1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qartësi e hidhur

Baha Güngör11 Gusht 2014

Që itinerari i ardhshëm i republikës 91 vjeçare turke është kaq i qartë, është një fakt i hidhur për kundërshtarët e një islamizimi të mëtejshëm të shtetit të NATO-s, mendon Baha Güngör.

https://p.dw.com/p/1CsOW
Fotografi: Reuters

Vota e popullit turk, që pati për herë të parë mundësi ta zgjedhë drejtpërdrejt kryetarin e shtetit, është e qartë: me lehtësi e kaloi Recep Tayyip Erdogani kufirin e 50-përqindshit të vendosur për raundin e parë të zgjedhjeve. Ky rezultat është korrekt nga pikëpamja demokratike dhe me këtë i padiskutueshëm. Kjo është njëra anë e medaljes. Në anën tjetër ekziston frika për një shndërrim të mëtejshëm të Turqisë në një republikë islamike, me përparësi gjithnjë e më të madhe të direktivave fetare për qytetarët në jetën e përditshme. Vepra reformatore e themeluesit të Republikës, Mustafa Kemal Atatürk, po shpërbëhet edhe më tej. Elitat kemaliste vërtet që vitet e fundit nuk duan ta pranojnë këtë. Por arroganca e tyre para shumë problemeve, të cilat e rëndonin dukshëm jetën e përditshme të njerëzve, solli tablonë e sotme politike të Turqisë. Kështu, Partia Për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), parti islamike-konservatore, qe në gjendje që pushtetin qeveritar të fituar në vitin 2002, me zgjedhjet me rezultat të bujshëm prej 32 përqind, ta zgjerojë vazhdimisht. Së fundi, në zgjedhjet parlamentare tri vjet më parë, kjo parti mori gati 50% të votave. Në fund, AKP fitoi çdo zgjedhje dhe e kurorëzoi ngjitjen e saj në fuqi mbytëse politike në Turqi me ngjitjen e kryetarit dhe kryeministrit të saj si president i shtetit.

AKP u krijua nga hiri i katër partive fetare të shkatërruara, të cilat qenë ndaluar prej fundit të viteve '60 deri në gjysmën e dytë të viteve '90 nga ushtarakët dhe gjykata kushtetuese e kontrolluar prej tyre si "qendër e aktiviteteve fundamentaliste". Prej përvojës së qeverive të mëparshme, Erdogani e dinte me saktësi se ku e vriste këpuca qytetarin jo pjesë e elitave, për se kishte nevojë dhe çfarë dëshironte ky qytetar. Para së gjithash, Erdoganin tani e shpërblyen, sepse ai i dha popullit turk një ndjenjë krejt të re të vlerësimit të vetes, mbi bazën e vlerave fetare. Që në këtë kuadër, liria e mendimit dhe e shprehjes dhe hapësira demokratike u kufizuan në atë masë, sa Turqia zë vendet e fundit në krahasime ndërkombëtare, kjo nuk i intereson Erdoganit. Mbështetësit e tij i injoruan kritikat masive për korrupsion dhe shpërdorim të detyrës prej Erdoganit, familjes dhe rrethit të tij politik, si çmim për mirëqënien relative të arritur.

Erdoganin e kanë zgjedhur për pesë vjet në post. Por 60 vjeçari do të qendrojë të paktën edhe një mandat tjetër në postin më të lartë të shtetit. Kështu, në festimet e 100-vjetorit të Republikës, në vitin 2023 ai do të hyjë në histori si burri, që e ktheu pas thuajse gjithë veprën reformatore të Ataturkut. Një regjim i ri mbi bazën e një sistemi presidencial dhe me një parlament të margjinalizuar në rëndësinë e tij është shumë i mundur. Me siguri prandaj flet Erdogani për Turqinë "e vjetër" dhe "të re". Sfiduesi i tij, Ekmeledin Ihsanoglu me mbështetjen e 14 partive arriti të marrë vetëm 39 përqind të votave. Një sukses të respektueshëm arriti politikani 41 vjeçar kurd Selahattin Demirtas, me rreth nëntë përqind të votave. Ky mund të jetë një sinjal që partia e tij prokurde HDP do të arrijë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare klauzolën e nevojshme prej dhjetë përqind.

BE dhe para së gjithash Gjermania do të kenë të bëjnë me një Erdogan gjithnjë e më të parehatshëm. Aventura e BE e Turqisë po i afrohet pashmangshëm fundit. Ky mund të mos jetë fundi i botës, por mundësitë e ndikimit të BE në zhvillimet në Turqi duhet të bëhen gjithnjë e më të vogla. Nëse kjo është diçka pozitive për interesat e evropianëve në rajon, për këtë të paktën mund të dyshohet.