1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Rama personi i duhur për vizitë në Beograd - pas Nanos!"

Bahri Cani7 Nëntor 2014

Vizita e Edi Ramës në Beograd nuk do të sjellë rezultatet që janë pritur. Kështu pohon për DW, profesori i njohur serb për çështjet ndërkombëtare, një nga njohësit më të mirë të raporteve shqiptaro-serbe, Predrag Simiq.

https://p.dw.com/p/1Diuj
Predrag Simic Experte für Internationales Recht in Serbien Belgrad
Fotografi: Bahri Cani

"Ballkani në këtë moment është i qetë, por shihet shumë qartë se ende ekzistojnë tensione të mëdha si në raportet shqiptaro-serbe, ashtu edhe në rajonet e tjera. Vizita e parashikuar e Ramës, me 22 tetor, ka qenë një rast i shkëlqyeshëm për shtendosjen e raporteve jo vetëm në linjën Tiranë-Beograd, por edhe në rajon", pohon Predrag Simiq. Për fat të keq, sipas tij, incidentet në ndeshjen Serbi-Shqipëri u kanë dhënë gjërave një kah tjetër. Ndaj vizita e Ramës në Beograd, me 10 nëntor, "nuk do të sjellë rezultatet që ka mundur të sjellë në tetor".

DW: Kjo vizitë do të realizohet pas gati shtatë dekadash dhe shumëkush e ka cilësuar si historike. Mendoni se pas të gjithave që kanë ndodhur kohët e fundit, mund të flitet për një moment historik, dhe për një mundësi kthese në përmirësimin e raporteve shqiptaro-serbe, apo kjo vizitë do të theksojë edhe më shumë dallimet?

Predrag Simiq: Nuk mendoj se kjo vizitë paraqet rrezik, por me siguri do të sjellë më pak, se sa do kishte mundur të sillte para incidenteve. Vizita do të ketë një rëndësi simbolike, sepse për herë të parë dhe të fundit një vizitë e kryeminitrit shqiptar në Beograd, ka qenë, nëse më kujtohet, në vitin 1946. Megjithatë vizita duhet të realizohet. Incidente kësaj radhe nuk do të ketë, sepse të dy palët do të kenë shumë kujdes që të mos keqësohet gjendja. Nuk pres që të ndodhë diçka që do të cënonte edhe më shumë raportet mes këtyre vendeve. Por mendoj se vizita nuk do të sjellë rezultatet e pritura.

DW: Nëse që tani duket qartë se vizita nuk do të sjellë rezultatet e pritura, pse të mos shtyhet atëherë, për një kohë më të qetë. Kur është pritur gati shtatë dekada, mund të pritet edhe ndonjë muaj?

Predrag Simiq: Kjo është një pyetje shumë e mirë, për të cilën nuk ka ndonjë përgjigje të mirë. Kryeministrat do të takohen, sepse kjo është dëshirë e Brukselit. Evropa nuk dëshiron shtyrjen e vizitës, sepse kjo do të shënonte një dështim të politikës evropiane në Ballkanin Perëndimor. Sikur kryeministrat të vendosnin vetë, me siguri që do të mendonin edhe për shtyrjen e saj, dhe do të takoheshin në një kohë më të qetë.

DW: Ju personalisht, mendoni se vizita duhet të shtyhet?

Predrag Simiq: Jo, nuk mendoj. Vizita nuk do të shënojë rezultate historike, por le të jetë vetëm hapi i parë në radhën e hapave të shumtë që duhen bërë për rihapjen e komunikimit dhe përmirësimin e raporteve mes këtyre vendeve. Ne edhe më parë kemi pasur komunikim mes vete, por jo në nivelin e kryeministrave. Në kohën e kryeministrit Vojisllav Koshtunica, kur unë kam qenë këshilltar i tij, në Beograd ka qenë për vizitë Ilir Meta, i cili kishte mesazhe shumë të mira. Më kujtohet që gjatë kësaj vizite kemi biseduar edhe për autostradën Ibrahim Rugova (që lidh Kosovën me Shqipërinë). Kur e kemi pyetur, a do të thotë kjo autostradë krijim të Shqipërisë së Madhe, Meta u përgjigj: e çfarë do të ndodhte sikur kjo austradë të lidhej me Nishin (qytet në jug të Serbisë)? Në konferencën e fundit të kryeministrave të rajonit në Berlin, pikërisht Aleksandar Vuçiq ishte ai që ka kërkuar lidhjen e Serbisë me këtë austradë. Ne me siguri që gjatë vizitës së ardhshme nuk do t'i hidhemi njëri-tjetrit në përqafim dhe nuk do të kërkojmë falje për të gjitha të këqijat që kanë ndodhur në të kaluarën. Por duhet të jemi racional dhe duhet të rihapim komunikimin mes nesh, me synim ndërtimin e raporteve sa më të mira mes vendeve tona.

DW: Mendoni se pikërisht Rama, i cili ka pasur disa deklarata të ashpra pas ndeshjes, është personi më adapt për të filluar një epokë të re në raportet me Serbinë?

Predrag Simiq: Kryeministri Rama është me origjinë nga jugu i Shqipërisë, nga një rajon i cili është shumë më pak i ngarkuar me paragjykime dhe me urrejtje ndaj serbëve. Ai mbase është personi më i duhur për këtë vizitë - pas mikut tim të vjetër, Fatos Nanos, me të cilin në kohën kur kam qenë ambasador në Paris, kam pasur një komunikim të shkëlqyeshëm.