1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Raport shokues për CIA-n

Gero Schließ10 Dhjetor 2014

Në raportin me më shumë se 600 faqe gjen përgjigje dramatike për metodat e marrjes në pyetje të CIA pas 9/11.

https://p.dw.com/p/1E1jH
Fotografi: Getty Images

"Për shumicën e amerikanëve, raporti është shokues", thotë Laura Pitter nga Human Rights Watch në lidhje me raportin e Komisionit për Shërbimin Sekret të Senatit amerikan, për të cilin ishte ndezur një debat i nxehtë edhe para botimit.

Sa brutale ishin metodat e marrjes në pyetje të CIA pas 9/11, çfarë dinte ish-presidenti George W. Bush, a e ka gënjyer CIA atë dhe administratën e tij sistematikisht dhe a ka zbuluar CIA gjëra të rëndësishme prej marrjes të dhunshme në pyetje?

Akuzë për tortura

Në raportin me më shumë se 600 faqe gjen përgjigje dramatike për këto pyetje. Në fillim të fjalës së saj para Senatit senatorja Dianne Feinstein tha se raporti dokumenton "burgimin e fshehtë jashtë vendit të të paktën 119 individëve dhe përdorimin prej CIA-s të teknikave detyruese të marrjes në pyetje dhe madje në disa raste të torturave." Laura Pitter e vlerëson punën e komitetit të Senatit si "tepër të rëndësishme", sepse tregon se "tortura ishte jo vetëm shumë më brutale dhe e fortë nga sa ishte menduar deri tani", por se ajo nuk ishte as edhe një "mjet efektiv" për të mbledhur informacione të reja. Laura Pitter dhe vëzhgues të tjerë nuk e përjashtojnë mundësinë që raporti mund të shkaktojë në Uashington një tërmet politik.

Dianne Feinstein
Dianne FeinsteinFotografi: Reuters/Yuri Gripas

Kapitulli i errët i historisë

Raporti nxjerr në pah një nga kapitujt më të errët të historisë së re të SHBA-së. "Pas 9/11 ishte një kohë vërtetë e mjerueshme. Kishte shumë histeri," kujton Joseph Wippl, ekspert i sigurisë dhe ish-Drejtor i CIA-s për Punët e Kongresit. "Ne humbëm shumë ushtarë, shumë irakianë vdiqën, na kushtoi shumë të holla, komuniteti i krishterë në Irak dhe Siri mori fund, dhe ndodhën dhe shumë gjëra të tjera të tmerrshme." Wippl i konsideron aktivitetet e CIA-s në këtë kontekst, si një "shënim" në mes të "gjërave të tmerrshme" që ndodhën në atë kohë.

Waterboarding Installation Symbolbild CIA Verhörmethoden
Fotografi: Leon Neal/AFP/Getty Images

Përfaqësuesit e CIA-s George Tenet dhe gjenerali Michael Hayden dhe ish-presidenti Bush, gjatë kohës së të cilit si president kanë ndodhur veprimet në fjalë, i morën në mbrojtje dhe i justikuan ato. Michael Hayden shkroi në një e-mail për New York Times: "Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur torturën. Ne mbrojmë historinë." Por Joseph Wippl thotë në adresë të ish-kolegëve të tij: "Ju nuk duhet ta kishit bërë atë atëhere."

Tortura apo metoda të ashpra hetimore?

Por a ishin tortura apo ishin thjesht "teknikat të ashpra të marrjes në pyetje" ato që përdori CIA direkt pas sulmeve të 9/11 për t'i detyruar të dyshuarit si terroristë të Al Kaidës për të folur? Kjo është një nga pyetjet për të cilën ende vazhdon të debatohet në Uashington. Presidenti Obama është shprehur gjithmonë për torturë dhe senatorja demokrate Diane Feinstein e përdorur këtë fjalë. Por madje dhe gazetat kryesore të Shteteve të Bashkuara kanë pozicione të ndryshme. Washington Post, për shembull, përdor ndryshe nga New York Times deri tani vetëm termin "teknikat të ashpra të marrjes në pyetje".

Barack Obama
Fotografi: Reuters

Laura Pitter mendon edhe se CIA ka keqinformuar me vetëdije dhe e konsideron këtë si një skandal shtesë". CIA ka ndërmarrë një fushatë masive maskimi për të parandaluar që të gjitha këto fakte të dalin në dritë".

Presidenti amerikan Obama bëri të qartë në një deklaratë me shkrim se ai do të bëjë gjithçka "që ne kurrë të mos përdorim më këto metoda." Veprimet e CIA-s e kanë dëmtuar reputacionin e SHBA-ve në botë.