligjit ndërkombëtar në Naval War College të SHBA. "Eshtë një lëvizje shumë e rëndësishme dhe që duhej të ishte bërë prej kohësh", tha për DW Schmitt. "Nocioni i shkuarjes në luftë pa kuptuar ligjet që aplikohen në atë rast dhe si aplikohen ato në rastin e operacioneve kibernetike në një epokë kur operacionet kibernetike janë qendrore për konfliktet e armatosura, është për mua shumë shqetësues."

Rrezik i botës reale për civilët

Mbi bazën e ligjit për konfliktet e armatosura, shtetet mund të kryejnë operacione ushtarake vetëm kundër luftëtarëve dhe objektivave ushtarake. Ata e kanë të ndaluar të sulmojnë civilët apo pronën dhe infrastrukturën e civilëve si shtëpitë, spitalet dhe shkollat. Por ndërkohë që operacionet ushtarake zhvillohen edhe në hapësirën kibernetike shumë qeveri përreth globit nuk kanë adaptuar ende një politikë të qartë nëse duhet apo jo të aplikojnë të njëjtat rregulla për luftën kibernetike. Megjithëse një sulm kibernetik nuk shkatërron fizikisht një objektiv si në rastin e një bombe, ai mund të ketë pasoja katastrofike për jetën dhe pronën e civilëve. "Ekspertët thonë se është e mundur të zhvillohen operacione kibernetike që mund të shkaktojnë hapjen e digave dhe përmbytje apo të dëmtojnë impiante kimike apo nukleare nga mund të dalin në atmosferë lëndë, të cilat mund të ketë pasoja për jetën dhe shëndetin e mijëra vetëve", thotë për DW Laurent Gisel, këshilltar juridik në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Wachsende Gefahr von Hacker-Angriffen
Sulmet kibernetike mund të dëmtojnë edhe fizikisht qytetarë të pafajshëmFotografi: picture-alliance/dpa

Madje edhe një sulm më specifik që synon paralizimin e kapaciteteve ushtarake të një kundërshtari mund të shkaktojë dëme kolaterale. Nëse një palë në luftë përpiqet për shembull të nxjerrë jashtë funksioni sistemin e radarëve të armikut, ekziston rreziku që mund të dëmtohet edhe sistemi i kontrollit të trafikut ajror civil, duke shkaktuar kështu aksidente të mundshme avionësh. "Për fat të mirë nuk ka pasur pasoja të mëdha sa i takon shkatërrimeve për shkak të përdorimit të hapësirës kibernetike gjatë konflikteve të armatosura, por ne jemi të shqetësuar për rrezikun nëse një gjë e tillë mund të ndodhë", thotë Gisel.

Sipas nenit 36 të Protokollit të Parë Shtesë të Konventës së Gjenevës shtetet duhet të aplikojnë ligjin e konflikteve të armatosura në rastin e teknologjive të reja ushtarake ose mjeteve të kryerjes së luftës. Kjo do të thotë që ligji i konflikteve të armatosura të aplikohet edhe në rastin e luftës kibernetike, thotë Gisel.

Manuali Tallin si guidë

Vitin e kaluar NATO mbështeti kërkimet shkencore të një grupi prej 20 ekspertësh në çështjen nëse ligji për konfliktet e armatosura aplikohet apo jo në rastin e luftës kibernetike. Grupi hartoi një dokument të quajtur Manuali Tallin, i cili u publikua në prill 2013.

Bundeswehr Afghanistan Patrouille Archiv 2010
Prapa komjuterit apo në fushëbetejë - luftërat kanë rregullaFotografi: imago/EST&OST

Ekspertët jo vetën ishin të një mendjeje se ligji për konfliktet e armatosura aplikohet edhe për luftën kibernetike por thanë gjithashtu se aplikimi në këtë rast nuk kërkon një ndryshim të madh nga mënyra si ligji aplikohet në një fushë beteje tradicionale me plumba dhe bomba. Një sulm kibernetik që shkakton dëm fizik apo lëndime të civilëve, për shembull, do të ndalohej njësoj si një sulm ajror kundër një spitali apo shkolle.

Ekspertët gjithashtu shqyrtuan kufirin për rastin kur një sulm kibernetik cënon ndalimin e Kombeve të Bashkuara për ndalimin e forcës dhe kur një shteti i lejohet të përdorë forcën si përgjigje ndaj një sulmi kibernetik. Këto pyetje rezultuan më të komplikuara, thotë Michael Schmitt, i cili drejtoi punën e grupit të ekspertëve.

Ekspertët miratuan njëzëri që nëse një sulm kibernetik shkakton dëmtime ose lëndime të mëdha fizike, shteti që është sulmuar lehojet të përdorë forcën për vetëmbrojtje si parashihet në Kartën e OKB-së. Shteti i sulmuar mund të përgjigjet ose me një sulm të tijin kibernetik ose me operacione tradicionale ushtarake si sulme ajrore.

Disa ekspertë besojnë se një sulm kibernetik që shkakton dëme masive ekonomike, por jo dëme fizike mund të bëhet gjithashtu shkas për kundërpërgjigje nën të drejtën për vetëmbrojtje. Schmitt, i cili e mbështet këtë pozicion, thotë se ka shumë të ngjarë që NATO ta adaptojë këtë pikëpamje. "Do të shohim se sa të rënda janë operacionet dhe jo nëse shkaktojnë dëm apo lëndim fizik", thotë Schmitt.