1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Jahn: „Bëhet fjalë për besimin tek institucionet e shtetit“

Lindita Arapi3 Shkurt 2015

Ndizet debati për hapjen e dosjeve në Shqipëri. Në shkurt një projektligj i qeverisë pritet të diskutohet në parlament. Mbi problematikën e dosjeve shprehet drejtuesi i autoritetit të dosjeve në Gjermani, Roland Jahn.

https://p.dw.com/p/1EUsn
Bundesbeauftragter für Stasi-Unterlagen, Roland Jahn
Fotografi: picture-alliance/dpa

DW: Në Shqipëri diskutohet tani hapja e dosjeve, pas 25 vjetësh, më në fund- një projektligj i mazhorancës qeverisëse parasheh parimisht hapjen e tyre, me këtë ligj duhet të rregullohet edhe lustracioni. Por sipas raportimeve në mediave, sërish ky ligj u ndryshua. Me këtë ndryshim përjashtohen nga lustracioni disa persona që sot mbajnë poste të rëndësishme, gjë që ka shkaktuar reagime. Sie mendoni ju?

Roland Jahn: Hapja e dosjeve të Stasit, pra e policisë sekrete të Stasi-t ishte diҫka e vendosur që në fillim të tetorit të viti 1990, kur u bashkuan të dy Gjermanitë. Pra ka qenë kërkesa kryesore e revolucionit paqësor të vitit 1989, që u zbatua. Bërja transparente e përfshirjes në aparatin represiv të RDGJ-së ka qenë shumë e rëndësishme për startimin në demokracinë e përbashkët. Bëhej dhe bëhet fjalë për besimin në institucionet e shtetit, dhe ky besim mund të krijohet vetëm përmes transparencës së të shkuarës të personave në funksione. Ky nuk është një proces i lehtë, por në Gjermani ne ia kemi dalë ta bëjmë këtë në mënyrë të zgjeruar. Ka ndodhur që hapja e dosjeve të sillte me vete pasoja të mëdha, ka pasur politikanë apo funksionarë të shtetit që i kanë humbur postet e tyre. Por shpesh edhe nuk ka ndodhur gjë. Por diskutimi për mënyrën se si jemi sjellë në atë kohë ka qenë shumë i rëndësishëm për opinionin publik dhe besimin tek institucionet.

DW: Nga ana e qeverisë thuhet se Shqipëria ka marrë si model ligjin gjerman. A keni ndonjë informacion për këtë. Cilin mbron, ose a ruan persona të caktuar nga verifikimi ligji gjerman?

Roland Jahn: Për përpjekjet e Shqipërisë ne jemi informuar pak në mënyrë zyrtare. Por nëse ka nevojë ne jemi me dëshirë të gatshëm për ndihmë. Ligji gjerman i dosjeve, në thelb të tij, rregullon aksesin tek dosjet, ky nuk është një ligj ndëshkues. Ai mundëson po ashtu edhe verifikimin e figurës së personave në shërbimin publik në shumë nivele. Ndërkohë, tani 24 vjet më pas rrethi i personave që verifikohen është i vogël. Por ligji nuk i bën ndonjë mbrojtje të posaҫme dikujt nga ky verifikim. Edhe njëherë: Bëhet fjalë për besimin tek institucionet e shtetit dhe kjo mund të arrihet vetëm përmes një procedimi transparent me të shkuarën.

DW: Ka zëra në Shqipëri që thonë se dosjet janë të shkatërruara, as nuk ia vlen të hapen më. A nuk është shokues ky lloj kapaku që i vihet së shkuarës po të kujtojmë që Shqipëria konsiderohet diktatura e fundit staliniste e Europës?

Roland Jahn: Mënyrën se si vepron me të shkuarën e vet ҫdo vend e vendos më vete. Këtu nuk ka një lloj recete që mund të ofrohet nga jashtë. Por disa përvoja bazë sigurisht janë të vlefshme kudo. E shkuara nuk shkon asnjëherë, sidomos atëherë, kur ka përpjekje për ta injoruar atë. I takon shoqërisë të tregojë respekt ndaj atyre që vuajtën aq shumë në kohën e diktaturës, atyre, jetët e të cilëve u devijuan nga shinat normale të jetës, ata që ndoshta u futën në burg, apo përjetuan edhe më keq se kaq. Për përballimin me të shkuarën në Gjermani ka një opinion të mirëpranuar që një shoqëri mëson nga gabimet e së shkuarës për të sotmen, dhe se nuk duhet lënë të humbasë një shans i tillë.

DW: Hapja e dosjeve është një temë mjaft e komplikuar, e me këtë lidhen frikëra të ndryshme. Denigrimi i mundshëm i personave që nën presionin e organeve të sigurisë psh. bashkëpunuan me to, apo denigrime të tjera publike. Por hapja e dosjve nuk do të thotë denigrim, por zbardhje fatesh. Si e ndan ligji gjerman këtë momen dhe si e mbron individin?

Roland Jahn: Ligji gjerman i dosjeve balancon dëshirën për transparencë ndaj organeve të shtetit me mbrojtjen e sferës private të personave të prekur. Ata që janë të prekur kanë të drejtë të shohin dosjet që janë mbajtur për ta. Studiuesit dhe gazetarët kanë të drejtë të shikojnë dokumente të ndryshme, por qe se puna e tyre është një kontribut për përballimin me kohën e diktaturës në RDGJ. Në kopjet e dokumenteve që nxirren nga arkivi nxihen emrat e personave të prekur apo të tretëve, por lihen të panxirë emrat e personave veprues të Stasit. Ndërkohë organe apo autoritete të caktuara që duan të verifikojnë figurën e nëpunësve të tyre marrin prej nesh vërtetime, nëse janë të dokumentuar në dosje nëpunësit në fjalë. Vetëm nëse është i dokumentuar një bashkëpunim në dosje, atëherë organit përkatës i jepet informacioni. Se si vepron ai me këtë informacion kjo është një kompetencë e vetë organit punëdhënës. Sigurisht është një përvojë mësimi për të gjithë shoqërinë, mënyra e mbledhjes në mënyrë të përgjegjshme të informacionit nga dosjet.

DW: Një frikë tjetër që ekziston në Shqipëri është edhe hapja selektive e dosjeve për të hequr qafe kundërshtarët politikë. Si mund të ҫaktivizohej një mundësi e tillë që në krye të herës?

Roland Jahn: Në Gjermani Autoriteti i Tajtimit të Dosjeve të Stasit (BStU) është nën kontrollin e drejtpërdrejtë të parlamentit, për të penguar një përdorim të mundshëm politik të dosjeve. Jo qeveria, por i gjithë parlamenti e ka miratuar ligjin e dosjeve dhe ka zgjedhur drejtuesin e këtij institucioni. Drejtuesi është i lirë në ushtrimin e detyrës së tij, për sa kohë që ai respekton rregullat që lidhen me ligjin e dosjeve. Për këtë arsye edhe zgjedhja e personit ka pasur rëndësi. Secili nga të tre drejtuesit e autoritetit deri më tani ka një biografi lindore, pra vjen nga ish-RDGJ, që nënkupton edhe qëndrimin kritik ndaj diktaturës së atëhershme. Drejtuesi aktual ka qenë vetë një i burgosur politik i Stasit. Ky konstrukt ka mundësuar një përdorim të drejtë të dosjeve për të zbardhur të shkuarën dhe për të penguar manipulimin e dosjeve për lojërat politike të pushtetit.