1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rregulla të reja për Frontex-in

Intervistoi: Sabrina Pabst16 Prill 2014

Agjencia e BE për Mbrojtjen e Kufirit, Frontex nuk do të lejohet më t'i detyrojë anijet me migrantë të kthehen pas në det të hapur. Por shumë misione mbeten të diskutueshme, mendon ekspertja e migracionit, Petra Bendel.

https://p.dw.com/p/1BjEm
Petra Bendel
Fotografi: Jonas Banken

Deutsche Welle: Politika evropiane ndaj refugjatëve është shumë e debatueshme. Veçanërisht misione të Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes së Kufirit, Frontex kritikohen. Sipas kritikës, këto misione nuk i shpëtojnë refugjatë që ndodhen në rrezik në det si në rastin e Lampedusas. Si mund ta pengojnë këtë rregullat e reja të misioneve?

Petra Bendel: Synimi i kësaj urdhërese të re është sigurimi i kufijve të jashtëm të BE nga migrimi i parregullt dhe nga kriminaliteti ndërkufitar. Por synimi është edhe që të mbrohet jeta e njerëzve, në kërkim të mbrojtjes në BE, që ndodhen në rrezik në det. Pozitiv është shpallja e detyrimit nga Agjencia e Mbrojtjes së Kufirit Frontex, për të ndihmuar çdo njeri që ndodhet në rrezik në det. Këtu përcaktohet qartë se kur paraqitet rreziku në det dhe si duhet të koordinojnë veprimet me njëra-tjetrën shtetet anëtare. Veç kësaj, Frontex-it i ndalohet dërgimi i personave të shpëtuar ose të kapur në ato vende, në të cilat ata i kërcënon rrezik serioz për jetën.

Si mund ta realizojë këtë Frontex-i?

Njësitë e Frontexit duhet të sigurohen se shteti i tretë, në të cilin i dërgon këta persona, i respekton të drejtat e njeriut. Frontexi duhet të garantojë që të prekurit të informohen, se ku po i dërgojnë- dhe që ta kuptojnë këtë. Frontexi duhet t'u japë atyre edhe mundësinë ta kundërshtojnë dërgimin në një vend, nëse besojnë se atje i pret rrezik i shkeljes së të drejtave të refugjatit.

Organizatat e të drejtave të njeriut kritikojnë në radhë të parë aksionet e kthimit pas të refugjatëve nga Frontexi, por edhe nga mbrojtësit e kufirit të shteteve të veçanta të BE. Në këto aksione varkat jostabile në det të refugjatëve shpesh anohen dhe njerëzit mbyten. A do të marrin fund tani këto metoda?

Rregullat për misionet kanë parasysh vetëm operacionet, të cilat koordinohen nga Frontexi, por jo veprimet e shteteve të veçanta të BE. Këto shtete lejohen edhe në të ardhmen, edhe pas kompromisit midis vendeve të BE, Komisionit dhe Parlamentit që ta ndryshojnë kursin e një varke të kapur në ujërat territoriale të tyre dhe ta kthejnë atë në një shtet të tretë, nëse varka kapet brenda zonës së 12 miljeve të një shteti anëtar. Kjo natyrisht është shumë kritike.

Prof. Petra Bendel është shkencëtare e shkencave politike dhe drejtore akademike dhe e bordit të Institut Qendror për Kërkimet Rajonale të Universitetit-Friedrich-August në Erlangen.