1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qytetet në Gjermani: Mbingarkesë nga migracioni i varfërisë

Martin Koch / Valmira Dobraj25 Mars 2013

Qytetet gjermane përballen me fluksin e lartë të migrantëve të varfërisë. Në kërkim të një jete më të mirë vijnë në Gjermani kryesisht qytetarë nga Rumania dhe Bullgaria . Ekspertët sugjerojnë të mos shkaktohet panik.

https://p.dw.com/p/183o6
Fotografi: DW/ K. Jäger

Duisburgu ndodhet në prag të një kolapsi: çdo shpenzim shihet me kujdes nëse është i domosdoshëm që të kryhet apo jo. Por qyteti në zonën Ruhrit nga ana tjetër është shprehur pro integrimit të migrantëve të rinj: rreth 19 milionë euro shpenzime janë organizuar për një paketë masash, përmes së cilës migrantëve nga Evropa Juglindore do t'u ofrohet përkujdesje dhe integrim në shoqërinë gjermane. Por numri i atyre që synojnë drejt Gjermanisë është vazhdimisht në rritje. Qyteti i Duisburgut nuk mund të përballojë shpenzime të tjera shtesë. E njejta situata është edhe në Dortmund, Këln, Hannover, Manheim dhe në një serë qytetesh të tjera gjermane.

Sipas një analize numri i të ashtuquajturve „migrantë për shkaqe varfërie“ nga Rumania dhe Bulgaria, në vitet e kaluara është dyfishuar nga 64.000 në 147.000. Qytetet gjermane druajnë që situata do të ashpërsohet, në vitin 2014 kur banorët e këtyre dy vendeve të Evropës Lindore do të gëzojnë të drejtat e plota për të punuar në BE.

Gjermania - Spanja e re


Deri më tani Spanja dhe Italia kanë qenë vendet, në të cilat provonin fatin e tyre për një jetë më të mirë qytetarë nga Rumania dhe Bulgaria. Për shkak të krizës ekonomike numri i të papunëve në këto vende është rritur shumë, prandaj mundësitë e migrantëve për të gjetur punë aty u përkeqësuan. Caku i tyre i ri: Gjermania. Duke pasur parasysh pervojat që kanë pasur Spanja dhe Italia me këtë dukuri të migrantëve, nuk është e nevojshme të shkaktohet panik, thotë Herbert Brücker nga Instituti i Punës dhe Hulumtimeve të Tregut të Punës në Nyrnberg: “Atje ne patëm rastin të shikojmë se bullgarët dhe rumunët u integruan shumë mirë në tregun e punës, qoftë në gastronomi, hoteleri apo në ndërtim.” Sistemi social i atyre vendeve nuk ishte i mbingarkuar nga këta migrantë. Madje, migrantët e ardhur nga Rumania dhe Bullgaria përbënin numrin më të vogël të të papunëve atje.
Studiuesi për çështje ekonomike dhe migrim thekson, që shumë nga migrantët që vinin nga vendeët anëtare të BE-së kishin madje një kualifikim të mirë profesional. Sipas statistikave të vitit 2009 rreth 35% e këtyre migrantëve kishin përfunduar shkollën e lartë – ky përbënte një numër shumë më të lartë se sa tek gjermanë, që janë në kërkim të punës. Prandaj, Brücker nuk është dakord me 'ankesat e komunave' siç e përshkruan ai reagimin e tyre. Qytetet dhe komunat vetëm përfitojnë nga këta migrantë, kur ata punojnë dhe paguajnë taksat.

Të njëjtin mendim ka edhe nëpunësja për çështje integrimi, Leyla Özmal: „Nuk thuhet kot që çdo personel me kualifikim të lartë sjell me vete vende të reja pune. Prandaj për ne në fakt përbën një pasuri kur kemi fuqi të tilla punëtorësh të kualifikuar mirë, pavarësisht se nga cili vend vijnë.“

Sfida për shoqërinë

Por ata që kanë një kualifikim të lartë në të shumtën e rasteve kërkojnë një vend pune diku tjetër, dhe jo në Duisburg, Dortmund apo Manheim. Aty zakonisht vijnë pjestarë të pakicave kombëtare si p.sh sinti dhe romë, të cilët në vendlindjet e tyre janë përballur me diskriminimin social. Në vendlindjet e tyre këta kanë vetëm qasje të kufizuar në mundësitë për shkollim dhe edukim, nuk profitojnë nga sistemi shendetësor dhe shpesh u mungon edhe një përgatitja e duhur profesionale.

Në qytetet të tilla si Duisburgu pavarësisht faktit që nuk gjejnë punë të mirë së paku ata gjejnë strehim me qira të volitshme, edhe pse jo gjithmonë në kushte të mira. Integrimi tek këta nis pothuajse nga zeroja, thotë Leyla Özmal: “Duke filluar nga vendet e mjaftueshme në shkollë për fëmijët, kujdesin mjekësor, dhe mundësi kualifikimi për tregun e punës. Neve na duhen shumë masa për një projekt të tërë.” Me rëndësi këtu është që të krijohen kushtet e një politike të njejtë sociale si në nivelin kombëtar ashtu edhe në atë evropian, thotë Özmal.

Leyla Özmal, e ngarkuara e Duisburgut për Çështjet e Integrimit
Leyla Özmal, e ngarkuara e Duisburgut për Çështjet e IntegrimitFotografi: Aynur Koc


Duisburgu has në vështirësi që të mbulojë madje nevojat themelore të migrantëve duke filluar nga strehimi e deri tek kujdesi shendetësor. Ndërsa masat e tjera dhe projektet e tjera mund të mbulohen vetëm përmes ndihmave të partnerëve të jashtëm si: BE-ja apo nga para, që vijnë prej landeve gjermane. Këshilli gjerman i qyteteve kërkon më shumë para për të mbuluar së paku kujdesin mjeksor të migrantëve që vijnë nga Rumania dhe Bullgaria. Gjithashtu duhet të sigurohen vendebanime emergjence dhe punonjës social, të cilët të përkujdesen për këta migrantë. Shpenzimet për këto duhet të financohen nga Fondi Social Evropian.


Mjaft të rëndësishme janë sidomos projektet, që csynojnë nxitjen e të kuptuarit të ndërsjelltë, thotë nëpunësja për çështjet e integrimit Özmal. Sepse sipas saj, ka shpesh situata mosmarrëveshjesh midis grupeve të migrantëve të porsaardhur dhe atyre, që janë prej kohësh këtu.

Rritja e numrit të migrantëve po e vendos para sfidave të reja shoqërinë në Gjermani, nënvizon Herbert Bücker. Por ai tërheq vëmendjen, që të mos krijohen paragjykime dhe stereotipe: „Më e keqja që mund të ndodh është nëse shoqëria fillon t'i klasifikojë migrantët, duke i ndarë ata p.sh. në migrantë të mirë nga vende të tilla si Spanja, dhe në migrantë më pak të mirë nga Bullgaria dhe Rumania”. E vetmja gjë që tani ka rëndësi është të zhduken paragjykimet dhe të gjithëve papërjashtim t'u jepen shanse të barabarta.