1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria gjermane nuk heq dorë nga dëshmia e gjuhës

dpa, epd, afp/Angelina Verbica13 Gusht 2014

Kush dëshiron të vijë te bashkëshorti në Gjermani duhet të dëshmojë se ka njohuri të gjuhës gjermane. Kjo është kundërshtuar nga Gjykata Europiane e Drejtësisë. Por qeveria do që provimi të mos hiqet.

https://p.dw.com/p/1CtLB
Testet e gjuhës (nuk)mbeten
Testet e gjuhës (nuk)mbetenFotografi: picture-alliance/dpa

Qeveria gjermane do të kërkojë dëshmi të zotërimit të gjuhës edhe në të ardhmen, në qoftë se dikush vjen te bashkëshorti turk në Gjermani. Vetëm në raste të rralla prova e nevojshme për njohuri bazë të gjuhës gjermane do të anashkalohet. Kjo u njoftua nga një zëdhënës i ministrisë së Brendshme me kërkesë së agjencisë së lajmeve dpa. Vendimi vlen edhe për kombësitë e tjera.

Problemet me integrimin

Testet e gjuhës
Testet e gjuhësFotografi: Egor Winogravow

Kush dëshiron të vijë te bashkëshorti në Gjermani, që nga viti 2007 duhet të dëshmojë para ardhjes, se ka njohuri bazë të gjermanishtes. Në këtë mënyrë mbështetet integrimi dhe vështirësohen martesat e detyruara. Megjithatë Gjykata Europiane e Drejtësisë e kishte hedhur poshtë në korrik praktikën e deritanishme për bashkimin me familjarët me nënshtetësi turke. Argumentimi i gjykatësve në Luksemburg ishte, se sistemi aktual shkel marrëveshjen me Bashkimin Evropian, sipas së cilës vendosja e turqve në BE nuk duhet të vështirësohet. Bazë për vendimin kishte qenë akuza e një gruaje turke.

Kufizimet për lirinë e vendosjes në një vend tjetër mund të jetë legjitime, deklaruan gjykatësit. Megjithatë për këtë duhet të ketë "një arsye primare me interes publik", dhe kushtet e vëna duhet të jetë të perballueshme. Por qeveria gjermane megjithatë kërkon shumë, mendon gjykata. Sepse mungesa e aftësive gjuhësore pengon automatikisht një bashkim familjar, pa vlerësuar rrethanat ne secilin rast.

Shqyrtim rrënjësor

Gjuha dhe integrimi
Gjuha dhe integrimiFotografi: DW/W. Dick

Duke u nisur nga vendimi i Luksemburgut autoritetet gjermane fillimisht nuk i patën refuzuar më kërkesat për bashkim familjar për mungesë së njohurive gjuhësore. Qeveria gjermane pati njoftuar megjithate se do të bënte një shqyrtim rrënjësor të aktgjykimit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme njoftoi të martën (12.08.2014), se Gjykata e Lartë e Drejtësisë nuk e ka kontestuar dëshminë e gjuhës si të tillë. Përkundrazi, gjykata ka parë në të një shkelje, se në vendimin për dëshminë e gjuhës nuk ka vend për marrjen parasysh të rrethanave të veçanta për secilin rast. Tani kjo ndryshon. Nga dëshmia e gjuhës hiqet dorë, në qoftë se bashkëshorti për shkak të distancës së madhe hapësinore, për shembull, nuk mund të bëjë një kurs gjuhe, ose në qoftë se pavarësisht përpjekjeve serioze brenda një viti nuk arrin ta marrë provimin e gjuhës. Nga ministria e Jashtme u tha se kërkesa për dëshminë e gjuhës mbetet, sepse është provuar të jetë "një masë e rëndësishme për integrimin". Përfaqësitë jashtë vendit do të fillojnë menjëherë zbatimin.