1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria e Gjermanisë nuk e dha informacionin për rreziqet

vfb/se/sti (dpa, afp)27 Prill 2015

Përpara goditjes së avionit MH17 mbi hapësirën ajrore në Lindje të Ukrainës qeveria gjermane ka pasur të dhëna të qarta për rrezikun. Ajo nuk ua ka dhënë këto informacione shoqërive ajrore gjermane.

https://p.dw.com/p/1FFTE
MH17 Flugzeugabsturz Absturzstelle Ukraine 18.7.2014
Vendi ku u rrëzua avioni MH 17 në Ukrainën lindoreFotografi: imago/Itar-Tass

Mediat gjermane WDR, NDR dhe "Süddeutsche Zeitung" (SZ) duke iu referuar të dhënave konfidenciale nga Ministria e Jashtme në Berlin, njoftojnë, se qeveria federale në korrik 2014 posedonte të dhëna të qarta mbi rrezikun për avionët e linjave në hapësirën e Ukrainës lindore të përfshirë nga luftimet. Por këto të dhëna nuk u janë përcjellë si paralajmërim shoqërive ajrore gjermane.

Më 17 korrik të vitit të kaluar një avion Boeing 777 i shoqërisë ajrore maljaziane Malaysia Airlines me 298 njerëz në bord u rëzua në territorin e luftës në Lindje të Ukrainës, siç mendohet pas goditjes me një raketë tokë-ajër. Ukraina dhe shtetet perëndimore mendojnë, se avioni me numrin MH17 është goditur nga separatistët rusë me një raketë ruse. Qeveria në Moskë në të kundërt bën përgjegjës aviacionin ushtarak ukrainas. Sipas investigmit gjashtëmujor të mediave gjermane WDR, NDR dhe SZ nuk ka "pothuajse asnjë dyshim më", se Boing është goditur me një raketë të tipit Buk M1 nga territori i separatistëve.

Dy të tretat e viktimave ishin nënshtetas holandezë, ndaj hetimet drejtohen prej autoriteteve holandeze. Hetimet ende nuk janë përmbyllur.

Ministria e Jashtme bën fjalë për një situatë shqetësuese

Në të ashtuquajturën faksimile e 15 korrikut 2014, pra dy ditë para katastrofës së avionit MH17, Ministria e Jashtme ishte shprehur për një gjendje mjaft shqetësuese në Lindje të Ukrainës, siç njoftojnë WDR, NDR dhe "SZ". Si arsye për këtë dokument të klasifikuar si "vetëm për përdorim të brendshëm" jepej goditja dy ditë më parë e një avioni ushtarak ukrainas të tipit Antonov An-26 në një lartësi prej më shumë se 6000 metrash. Kjo do të thotë - sipas Ministrisë së Jashtme - një "cilësi" e re e gjendjes.

Goditja e një avioni në këtë lartësi për ekspertët ushtrakë është një shenjë e qartë, se mund të preken edhe objektiva në lartësi shumë më të mëdha, gjë që paraqet rrezik edhe për avionët e pasagjerëve. Edhe Shërbimi i Fshehtë Informativ i Gjermanisë BND në raportet e përditshme i kishte komunikuar disa herë qeverisë, se nuk është e garantuar siguria ajrore mbi hapësirën e zonës së konflitkit në Lindje të Ukrainës, thuhet më tej në mediat gjermane.

Lufthansa nuk ka qenë e informuar

Zakonisht linjat ajrore duhet të njoftohen menjëherë mbi ndryshimin e gjendjes së sigurisë. Por kjo është bërë vetëm pas goditjes së MH17. "Fakt është, që ne nuk kemi pasur informacione nga autoritetet përpara 17 korrikut", citon grupi i hulumtuesve një zëdhënës të Lufthansa-s. "Nëse qeveria federale do ta kishte njoftuar sipërmarjen tonë për cilësinë e re të gjendjes, Lufthansa me siguri që nuk do të kishte fluturuar mbi Ukrainën lindore", ka deklaruar një punonëjs i brendshëm i shoqërisë ajrore.

Në ditën e rrëzimit të MH17, sipas mediave gjermane, kanë fluturuar tre avionë të Lufthansa-s në këtë territor. Njëri prej tyre vetëm 20 minuta para Boeingut malajzian.