1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rehabilitimi i fëmijëve autikë sipas metodave bashkëkohore

Arben Muka2 Prill 2014

Ekspertët në Shqipëri apelojnë për ngritjen e më shumë qendrave publike për trajtimin e fëmijëve me probleme zhvillimi.

https://p.dw.com/p/1BZvK
Fotografi: DW/A. Muka

Në Shqipëri një fëmijë autik ka dy mundësi trajtimi mediko – social: në sektorin publik shëndetësor dhe në rrjetin e kujdesit privat. Institucioni kryesor publik për moshën nga 0-6 vjeç është Qendra Kombëtare e Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve, QKMZHRF, që merret në përgjithësi me shëndetin mendor, psikosocial dhe psikomotor të fëmijëve me probleme në zhvillimin e tyre. E lokalizuar në një nga rajonet periferike të Tiranës, Qendra duke qenë unike në llojin e vet, pret fëmijë nga rrethe të ndryshme të vendit, të cilët janë të diagnostifikuar më parë nga mjeku i familjes, ose specialistët e këtyre diagnozave. Në këtë mënyrë qendra funksionon si spital me shtretër për nënat dhe fëmijët, që vijnë nga zona të tjera të Shqipërisë.

Duke u konsideruar si një çrregullim, që i shkakton fëmijës pengesa serioze në komunikimin me të tjerët, autizmi konstatohet pas kryerjes se testeve bazë nga mjeku specialist, që rreth moshës 1.5-2 vjeç, atëherë kur shfaqen dukshëm qëndrime emocionale të mbylljes së tyre në vetvete dhe të acarimit në marrëdhëniet me personat përreth. Konfirmuese për prezencën e sëmundjes është më pas dhe aftësia për të folur, e cila nuk ka tipare normale.

Ekspertët e fushës duke qenë të rezervuar dhe jo të bindur për shkaqet e kësaj sëmundjeje, këmbëngulin megjithatë se sa më i hershëm të jetë identifikimi dhe trajtimi i fëmijës, aq më shumë mundësi ka në procesin rehabilitues dhe zhvillues të tij.

Qendra Kombëtare e Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve në Tiranë
Qendra Kombëtare e Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve në TiranëFotografi: DW/A. Muka

Deinstitucionalizimi në trajtim

Neuropediatrja Migena Kika,që drejton prej vitesh QKMZHRF-në, thotë në dispozicion të fëmijëve dhe prindërve të tyre është i angazhuar një personel i kualifikuar, që ndjek metodologji bashkëkohore në rehabilitimin e pacientëve. Në ambiente të ndara fëmijët përfshihen në seanca me fizioterapistët, me edukatorët e zhvillimit, me specialistët e të folurit, të shërbimit psikologjik, apo dhe në kopshtin edukativo-terapeutik dhe kopshtin e pacientëve me çrregullime ekocionale dhe të sjelljes.

“Ne i referohemi metodologjive shkencore rehabilituese për sëmundjet e shëndetit mendor në përgjithësi, që kanë të bëjnë me deinstitucionalizimi në trajtim. Në rastin e fëmijëve autikë ndiqet modeli si për një fëmijë normal. Ne jemi të bijakëzuar me një qendër të ngjashme në Bernë të Zvicrës, si një mundësi për shkëmbimin e përvojave të përparuara, por dhe në personelin e kualifikuar”.

Terapistja e zhvillimit Marjanthi Veneti, ka një përvojë në dy dekada me trajtimin e fëmijëve me probleme. Në këtë Qendër ajo ka mbi 5 vite punë, ku angazhimi i përditshëm lidhet me shoqërimin e fëmijëve në senaca, që kanë kohëzgjatje të ndryshme. Sipas Marjanthit, çdo fëmijë ka një program të veçantë në varësi të ecurisë dhe kushteve individuale.

Terapistja e zhvillimit Marjanthi Veneti
Terapistja e zhvillimit Marjanthi VenetiFotografi: DW/A. Muka

“Fillimisht ata i mbajmë në rreth 15-20 minuta për seance, por duke iu përshtatur reflektimit të tyre kjo kohë rritet në mënhyrë graduale. Mund të jenë të shoqëruar me prindërit apo jo, por ne përpiqemi të përshtatemi me elementët kryesore të ecurisë së zhvillimit të tyre, si reagimi ndaj të tjerëve, raportet me lodrat, ose objekte të ndryshme, që fëmijë ka përreth etj. Terapia individuale zhvilluese sinkronizohet dhe me terapinë në grup, ose në mjediset e kopshtit, që ndodhet brenda ambjenteve të Qendrës, ku ka një agjendë të larmishme zbavitëse dhe edukative dhe ku fëmijët janë të shoqëruar dhe nga prindërit e tyre”.

Marjanthi thotë për DW se ka në evidencat e saj personale të gjithë fëmijët, që ka trajtuar dhe shoqëruar në rreth 20 vite, që ushtron këtë profesion dhe ndjehet mirë për kontaktet dhe informacionin, që merr për integrimin e tyre të mëpasëm në ciklin shkollor e më tej.

“Unë e di sa e vështirë është për prindërit e një fëmije autik, është një rrethanë familjare dhe shoqërore me mjaft mundim e preokupim, por ne përpiqemi që të bëjmë gjithçka në mënyrë profesionale që t'i lehtësojmë gjërat, për të rikuperuar sa më shumë në rehabilitimin e fëmijëve, që i drejtohen kësaj Qendre.”

Më shumë kapacitete trajtuese

Në objektivat afatgjatë të stafit të Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve është shndërrimi i saj në një qendër të mirëfilltë studimore, në një klinikë universitare pediatrike dhe qendër referimi diagnostifikuese dhe trajnuese për stafet, që angazhohen në këtë fushë. Por vetëm një qendër e tillë publike nuk mund të përballojë fluksin e kërkesave. Sot pranohet që prevalenca në rastet me autizëm ka shkuar deri në rreth 1 në rreth 90 lindje, tregues që flet për nevojën e rritjes së kapaciteve. Për neuropediatren Migena Kika ka ardhur kohe që qendra të tilla publike të ketë dhe në rajone të tjera të vendit, sepse ky sipas saj do të ishte një lehtësim për familjarët, që kanë fëmijë autikë, me paraliza, me paaftësi intelektuale etj.

Migena Kika, neuropediatre, drejtore e Qendrës.
Migena Kika, neuropediatre, drejtore e Qendrës.Fotografi: DW/A. Muka

“Çdo investim, që realizohet sot, është i ‘kthyeshëm' nesër, sepse ato kontigjenten që arrijnë të integrohen në shkollë, ose në punë nuk do të jenë më barrë për familjet e tyre në rradhë të parë, por dhe për shoqërinë”, thotë Kika për DW.