1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Romët dhe arsimimi - çështje parash?

Yordanka Yordanova/Angjelina Verbica28 Shtator 2013

Në Evropë ka gjithnjë e më shumë projekte për integrimin e romëve. Megjithatë shumica e romëve mbeten të varfër dhe kanë pak akses në arsim. Si mund të ndryshohet kjo?

https://p.dw.com/p/19q0S
Fotografi: DW/ E. Musli

"Një herë ushqimi e pastaj morali": Me këtë citat nga Bertolt Brecht përpiqet të shpjegojë Joachim Brenner problemin e arsimimit të romëve. "Ne nuk mund të flasim për arsimim, nëse nuk marrim parasysh se kemi të bëjmë me njerëz, që janë pa të ardhura", thotë drejtori menaxhues i shoqatës Roma eV në Frankfurt mbi Main. Para se të shtrosh kërkesa për aftësitë pedagogjike të prindërve nga minoriteti rom, së pari duhet të pyesësh: Si mund të arrihet strehimi i arsyeshëm dhe kujdesi shëndetësor i tyre?

Problemet e romëve në sistemin arsimor dhe në shoqëri ishin shqetësimi kryesor i Konferencës Ndërkombëtare për sistemin e arsimimit të romëve në (dhe nga) Evropa Juglindore, që u mbajt këto ditë në Deutsche Welle në Bon. Ekspertë nga disa vende evropiane patën kështu mundësinë për të këmbyer idetë dhe për të folur për përvojat e tyre. Aktiviteti dyditor u organizua nga Shoqata e Evropës Juglindore në bashkëpunim me Deutsche Welle.

Projekt model në Bullgari

Integrimi i romëve është në fokus të politikës evropiane, por mungojnë rezultatet e qëndrueshme. Për Ilona Tomova nga Bullgaria për këtë ka një shpjegim logjik: "Programet e integrimit pranohen me shumë vështirësi në shoqërinë bullgare, për shkak se shumë njerëz të tjerë, jo vetëm romë, nuk kanë akses në tregun e punës. Veçanërisht të rinjtë dhe të moshuarit e kanë shumë të vështirë të gjejnë punë. Prandaj shumica e shoqërisë do ta perceptonte si një privilegj të padrejtë gjithçka, që bëhet vetëm për romët, "çdo gjë që aplikohet nga Evropa Perëndimore, me qëllim që romët të qëndrojnë në Bullgari."

Megjithatë një projekt model për integrimin e fëmijëve romë vjen pikërisht nga Bullgaria. Prej 13 vjetësh organizata joqeveritare DROM punon në qytetin bullgar Vidin në një projekt, nga i cili më shumë se 3.000 fëmijë romë kanë shkuar në shkollat e integruara. Rreth 50 prej tyre kanë arritur tashmë të hyjnë në universitet. Më shumë se 500 mësues janë trajnuar për të punuar me fëmijët romë. Por që organizata të mund të vazhdojë të punojë në këtë projekt, ka nevojë për mbështetje financiare dhe avokim të fortë në institucionet shtetërore.

Sistemi arsimor si pengesë

Shumë nga projektet e integrimit mbështeten nga Roma Education Fund (REF), organizata e vetme në mbarë rajonin, që punon për të promovuar edukimin e romëve, në të cilën romët kanë marrë vetë përgjegjësinë. Momentalisht REF mbështet 337 projekte në 14 vende.

Nedjo Osman kujdeset për fëmijët romë në Köln
Nedjo Osman kujdeset për fëmijët romë në KölnFotografi: DW

Anëtari i kryesisë Nadir Rexhepi ndjek proceset e integrimit në Evropën Juglindore: "Ne nuk kemi arritur të sigurojmë një mbështetje të përhershme. Donatorët po tërhiqen nga rajoni. Shteti dhe autoritetet nuk janë të motivuar sa duhet, ose nuk janë të interesuar për të mbështetur edukimin e romëve", kritikon ai. Shkollat dhe OJQ-të janë fokusuar në problemet afatshkurtra, në vend që të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme.

Gjermania e preferuar

Situata e vështirë në vendet e tyre detyron shumë romë dhe sinti të emigrojnë. Gjermania është një nga destinacionet më të pëlqyera. "Kur fëmijët dhe të rinjtë romë, që kanë ardhur në Gjermani si refugjatë, flasin në lidhje me arsimin apo integrimin, ata tregojnë përvojën e tyre në vendet prej nga vijnë. Dhe në shumicën e rasteve është fjala për përvoja përjashtimi dhe diskriminimi. Ata e dinë së çfarë është frika", thotë gazetari dhe regjizori i teatrit, Nexho Osman. Ai punon si ndërmjetës për romët në një shkollë në Këln, ku kujdeset për fëmijët romë.

"Në Gjermani për romët është më e lehtë se për shembull në Bullgari, apo Rumani", thotë Daniel Strauss, kryetar i shoqatës për sintit dhe romët në landin gjerman Baden-Württemberg. "Nëse ne diskriminohemi këtu, ne kemi një shtet ligjor. Ne mund të mbrohemi. Ka edhe një siguri sociale, nëse pësojmë disfatë ekonomikisht. Kjo nuk ekziston në vende të tjera."

Strauß: "Në Gjermani romët e kanë më të lehtë se në Rumani apo në Bullgari."
Strauß: "Në Gjermani romët e kanë më të lehtë se në Rumani, apo në Bullgari."Fotografi: privat

Meqenëse shumë romë nga Evropa Juglindore vijnë në perëndim, disa komuna gjermane sot mendojnë më shumë për integrimin e tyre. Në Duisburg për shembull qendra komunale e integrimit ka ngritur kurse mirëseardhjeje në shkolla dhe kopshte. Ata shërbejnë për të udhëzuar fëmijët e imigrantëve romë në lidhje me arsimin dhe jetën në Duisburg. Përveç kësaj tani në Duisburg ka disa konsulentë ndërkulturorë, të cilët flasin rumanisht, bullgarisht dhe gjuhën rome, romanes.