1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reljiç: Thaçi duhet t’u afrohet opozitarëve për të mbajtur pushtetin

Lindita Arapi12 Qershor 2014

Analisti i Ballkanit, Dushan Rejliç drejtor i zyrës së Brukselit të fondacionit gjerman “Shkenca dhe Politika” analizon gjendjen pas zgjedhjeve në Kosovë.

https://p.dw.com/p/1CH97
Dushan ReljiçFotografi: DW

DW: Tri parti opozitare, LDK, AAK dhe Nisma bashkohen në një koalicion për të pasur mazhorancën e nevojshme me kryeministër Ramush Haradinajn, ndërkohë që fituesit pa mazhorancë të zgjedhjeve Hashim Thaçit e koalicioni t të tij i duhet njëri nga këta partnerë për të mbajtur postin e deritanishëm të kryeministrit. Kishit llogaritur me një zhvillim të tillë?

Reljiç: Një gjë është e qartë: Partitë opozitare duken të vendosura të pengojnë qeverisjen e mëtejshme të zotit Thaçi. Kështu që është kryeministri Thaçi, ai që duhet t'u afrohet tani atyre, për të mbajtur së paku një pjesë të pushtetit, dhe ndoshta të ketë edhe ca mbështetje, në rast se këtë verë ndodh që kundër tij ngrihet akuza në lidhje me krime lufte në vitin 1999. Por në fund të fundit, si gjithmonë në rajon, janë ndikimet nga jashtë ato, pra qëndrimi i shteteve perëndimore që do të luajnë rolin më të madh në këto zhvillime.

DW: Po në rast se Kosova do të kishte ndryshime në qeverisje, si do të vazhdohej me fatin e dialogut më tej me një kryeministër të ri, në këtë rast Haradinajn? Dihet që Thaçi akuzohet nga grupi opozitar për lëshime ndaj Serbisë, megjithëse marrëveshja e mirënjohur e prillit (2013)vetëm pjesërisht është jetësuar...

Reljiç: Duhet thënë se megjithëse Haradinaj është lënë i lirë dy herë nga Tribunali Ndërkombëtar për krime lufte për ish-Jugosllavinë, për shumicën e palës serbe, ai nuk është një pjesëtar i pranueshëm në procesin e dialogut. Qeveria në Beograd do ta ketë edhe më të vështirë të ulet me Haradinajn në tavolinën e bisedimeve, se sa me Thaçin. Mosbesimi i dyanshëm mbetet ende shumë i madh. Do të jetë më e nevojshme rritja e presionit perëndimor, me qëllim që të arrihen rezultate në procesin e negociimit.

Megjithë fitoren e Thaçit pa mazhorancë apo pavarësisht se kush qeveris, - Thaçi premton rritje rrogash 25%, opozita premton kthesën e madhe, - problemet e Kosovës mbeten të jashtëzakonshme, papunësia në një popullsia kaq të re është në nivele rekord.

Kosova si edhe më parë ka përqindje shumë të mirë të rritjes së popullsisë, edhe pa iu afruar numrit të vendeve të punës për një popullsi të tillë. Realisht vetëm rritja e emigracionit, pra atyre që do të punojë jashtë për familjet mund të sjellë zbutjen e problemeve të tilla, sidomos për të rinjtë. Këtë e kanë theksuar disa herë në raportet e tyre për Kosovën Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Nga ana tjetër Europa kërkon forca të kualifikuara punëtore në drejtimin teknik. Vetëm në Gjermani në vitet e ardhshme do të kërkohen me dhjetëra mijëra punëtorë maunesh për shembull. Qeveria e Prishtinës duhet të ketë më shumë guxim të kërkojnë lëvizjen e lirë të punëtorëve nga Kosova në bisedimet me BE.

Që zhgënjimi në Kosovë për shkak të gjendjes ekonomike është shumë i madh këtë e tregoi edhe pjesëmarrja e ulët në zgjedhje në nivele rekord. Megjithatë qeveria fiton më shumë vota, sigurisht pa kapur mazhorancën, nuk ka kundërshti këtu?

Një sërë studimesh sociologjike në vitet e fundit tregojnë një masë të madhe mosbesimi në popullsi kundrejt institucioneve politike dhe politikanëve të tyre. Pakënaqësia ndaj politikës sigurisht që lidhet me gjendjen e vështirë socio-ekonomike, por ajo lidhet edhe me statusin ndërkombëtr të Kosovës, që nuk është zgjidhur përfundimisht. Fakti që forcat politike të deritanishme sërish morën më shumë vota, lidhet më shumë me varësitë e krijuara: Vetëm po qe se mbështet një qeveri të caktuar, mund të shpresosh për një vend pune apo ndonjë avantazh tjetër. Në këtë pikë as Kosova nuk ndryshon nga vendet e tjera të rajonit.

DW: Ndërkohë pjesëmarrja e serbëve në këto zgjedhje ishte edhe më e ulët, pa harruar faktin pozitiv që për herë të parë u votua në të gjithë Kosovën. Një provë që serbët duan ende shumë kohë të pranojnë institucionet e Kosovës.

Reljiç: Serbët në Kosovë u ndanë me dhunë nga shteti i tyre nënë dhe ndoshta nuk do ta pranojnë ndonjëherë statusin e qytetarit në një shtet të dominuar me shqiptarë. Sjellja e tyre në jug është pragmatike, votohet me qëllim për të penguar që megjithë shumicën serbe të një pjese të komunave të sundojnë strukturat shqiptare. Në Kosovën e Veriut duket qartë që zgjedhësve atje nuk u pëlqeu kthesa e Beogradit dhe kjo pjesë e refuzon kërkesën për njohjen e institucioneve shqiptare.

DW:…domethënë pajtimi sërish i përket një të ardhmeje të largët?

Reljiç: Në Tirolin Jugor, Irlandën e Veriut ka zgjatur disa dhjetëra vjeçarë derisa është kthyer një normalitet relativ. Në hapësirën postjugosllave rruga deri aty është ende shumë e gjatë. Por sa më shumë këto shtete të bëhen pjesë e procesit të integrimit në Europë, aq më shumë mund të shpresohet që kjo rrugë mund të shkurtohet.

DW: Vetëvendosja një parti që i bën herë pas here të djersijnë politikanët në Bruksel me kërkesat e deklaratat saj nuk doli fitimtare siç shpresonte. Mendoni se tonet nacionaliste nuk mund t'i ndezin më zgjedhësit kosovarë?
Reljiç: Sipas një sondazhi të Gallup-Europë dhe sondazheve të institutive të tjera demoskopike në Kosovë ka një mazhorancë stabël prej 80% që e mbështet shkrirjen e të gjitha territoreve me shqiptarë. Por duket se aktualisht problemet socioekonomike janë kaq të mëdha saqë vërtet mobilizimi nacionalist ka kaluar në rang të dytë. Nga ana tjetër është i madh edhe presioni i Perëndimit që të mos dalë si parësor projekti i bashkimit të territoreve .

DW: Një pikë delikate mbetet përballja me të shkuarën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kemi edhe Gjykatën Speciale që do të hetojë akuzat për krime. Nuk mund të ketë rrezik destabilizimi?

Reljiç: Faktorët e jashtëm kanë pasur gjithmonë stabilitetin si qëllimin kryesor duke u trembur se një veprim konsekuent ndaj personave në poste të larta mund të sillte trazira. Drejtësia vendase, si e kemi parë edhe në raportet e progresit të BE-së nuk është në gjendje të sigurojë sundimin e ligjit. Deri më tani nuk kemi pasur progres të madh në zbardhjen e së shkuarës së re në Kosovë. Kjo është edhe arsyeja pse EULEX do të qëndrojë. Por edhe EULEX nuk ishte shumë efektiv, siç theksoi edhe institucioni i kontrollit të financave të BE-së vitin e shkuar.