1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rexhep Ismajli: Gjuhësia shqiptare duhet të mendojë bashkërisht

Pandeli Pani6 Maj 2013

Edhe pse nuk është shteti ai që duhet të bëjë normën, shteti është ai që duhet të mbështesë ekspertët që ta bëjnë atë, thotë akademik Rexhep Ismajli.

https://p.dw.com/p/18SZo
Fotografi: DW/P. Pani

"Shqipja pas vitesh të tëra përpjekjesh, mundimesh, luftrash ndodhet sërish përpara një udhëkryqi te ri. Zhvillimet pas ndryshimeve të thella qoftë në Shqipëri, Kosovë, apo viset e tjera ku flitet shqipja e vënë edhe gjuhësinë shqiptare para detyrash të reja, sepse situata e përdorimit të shqipes në funksione publike sot është shumë e ndryshme në raport me ç'ka qenë më herët. Tani e gjithë hapësira shqipfolëse, jo vetëm brenda Ballkanit, por edhe në të gjithë botën, komunikon lirshëm dhe veprimtaritë që lidhen me gjuhën janë rritur shumë, p.sh. përkthimet, shkrimet dhe botimet. "Kjo gjë vetvetiu edhe gjuhësinë shqiptare, dhe me këtë mendoj jo vetëm gjuhësinë në Shqipëri, e cila ishte pak a shumë e rrethuar brenda kuadrit të imponuar dikur, edhe si mendje shpesh me kufizime, e kanë vënë tani në një situatë që të jetë një gjuhësi e hapur që të mendojë për të gjitha problemet." - thekson gjuhëtari prof. Rexhep Ismajli, anëtar i i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Gjuhësia shqiptare duhet të mendojë bashkërisht

Situata e re e përdorimit publik të shqipes, tregu i librit, tregu i mediave, tregu i gazetave, informatat, sjellin me vete sipas akademikut Rexhep Ismajli "detyrimin që të bashkëveprojmë. Të gjithë po synojmë drejt Evropës - ka kooperim, si mund të bashkëjetojmë ne pa kooperim. Domethënë të gjitha këto na çojnë drejt kristalizimit të një mjeti të përbashkët dhe të vetëm, por në një nivel shumë më të lartë, më të rritur. Tani gjuhësia shqiptare ka për detyrë që të mendojë bashkarisht, njësoj për të gjitha hapësirat ku flitet shqipja dhe të gjejë zgjidhje, ku dhe kur ka nevojë për zgjidhje, për të gjithë njësoj. Ky është problemi kryesor që na shtrohet tash."

Tipari kryesor i shqipes: rritja

Dalja e shoqërive shqiptare nga kornizat e ngushta ku jetonin ka bërë që në shqipe të vërshojë një mori fjalësh të reja. "Shqipja është një nga gjuhët që si gjuhë standarde po vjen vazhdimisht duke u rritur. Tipari kryesor i shqipes është rritja dhe kjo rritje edhe po e formëson gjuhën. Ne për ditë po mësojmë fjalë të reja, për ditë dëgjojmë shprehje të reja, mënyra të reja formimi, dhe këto duhet ta gjejnë vendin në gjuhë."

Por njëkëhësisht me rrritjen është e domosdoshme edhe veprimtaria normuese dhe gjuhësia shqiptare përballet me vështirësi të jashtëzakonshme për shkak të moskujdesit shoqëror, moskujdesit të instancave institucionale dhe shtetërore, të mosmbështetjes financiare etj. dhe ka vështirësi t'i zgjidhë këto probleme.

Akute puna me terminologjinë

Veprimtaria normuese ngrëthen një sërë aspektesh, kryesore dhe urgjente në kushtet e sotme mendon prof. Rexhep Ismajli është puna normuese me terminologjinë. "Kur flasim për normën nuk është çështja vetëm tek drejtshkrimi, ai është një problem i vogël. Ne kemi për ditë e më shumë si në Shqipëri, si në Kosovë e Maqedoni, si në Preshevë e në Mal të Zi si në diasporë, kudo pra kemi për ditë mori fjalësh të reja për të cilat kemi nevojë të kemi një fjalë në gjuhën shqipe. Shumë herë marrim pa kriter fjalë të huaja që i përshtasim në forma të ndryshme, në Shqipëri p.sh. ka fjalë nga anglishtja që përshtaten sipas italishtes, në Kosovë të tilla fjalë përshtaten sipas serbishtes ose gjermanishtes, ose një përvoje tjetër, pra secili ka një përvojë tjetër dhe pastaj gjendemi ngushtë. Ne duhet të merremi bashkarisht me këto fjalë, sepse ato hyjnë me rrugë të ndryshme, në anë të ndryshme dhe me ndryshime që duhet t'i rrafshojmë, t'i sjellim në një pikë dhe në të gjitha anët njësoj."

"Po të marrësh p.sh. dy mekanikë, dy dentistë apo dy violinistë një nga Tirana dhe një nga Prishtina dhe t'i ulësh të bisedojnë saktësisht pa referenca të tjera për çështje profesionale, do shohësh se sa vështirë është të merren vesh." - thekson prof. Ismajli. "Ne nuk po bëjmë asgjë në këtë drejtim. Importojmë ilaçe për ditë dhe asnjë prej ministrive, as në Tiranë dhe as në Prishtinë s'ka një ekip i cili do të merret me emërtimin e këtyre ilaçeve dhe shpjegimin e ilaçeve që njerëzit t'i kuptojnë shqip. Nuk ka asnjë nga qeveritë instanca të terminologjisë."

"Unë i kam hulumtuar mirë proceset dhe në Gjermani edhe në Francë, që kanë gjuhë që fliten në disa shtete bashkë me problemet përkatëse. Këtu organizimi është shumë i lartë. Problemet e terminologjisë, problemet e fjalëve që po na hyjnë, janë shumë më të rëndësishme. Ne jemi shoqëri që nuk prodhojmë teknologji, nuk prodhojmë procese të reja, por i marrim nga të tjerët dhe detyrimisht marrim edhe fjalë të huaja dhe me to duhet të merremi sepse atyre u ikën koha."

As Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë ligj për gjuhën

"Franca me pesë shekuj traditë kultivimi të gjuhës ka ekipin e madh për gjuhën, në krye të të cilit formalisht është kryeministri për t'i dhënë peshën dhe pastaj janë gjuhëtarët. Në secilin sektor dhe ministri ka grupe që merren me terminologjinë, bëjnë propozime dhe pastaj ia japin akademisë dhe akademia i miraton ose jo. Dhe ato që miratohen, shpallen në gazetën zyrtare. Ne nuk kemi një strukturë të tillë, e madje as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë fare ligj për gjuhën. Nuk është e domosdoshme të ketë ligj, se ligji nuk thotë gjë dhe as është kjo çështja kryesore, kryesore është që nuk ka kujdes, nuk ndjehet nevoja për këtë lloj kujdesi dhe për mbështetje."

Edhe pse nuk është shteti ai që duhet të bëjë normën, "shteti është ai që duhet të mbështesë ekspertët që ta bëjnë atë. Institutet që merren me gjuhësi, janë vetëm sa për të mbijetuar. U jepen do rroga të vogla sa të mos bëjnë telashe, nuk u jepen fonde që njerëzit të mund të merren me projekte të mëdha hulumtimi, që të mbështeten të rinjtë që të shkojnë në këto institute të studiojnë dhe të sjellin energji. Ne kemi propozuar dy-tri herë edhe publikisht që të krijohen mekanizma të tillë, por me sa duket kanë tash për tash përparësi të tjera."

Nuk ka mundësi të kemi një normë të ndarë veç e veç

Shembulli i vështirësive në komunikim mes dy mekanikëve apo dy dentistëve nga treva të ndryshme ku flitet shqipja, tregon jo vetëm nevojën e normimit të terminologjisë, por dhe faktin e zhvillimeve të ndryshme në shqipe që lidhen pikërisht me përdorimin e saj në treva të ndryshme. A nuk do të kishte nevojë norma në kohën e sotme edhe për një farë tolerance dhe nëse po deri ku mund të shkonte ajo?

"Toleranca është një cilësi e qytetërimit dhe nuk mund ta përjashtojmë. Tolerancën duhet ta kemi për çdo gjë. Tani sa i përket normës, norma e gjuhës shqipe nuk është ndonjë normë e ndërtuar shumë deri në detaje. Ajo nuk na pengon që të kemi një ngërthim më të madh të të gjitha varieteteve. Sigurisht që në gjuhë nuk mund të ndalohet asgjë. Por ne duhet të kemi të ndërtuar një normë, qoftë edhe të atyre elementeve që janë të një natyre të një regjistri të posaçëm, të rrethit të posaçëm, të regjonit të posaçëm, të shtresës së posaçme. Sepse kur një shkrimtar apo gazetar shkruan, duhet të dijë si ta shkruajnë atë që shkruan. Pra një normë duhet ta kemi, dhe atë nuk ka mundësi ta kemi të ndarë veç e veç, secili ta bëjë si të dojë. Por duhet të merremi vesh, p.sh. në rast se në Maqedoni ka nevojë për një fjalë që s'e ka realiteti në Kosovë apo në Shqipëri, ne duhet të merremi vesh të gjithë bashkë që asaj fjale edhe asaj në Maqedoni edhe në Kosovë apo Shqipëri, të gjithë t'i thonë njësoj, jo trillojesh. Kjo është cilësia që duhet të synojmë në normim." mendon prof. Rexhep Ismajli.

"Toleranca për sjelljet (prurjet) e reja është e domosdoshme, sepse komunikimi ynë është në rritje e sipër. Ne nuk mund ta ndalojmë rritjen që të respektojmë një normë. Rritja, jeta sjell vetë elementet e veta dhe Kongresi i Drejtshkrimit e thoshte qartë, gjuha zhvillohet, po zhvillohet dhe do të zhvillohet. Prandaj edhe në të ardhmen do të ketë diskutime, do të ketë vazhdimisht vendimmarrje. Edhe në gjuhë të mëdha si gjermanishtja, ka probleme të tilla gjithnjë, pra kjo nuk duhet të na frikësojë." - mendon prof. Rexhep Ismajli.

Korpusi i shqipes domosdoshmëri

Një bazë e rëndësishme për analiza dhe studime të ndryshme gjuhësore dhe për të marrë vendime në lidhje me gjuhën, kur është fjala për të parë normën e përdorimit dhe për të vendosur mbi bazën e saj për kodifikimin, është korpusi i një gjuhe. Ne në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK) ka një projekt për të bërë korpusin nacional të gjuhës shqipe në kuadër të Qendrës Leksikografike dhe Enciklopedike të Kosovës. Por ky projekt ende nuk ka marrë formë të plotë të institucionalizimit dhe vendosjes për zbatim.

"Jemi në fazën e ngritjes së ekipit dhe të grupeve të punës dhe të plotësimit të teknologjisë. Ne kemi vendosur kontakte me grupe të ngjashme pune në Kroaci, Bullgari, Slloveni, Hungari si dhe me studiues arbëreshë që kanë përvojë shumë të mirë në këtë fushë. Kemi nisur me skanimin e materialeve, p.sh. të revistave të ndryshme, si "Përparimi" dhe "Jeta e Re". Nuk është pune e lehtë, sepse na duhet të bëjmë njëkëhësisht dy pune, edhe ta ndërtojmë institucionin edhe të zhvillojmë projektin dhe për asnjërën nuk jemi të përgatitur tamam. Por koha nuk pret ne duhet të vazhdojmë, sepse korpusin nacional të gjuhës nuk mund të na e bëjnë dikush tjetër. Korpuset e tyre nacionale i kanë të gjitha gjuhët e Evropës, edhe më të voglat. Majde edhe vende që kanë një shkallë zhvillimi si shoqëria jonë, madje edhe më pak, të gjithë e kanë vetëm ne s'e kemi."

Vazhdimisht flasim me përshtypje

Korpusi është domosdoshmëri për shqipen "për shkak se edhe për zhvillimin, edhe për standardin, edhe për proceset e kodifikimit ne kemi nevojë që të kemi hulumtim shterrues. Vazhdimisht flasim me përshtypje, përshtypjet mund të jenë të sakta, të pasakta, të mira apo të pamira, por janë përshtypje! Ne duhet të kemi rezultate të një hulumtimi të saktë dhe ky hulumtim nuk mund të bëhet pa pasur në dispizicion mjete të tilla. Teknologjia moderne e ka bërë këtë gjë të mundshme dhe në shoqërinë shqiptare, në Shqipëri apo Kosovë, gjithandej kemi 20 vjet që e kemi këtë teknologji, vetëm është punë organizimi dhe financimi."

Jo detyrim, por propozime

Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, të cilin e kanë themeluar dy akademitë e shkencave me kërkesën dhe nismën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka për detyrë që të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjmë me shqipen standarde me synim për të përmirësuar kulturën e shprehjes dhe në rast se ka nevojë të bëjë edhe propozime për ndryshime eventuale në standard. Por puna e këtij këshilli është vazhdimisht objekt diskutimesh në media, sidomos në lidhje me rregullat e drejtshkimit. "Këshilli nuk ka tagër që të vendosë rregulla të reja të drejtshkrimit, por propozimet e veta mund t'i bëjë publike, t'ua japë akademive, dhe akademitë vendosin pastaj ta gjejnë mënyrën nëse këto do të legalizohen dhe si do të legalizohen. Këto janë dy probleme të mëdha. Këshilli pra bën një diskutim shkencor, aq sa është e mundshme për çështje të ndryshme, dhe për këtë qëllim janë formuar gjashtë komisione si për drejtshkrimin, morfologjinë, sintaksën,për fjalët e huaja, apo për çështje të shqipes në shkollë. Këto komisione për arsye praktike punojnë veç, pra një komision në Tiranë dhe një në Prishtinë, por shpesh mblidhen dhe qëllimi është që çdo gjë që të bëhet, të bëhet bashkarisht, asgjë të mos bëhet veç." - sqaron prof. Rexhep Ismajli, bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

ASHAK nuk ka mendim të paraformuar

"Të gjithë anëtarët e komisionit që vepron në Kosovë në kuadër të Këshilli ndërakadamik për gjuhën shqipe janë jashtë akademisë, sepse kemi dashur të ngërthejmë profesorët e Fakultetit të Filologjisë, Fakultetit të Edukimit, të Institutit Albanologjik dhe të shoqërisë civile", - shpjegon prof. Rexhep Ismajli. Në Kosovë ka edhe një shoqatë për gjuhën shqipe, në krye të së cilës është Isa Bajçinca, edhe ky anëtar i komision. "Pra në Prishtinë kemi pasur një pasqyrim pak më të gjerë të njerëzve që merren me këtë punë, qoftë në këshill drejtpërdrejt, qoftë në komisione. Nga Akademia vetëm në komisionin e morfologjisë është një anëtar i akademisë, prof. Besim Bokshi dhe në komisionin për fjalët e huaja, apo shkrimit të fjalëve të huaja, është akademik Idriz Ajeti. Të gjitha komisionet e tjera janë me ekspertë nga jashtë akademisë."

Vështirësi në bashkëpunimin me Tiranën

"Akademia e Shkencave të Kosovës nuk ka mendim të paraformuar përveç mendimit që ka rregullorja, domethënë që ky këshill merret me kujdesin e mëtejshëm për gjuhën standarde dhe kjo është baza. Të tjerat pastaj janë çështje të ekspertëve. Nga ekspertët secili ka bindjen e vet dhe thotë çfarë mendon. Këtu ka pasur disa vështirësi, sepse në Tiranë ka pasur lëvizje, ka pasur njerëz që janë tërhequr. Me këtë do të merret Akademia e Shqipërisë, unë nuk merrem me atë pjesë. Por të gjitha aluzionet e tjera që shkojnë në adresë të Akademisë së Shkencave të Kosovës lidhur me këtë apo atë qëndrim janë të paqëndrueshme, po përdor një fjalë të butë, sepse akademia nuk ka asnjë një qëndrim, as të tillë dhe as të atillë për këto çështje dhe ato ua ka lënë në dorë ekspertëve! Ekspertët mblidhen bashkarisht dhe i diskutojnë të gjitha." - thekson bashkëkryetari i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

Debat krejt normal

Në prill në Tiranë pati një takim të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, ku u diskutuan çështje të drejtshkrimit. Sipas prof. Ismajlit "Komisionet patën plot propozime, por aty u miratuan vetëm disa prej tyre. Diskutimi qe i gjatë, rreth 8-9 orë. Kishte mendime nga më të ndryshmet dhe secili mbronte mendimin e vet. Nuk pati ndarje të tilla apo të atilla, për çdo çështje dikush kishte një mendim, dikush një tjetër, qe një debat krejt normal. Kur të mblidhen në fund të gjitha materialet, kuptohet ato mund të bëhen publike edhe më përpara, ato do t'u dorëzohen institucioneve dhe pastaj do të shohim."

Për shqipen mungon një mekanizëm i pavarur, publik

"Për gjuhën shqipe nuk kemi krijuar një mekanizëm, i cili do të ishte i pavarur, publik dhe që do të shprehte vullnetin e popullatës shqiptare kudo që të jetë, për të marrë vendime. Ju e dini mirë që në Gjermani ka një komision prej 80 anëtarësh, 40 nga Gjermania, 40 të tjerë nga vendet ku flitet gjermanishtja, Austria, Zvicra, etj. Ata kanë të gjithë status dhe mandat të barabartë dhe marrin vendime të detyrueshme. Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe nuk e ka atë tagër, sepse atë nuk ia ka dhënë askush. Atë tagër mund t'ia japë ai që ka vullnetin e popullit, pra parlamenti. Nuk duhet që ta uzurpojmë ne si anëtarë të tij, kjo nuk do të ishte serioze për punën e një instutucioni kaq të lartë. Tagri i këshillit nuk është që ta detyrojë shoqërinë shqiptare kudo që të jetë të shkruajë tash e tutje kështu, pra Europë dhe jo Evropë p.sh. Ai ka të drejtë të propozojë dhe ka edhe autoritetin shkencor për të bërë të tilla propozime, por vendimin nuk mund ta marrë. Edhe në rast se bëjmë një drejtshkrim të ri, nuk është këshilli ai mund ta bëjë atë drejtshkrim sa kohë që nuk ia ka dhënë askush këtë mandat. Kur t'ia japin, nëse ia japin, është tjetër punë, por tash për tash nuk e ka këtë mandat. Vendimet që merr këshilli, si ato që u botuan së fundi në media p.sh. nuk janë vendime detyruese, nuk janë pjesë e drejtshkrimit, sepse drejtshkrimi nuk mund të ndryshohet në këtë mënyrë po kujtojmë ne, dhe ne nuk mund të shkojnë në atë shkallë që pa studjuar fare, vetëm hajd po na teket të bëjmë një ndryshim në drejtshkrim. Jo, këshilli ka për detyrë të sudiojë, të krijojë rrethana të cilat do të merren parasysh në mënyrë serioze me kohë dhe pastaj merren vendime përfundimtare që i imponohen popullit. Nuk mundet që çdo ditë t'i themi popullit hajt sot pa na teket kështu e nesër ashtu." - mendon akademik Rexhep Ismajli.