1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Stadtteil der Kontraste

9 Gusht 2011

Lagjja e Kabulit Karte Seh bashkon të pasur e të varfër, parlamentarë dhe skeptikë ndaj demokracisë, ndërsa brezi i ri dëshiron të shkollohet dhe ëndërron për kohë më të mira

https://p.dw.com/p/12BuP
Kryqëzim me skuadër sigurie dhe reklamat për universitetet private në KabulFotografi: dw

Kur u rrëzuan talebanët më 2001-shin, Kabuli numëronte rreth 600.000 banorë. Sot aty dynden mes njëri-tjetrit, sipas përllogaritjeve, katër deri pesë milionë njerëz. Përveç zonave ku kanë zyrat shumë organizata ndërkombëtare, zhvillimi aktual pasqyrohet më së miri në një lagje, ku gjen edhe shenja të pushtetit të ri, por edhe njerëzit e thjeshtë nga populli. Është lagjja Karte Seh në perëndim të kryeqytetit.

Aty tërë ditën sharrohet e gozhdohet. Gjithë lagjja është një kantier i vetëm ndërtimi. Në ndonjë vend tjetër kjo mund të konsiderohet si bezdi, por për Kabulin është diçka e mirë: «Aty ku ndërtohet, aty investohet, aty shpresohet», rimon Mirvais taksixhiu.

Fasada pasanikësh pranë ndërtesave me baltë

Kabul Viertel Karte Seh
Ndërtime në çatinë e një hoteli në Karte SehFotografi: dw

Në Karte Seh dikur banonte shtresa e mesme e Kabulit. Lagjja atëherë ishte me vila luksoze ose të thjeshta para se pronarët e tyre të largoheshin për në emigrim. Pas luftës u shtuan edhe shumë shtëpi prej qerpiçi, të ndërtuara nga popullsia e fshatit, që tani dyndet në kryeqytet në vend të ish-shtresës së mesme qytetare. E sot: vila shumëkatëshe në stilin e Dubait apo sipas shijes së biznesmenëve pakistanezë me shtylla të lara në ar. Në afërsi të Pol-e-sorkh-ut, «Ura e kuqe», takohet i varfri me të pasurin në Karte Seh. Është një përzierje etnish, gratë me burka janë të rralla. Vetëm rruga kryesore është e asfaltuar. Kamionët i mbulojnë kalimtarët me një shtresë të trashë pluhuri.

Talebanët kërcënojnë

Kabul Viertel Karte Seh
Pastiçieri Murad AliFotografi: dw

Çdo tregtar në pazar e ka nga një histori më vete: «Unë jam Haxhi Murad Aliu», thotë një burrë i vogël me një feste faljeje mbi krye. «Mua talebanët më kanë kërcënuar 32 herë.» Ai është pronar i një ëmbëltoreje që shet bakllava, biskota dhe ëmbëlsira të tjera. Që para dhjetë vjetësh e ka hapur dyqanin këtu: «Talebanët vinin edhe sikur të të shihnin me rroba të reja. Të thoshin se ti je një komandant i pasur e të rrihnin me kabllo». Ata i torturonin njerëzit dhe për sport, shton ai, dhe gjithmonë shkaku ishin paratë. Murad Aliu nxjerr nga një sirtar një bravë të thyer. «Para dy javësh erdhën e më vodhën. Erdhi policia e, në vend që të më ndihmonte, donin para nga unë». Gjendja sot është më e mirë, por jo patjetër më e drejtë, thotë ai. «Kur grindesh me policinë, të arrestojnë. Pra, më mirë mbaj gojën mbyllur, përndryshe të fusin në burg, në ndonjë birucë të errët.»

Parlamentarët pasurohen

Edhe rusët mund të jetojnë sërish mirë në Kabul. Sonja, një moskovite e re jeton së bashku me të shoqin afgan Sanjarin në Karte Seh. Ata janë njohur me njëri-tjetrin në Poloni, ku ai studionte me bursë. Ata banojnë jo larg parlamentit. «Fqinji ynë është deputet dhe është bërë shumë i pasur brenda një kohe shumë të shkurtër, megjithëse vjen nga fshati», thotë Sanjari. «Të lind pyetja se nga i ka gjithë këto para si nëpunës».

Para të lara nga trafiku ilegal i naftës, i drogës apo diçkaje tjetër. Ky është, jo vetëm sipas thashethemeve, burimi i një pjese të madhe të bumit ndërtimor në Kabul. Të gjitha këto e kanë ndryshuar përfytyrimin e Sanjarit për botën. «Unë jam i indinjuar. Më parë mendoja se të shkosh në zgjedhje është detyrë e çdo qytetari. Por tani mendoj, se ne kemi të bëjmë me mafie e jo me qeveri.» Parlamenti dhe lufta civile në fillim të 90-ës, këto për Sanjarin janë dy anë të së njëjtës medalje: „Përfaqësia e popullit është plot me vrasës. Këta njerëz asokohe e shkatërruan këtë lagje. Ata janë përgjegjës për vrasjen e 60.000 njerëzve. Neve na qëllonin me mitraloza. Ndërsa tani janë bërë deputetë. «Sanjari nuk e kupton se si është e mundur që diplomatët e Perëndimit i mburrin këta përfaqësues të popullit si simbol të demokracisë së re. Për të ata duhet të shkojnë para gjyqit.

Universitete private për shkak të etjes për dije

Kabul Viertel Karte Seh
Leksion për drejtsësinë në instituin Ibn SinaFotografi: dw

Një rrugë më tej, një pllakat me gra të reja të buzëqeshura me kapele doktori. Reklamë për universitetet private. Universitetet shtetërore nuk e përballojnë dot dyndjen e maturantëve. Me dhjetëra institute private përpiqen ta shuajnë etjen për arsim. Njëri nga institutet, Ibn Sina, e ka marrë këtë emër nga dijetari i madh islamik. Ali Amiri është njëri nga themeluesit e tij. Ai ka doktoruar për Vitgenshtajnin dhe shpjegon se përse ka kaq shumë dyndje nëpër universitete. «Një pjesë e studentëve vijnë nga pakica hazare, për një kohë të gjatë ata kanë qenë të diskriminuar. Për shembull, nuk lejoheshin të bëheshin oficerë në ushtri, apo të studionin drejtësi ose politikë. Ky ndalim ndërkohë është hequr. E ata po kompensojnë kështu mungesat e vjetra.»

Ndër 300 studentët janë edhe shumë gra. Ato paguajnë tarifa të reduktuara. «Unë nuk dua të bëhem deputete. Kjo shkakton vetëm probleme», thotë një studente e juridikut. «Unë studioj drejtësi, sepse dua të bëj diçka për gratë e keqtrajtuara». Burrat e gratë nëpër klasa rijnë veçmas: Gratë ulen përpara dhe kanë shami në kokë, disa prej tyre janë me tualet.

Gratë kanë shanse vetëm në Kabul

«Kjo që shikoni këtu, ekziston vetëm në Kabul», thotë një tjetër. «Vetëm këtu një grua mund ta mbajë si të dojë shaminë në kokë. Nëpër fshatra gratë nuk guxojnë as të kapërcejnë pragun e derës pa qenë të shoqëruara, e le më të studiojnë. Dhe nëse dalin nga dera, atëherë vetëm me burka". Gruaja afgane në fshat është një makineri lindjesh për burrat», thotë ajo. «Ka gra që bëjnë deri në 18 fëmijë.»

Autor: Martin Gerner /Anila Shuka

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora