1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Receta nga vendlindja

Marcus Lütticke/Angjelina Verbica29 Dhjetor 2013

Refugjatët, që vijnë në Gjermani, nuk kanë thuajse asgjë, por sjellin me vete pasurinë e kuzhinës së tyre. Katër studentë kanë bërë së bashku me to një libër gatimi, ku tregohen edhe historitë e tyre pas recetave.

https://p.dw.com/p/1Ai1G
Fotografi: Über den Tellerrand kochen GbR

Pamjet e anijeve të mbushura me njerëz në Mesdhe dhe të strehimoreve të lëna pas dore të refugjatëve, janë ato që nguliten në opinionin e shumë gjermanëve për azilkërkuesit. Rreth fatit të individëve rrallë mësohet diçka, zakonisht janë shifrat dhe diskutimet lidhur me kapacitetin e Gjermanisë për pranimin e tyre, që përcaktojnë debatin për refugjatët.

Katër studentë nga Berlini përpiqen të hedhin një vështrim tjetër. Gerrit Kürschner, Bontu Guschke, Ninon Demuth dhe Inga Carolin Strehmel kanë shkruar së bashku me azilkërkuesit në Berlin një libër gatimi, i cili rrëfen historitë e jetës së refugjatëve dhe në të njëjtën kohë prezanton recetat e tyre të preferuara nga vendlindja. "Të gatuash përtej pjatës tënde", titullohet libri.

Projekti lindi si pjesë e "Konkursit Funpreneur", një konkurs idesh për sipërmarrësit e rinj në Universitetin e Lirë të Berlinit. "Ne kishim një ide. Nuk donim të arrinim diwka vetëm ekonomikisht, por edhe në anën sociale", tregon studentja Bontu Guschke.

Anëtarët e projektit: Ninon Demuth, Gerrit Kürschner, Inga Carolin Strehmel dhe Bontu Guschke
Anëtarët e projektit: Ninon Demuth, Gerrit Kürschner, Inga Carolin Strehmel dhe Bontu GuschkeFotografi: Über den Tellerrand kochen GbR

Shpejt të rinjve iu bë e qartë, se duhet t'i kushtoheshin temës së azilit. "Ideja jonë i parë ishte të ofronin kurse gatimi, që jepeshin nga azilkërkues." Plani u fshi shpejt, sepse me këto kurse ne do të kishim arritur fare pak njerëz. Në fund na erdhi ideja e librit të gatimit.

Pika e parë e kontaktit për sipërmarrësit e rinj studentë ishte kampi i refugjatëve në sheshin Oranien në Berlin-Kreuzberg. Prej më shumë se një viti azilkërkuesit kanë ngritur këtu çadrat e tyre, të paligjshme, por që tolerohen nga qeveria e qarkut. Ata dëshirojnë të tërheqin vëmendjen për gjendjen e keqe të refugjatëve në Gjermani dhe Evropë.

"Ne kemi biseduar me nga pesë deri gjashtë orë me njerëzit, i kemi njohur ata me të vërtetë dhe u kemi treguar pastaj për projektin tonë", përshkruan Guschke takimet e para. Rezonanca ishte kryesisht pozitive. "Që ditën e parë kemi pasur gjashtë vetë, që dëshironin të merrnin pjesë."

Idetë e një kuzhinieri amator

Njëri prej atyre, që ka dhënë receta, është pakistanezi Tajuddin Shaikh. Ai jeton prej shtatë muajsh në një strehimore refugjatësh në Berlin. Kuzhinieri amator qe menjëherë entuziast për idenë e librit të gatimit. Receta e tij për chicken karahi me paratha, thotë ai, është njëlloj si në vendlindjen e tij, me xhenxhefil, koriandër dhe shafran Indie. Kësaj ai i kushton rëndësi të madhe. Po në restorantet indopakistaneze në Gjermani kuzhina zakonisht i është përshtatur shijes gjermane.

Tajuddin Shaikh, kuzhinieri amator nga Pakistani ka fituar miq të rinj përmes librit.
Tajuddin Shaikh, kuzhinieri amator nga Pakistani ka fituar miq të rinj përmes librit.Fotografi: Über den Tellerrand kochen GbR

Të gatuarit e ka mësuar nga gastronomët profesionistë në atdheun e tij. Në dasma dhe parti ai gjithmonë ka biseduar me ta dhe i ka parë, se si punojnë. Kështu ai ka mundur të mësojë shumë në lidhje me ushqimin pakistanez, erëzat dhe gatimin. Shaikh nuk e di ende, nëse do të lejohet të qëndrojë në Gjermani. "Momentalisht unë kam një leje qëndrimi deri në mars." Më pas do të merret sërish vendimi. Për arsyet e ikjes së tij nga Pakistani, ai tregon shumë pak. Ai ka qenë biznesmen dhe ka pasur probleme. Atij i është dashur të shohë, se si është vrarë një kolegu i tij. Pastaj ai është larguar nga vendi.

Ndihma për qëllime karitative

Në Gjermani ai dëshiron normalitet. Kontakte me gjermanët thuajse nuk ka fare, vetëm për studentët e rinj, që kanë bërë librin e gatimit. Ata janë bërë miq të vërtetë dhe do ta ndihmonin atë, edhe po të ketë nevojë të kërkojë një apartament banimi.
Përveç ndihmës personale studentët nga Berlini dëshirojnë të bëjnë edhe diçka në përgjithësi për refugjatët. Nga çdo libër i shitur 2,50 euro shkojnë si donacion për organizatën "Pro Asyl". Gati një mijë euro janë mbledhur tashmë. Të ardhurat e tjera do të shërbejë si kapital fillestar për projekte tjera sociale.

Chicken karahi me paratha, një gjellë pakistaneze me xhenxhefil, koriandër dhe shafran Indie.
Chicken karahi me paratha, një gjellë pakistaneze me xhenxhefil, koriandër dhe shafran Indie.Fotografi: Über den Tellerrand kochen GbR

Nëse Shaikh do të lejohet të qëndrojë në Gjermani, ai do të hapte me dëshirë një restorant. "Nëse më jepet ndihmë, që të qëndroj në këmbët e mia, unë do t'ia kthej Gjermanisë atë, që më është ofruar këtu." Në restorantin e tij do të gatuhej pastaj sigurisht vetëm sipas recetave origjinale pakistaneze.