1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët e varfër – një problem evropian

Verica Spasovska21 Shkurt 2013

Ardhja e shtuar e romëve nga Evropa Juglindore ka krijuar shqetësime sociale në disa qytete gjermane. Integrimi i romëve nuk mund t`i lihet vetëm vendeve të origjinës, sepse është detyrë e gjithë BE-së.

https://p.dw.com/p/17iUE

Integrimi i romëve është parë prej kohësh në Evropën Perëndimore si një problem, përgjegjësinë kryesore të të cilit e mbajnë vendet evropiano-jugore prej nga vijnë ata. Prandaj apelet politike për programe konkrete ndihme dhe deklarimin e objektivave për përmirësimin e gjendjes sociale të romëve, nuk kanë munguar. Në vitin 2005 tetë vende të Evropës së mesme dhe juglindore nënshkruan me "Dekadën e përfshirjes së romëve" një program aksioni, që me ndihmën e mjeteve financiare të Bankës Botërore do të përmirësonte në vende të ndryshme kushtet e jetës së këtij grupi popullsie, në mënyrë që romët të mos largohen për të shkuar në vendet e pasura të Evropës.

Kjo shpresë nuk u përmbush, përkundrazi. Kriza financiare ka ashpërsuar dallimet në mirëqënie në Evropë. Evropa Juglindore rënkon nga pasojat e krizës së euros. Në shoqëritë e transformacionit në Rumani dhe Bullgari vazhdojnë të ekzistojnë hendeqe të mëdha sociale edhe njëzet vjet pas rënies së komunizmit. Ndryshimet midis të varfërve dhe të pasurve janë sot më të mëdha se kurrë më parë. Grupe sociale në skajet e shoqërisë si për shembull romët preken nga këto probleme sociale, duke qenë të konfrontuar po ashtu me shtimin e racizmit të radikalëve të djathtë, të gatshëm për të ushtruar dhunë.

Prandaj nuk është çudi që dikush të shfrytëzojë mundësinë, që të përmirësojë situatën e jetës dhe të shkojë në Gjermani dhe në vende të tjera evropiano-perëndimore. Edhe këtu, toleranca nuk është e madhe, por të kemi parasysh prishtet e grumbullimeve të romëve nga qeveria e Sarkozisë.

Deutsche Welle MSOE Verica Spasovska
Verica Spasovska, Drejtoria Multumedia- RajonetFotografi: DW/P. Henriksen

Me ardhjen e romëve, në Gjermani ka ardhur e gjithë forca sociale shpërthyese, që romët krijojnë me mënyrën e tyre të jetesës në vendet e origjinës. Qytete gjermane se Dortmundi, Manhajmi dhe Berlini ndihen para detyrash të vështira, për t'u zgjidhur, sepse rrymat e romëve nga Bullgaria dhe Rumania rrezikojnë me kosto të larta sistemet sociale dhe paqen në komuna. Migracioni i shkaktuar prej varfërisë e pakicës më të madhe etnike në zonën e BE-së, me 10 deri 12 milionë, është bërë tani edhe temë gjermane.

Edhe nëse ekzistojnë vështirësi, që kjo temë të klasifikohet me emrin e duhur. Gjatë periudhës së nacionalsocializmit Gjermania ka qenë fajtore për vrasjen masive të sintëve dhe romëve. Kush kritikon sot gjendjen e vështirë dhe flet për probleme, që shkaktohen nga sjelljet e romëve, ka frikë se mund të bëjë ndonjë sjellje jokorrekte politike. Por, nuk sjell shumë t`i vish vërdallë çështjes, sepse vetëm një analizë e qartë mund të ndihmojë për gjetjen e zgjidhjeve.

Që prej pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë në BE, në vitin 2007, numri i romëve në Gjermani është dyfishuar. Ndryshe nga mijëra rumunë dhe bullgarë të shkolluar, që largohen nga vendet e tyre për të punuar në Evropë, shumë romë krijojnë me mënyrën e tyre të jetesës dhe varfërinë e madhe probleme në komuna. Shumë prej tyre jetojnë në imobilje të shkatërruara, në kushte të rënda higjenike, pa sigurim shëndetësor, në kufi të së lejueshmes. Meqenëse nuk kanë të drejtë të punojnë, shumë prej tyre regjistrojnë firma fallso në mënyrë që të marrin ndihmë sociale. Kjo ngjall reaksione, që kërkojnë mbrojtje nga pjesa më e madhe e shoqërisë dhe prish paqen sociale. Këtu harrohet që edhe në Gjermani jetojnë shumë romë, që janë integruar shumë mirë dhe jetojnë pa rënë në sy në mes të pjesës tjetër të shoqërisë.

Shumë qytete gjermane ndihen të ngarkuar me migrantët, që vijnë për shkak të varfërisë. Ato presin të marrin ndihma financiare nga Federata dhe nga fondi social evropian. Me ankth pritet 1 janari 2014, kur tregu evropian i punës të hapet krejtësisht për rumunët dhe bullgarët.

Të kufizosh këtë liri të plotë, siç kërkojnë disa, duke diskriminuar një grup etnik, është në kundërshtim me parimet elementare evropiane. Dhe shpresa që vendet e Evropës Juglindore të përmirësojnë shpejt kushtet e jetesës së romëve, nuk do të përmbushet. Ajo që do të pranohet është se integrimi i kësaj pakice është një detyrë mbarevropiane. Synimi i të cilës duhet të jetë luftimi i varfërisë së romëve dhe përmirësimi i kushteve të arsimit, pavarësisht se ku jetojnë ata.