1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformimi i sistemit të sigurimeve shoqërore në Shqipëri

Angelina Verbica20 Korrik 2010

Reformimi duhet bërë për t' i dhënë fund pensioneve minimale të pleqërisë më pak se 100 euro në muaj. Kombinimi i skemës së sigurimeve të detyruara shtetërore me ato private model i sukseshëm i vendeve të BE e rajonit

https://p.dw.com/p/OQ5O
Pensionistë në ShqipëriFotografi: Mimoza Dhima

Për herë të parë në historinë e saj Shqipëria u bë me një sistem publik sigurimesh shoqërore në vitin 1927, në kohën e mbretit Zog. Sistemi, nga i cili përfitonin vetëm nëpunësit e administratës civile, u ngrit sipas modelit, që krijoi në vitin 1889 në Perandorinë Gjermane Bismarck -u, burri i shquar gjerman i shtetit, i shek.19-të. Motori i atij sistemi ishte parimi i solidaritetit mes brezave. Brezat e rinj, të aftë për punë, punonin për të siguruar jo vetëm veten e tyre, por edhe brezat e moshës së tretë, të paaftë për punë. Ky parim u ruajt edhe në vitet e regjimit komunist, por gjithshka u centralizua dhe kontrollohej nga shteti. Në një mungesë totale transparence asnjë individ nuk dinte sa përqind të pagës paguante për pensionin e tij të pleqërisë, apo në rast invaliditeti, lindjesh dhe sa për solidaritet. Sistemi u trashëgua edhe pas përmbysjes së atij regjimi. Në harkun kohor të 17 viteve të regjimit demokratik, sistemi publik i sigurimeve shoqërore ka ardhur duke u reformuar dhe iu përshtatur zhvillimeve ekonomiko- sociale. Por parimi i solidaritetit mes brezave vazhdon të mbetet zemra e tij. Ai përfaqësohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, një institucion i pavarur publik, i drejtuar nga një Këshill Administrativ dhe i kontrolluar nga Ministria e Financave.

Rentnerin Tirana 2008
Gra pensioniste në TiranëFotografi: DW

Çfarë ofron sot sistemi publik i sigurimeve shoqërore? Avantazhe dhe të meta

Saba Goci, anëtar i këtij Këshilli dhe ekspert në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, thotë për DW se parimi i solidaritetit shoqërohet me atë kontributiv, ose si njihet edhe në vende të tjera të BE dhe pertej tij ”pay as you go”, që do të thotë ”paguaj sot, që të përfitosh nesër”. Skema publike e sigurimeve mbron vetëm ata, që paguajnë kontributet në raste sëmundjesh, lindjesh, aksidentesh dhe papunësie dhe natyrisht siguron pensionin e pleqërise. Sistemi garanton pension të plotë pas 35 vitesh punë dhe kontributesh në këto vite. Grave i njihen si vite pune vitet e arsimit të lartë. Ato dalin në pension 60 vjeç, kurse burrat 65.

Por pjesa më e ndjeshme e reformimit te tij shfaqet në reduktimin e normës së kontributeteve. Nëse në vitin 1993 totali i kësaj norme ishte 42,5 % të pagës, në vitin 2009 ky kontribut është ulur në 24% të pagës. Për Saba Gocin, sistemi publik i sigurimeve shoqërore ka edhe një sërë avantazhesh të tjera.

Saba Goci
Saba Goci, ekspert në Institutin e Sigurimeve Shoqërisë në TiranëFotografi: DW

Është gjithëpërfshirës, mbron të gjitha shtresat në mënyrë të detyrueshme, kontrollohet dhe mbështetet nga shteti në raste lëkundjesh”, thotë ai.

Por këto avantazhe nuk mund të anashkalojnë një të metë të madhe: pensionet minimale shumë të ulta.

Pensioni minimal është 10,960 lekë, që me ndihmat rregullatore që jep shteti, arrin në 12.020. Kurse pensioni më i lartë, është dyfishi, pra 24.040 lekë”, thotë Saba Goci.

Kjo do të thotë që pensioni më i ulët është më pak se 100 euro në muaj dhe më i larti arrin në 150.00 euro, krejt të pamjaftueshme për një jetë normale për të moshuarit. Pensionet e ulta mbeten një çështje e ndjeshme publike dhe qeveritë e majta apo të djathta, në rotacionin e tyre të pushtetit, rritjen e pensioneve e përdorin si kal beteje në fushatat elektorale, por rritjet të mbeten vetëm simbolike. Në fillim të këtij muaji pensionet u rritën me 10%, rritje që rezulton me më pak se 10 euro në muaj. Daljen nga kjo situatë eksperti Saba Goci e sheh në reformimin e skemës dhe zhvillimin e tregjeve financiare për gjenerimin e fondeve të grumbulluara nga kontributet.

Blick auf Tirana
Pamje nga TiranaFotografi: DW

Fondet e grumbulluara nga kontributpaguesit duhet të jenë atraktive, që duke u hedhur në tregjet financiare të riprodhojnë disa herë vetveten.”

Skemat e pensioneve private – risia europiane në tregjet finaciare të Shqipërisë.

Tregu i pensioneve private është ende në fazën embrionale. Ai u shfaq vetëm para 5 vitesh dhe zë një vend të vogël, rreth 5-7% ndërkohë që në Kosovë dhe Maqedoni arrin në rreth 60 % te tregut financiar. Ulja e numrit të lindjeve shtimi i popullsisë së moshës së tretë po sjell vështirësi në garantimin e një jetë të qetë financiare për këtë popullsi me parimin e solidaritetit të brezave.

Naim Hasa
Naim Hasa, Drejtor i Përgjithshëm i Kompanisë “Capital”,Fotografi: DW

Naim Hasa është Drejtor i Përgjithshëm i Kompanisë “Capital”, njëra nga tri kompanitë private të sigurimeve, që ekzistojnë gjithsej në Shqipëri. Fondet e tyre menaxhohen sipas ligjit përkates nga Banka të nivelit të dyte, të akredituara nga Banka Kombëtare e Shqipërisë. “Avantazhi i skemës private është mbështetja jo tek solidaritetië por tek parimi i vetëkapitalizimit, i cili i garanton individit marrjen e kontributeve të derdhura dhe fitimin e ardhur nga investimi i tyre. Në këtë skemë nuk ka mbushje moshe dhe as vitesh pune, por çdo individ mund ta marrë kontributin e vet në çdo kohë, apo ta transferojë në një fond tjetër pensionesh”, thote Naim Hasa.

Futja e kompanive private të sigurimeve shoqërore në Shqipëri ka sjellë praninë në treg të dy skemave: asaj të sistemit shtetëror të detyrueshëm, "Pay as you go” dhe sistemit vullnetar privat. Përvoja rajonale dhe ajo e BE aplikon edhe një skemë të tretë: atë të sigurimit privat të detyruar, ku një pjesë e kontributit të detyruar në sistemin shtetëror i kalon kësaj skeme dhe menaxhohet nga Fondet Private të Pensioneve.

Rentner und Enkelkind Tirana
Reformimi i sistemit të pensioneve duhet t'i sigurojë një jetë dinjitoze moshës së tretëFotografi: DW

Maqedonia është modeli më i suksesshëm në rajon. Ajo ndan kontributin prej 21 % të pagës në 14 % per skemen shteterore dhe 7 % per skemen private. Në këtë mënyrë çdo individ, që del në pension, përfiton nga të dyja skemat. Ngritja e pensioneve minimale prej më pak se 100 eurosh në Shqipëri do të behet e mundur me aplikimin pikerisht të tri skemave, siç ndodh në pjesën më të madhe të vendeve të BE dhe të rajonit.

Koha ka ardhur që edhe Shqipëria të realizojë reformimin e sistemeve të pensioneve për t' i garantuar moshës së tretë një jetë dinjitoze dhe të qetë financiare. Kjo përbën edhe një nga detyrimet e saj në procesin integrues drejt BE.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica