1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përleshje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë

Bekim Shehu27 Janar 2015

Në Prishtinë policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që tentonin t'i afroheshin objektit të qeverisë. Dhjetra, protestues dhe policë janë lënduar gjatë protetstës.

https://p.dw.com/p/1ERCy
Protest in Pristina Capital of Kosovo
Fotografi: DW

Dhjetra protestues dhe dhjetra policë të lënduar, dëme të konsiderueshme materiale, ky është bilanci i protestës së të martës (27.01)në Prishtinë. Disa mijëra qytetarë sërish protestuan para selisë së qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga kryeministri Isa Mustafa, që ta shkarkojë ministrin serb në qeverinë e Kosovës, Aleksander Jabllanoviq si dhe kundër qasjes së qeverisë ndaj statusit të kompleksit të minierave Trepça, që gjenden në veri të Kosovës. Protesta u thirr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe u mbështet edhe nga dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) dhe Nisma për Kosovën.

Qindra forca të policisë duke vendosur edhe pengesa metalike, kishin rrethuar objektin e selisë së qeverisë së Kosovës për të parandaluar ndonjë dhunë të mundshme si ajo që u manifestua të shtunën (24.01), kur protestuesit thyen xhamat e godinës së qeverisë dhe disa lokale biznesesh aty përreth. Protestuesit disa herë tentuan të kalojnë kordonet e policisë, mirëpo, policia përdori gazin lotësjellës dhe pompat e ujit duke mos i lejuar protetsuesit që t'i afrohen kësaj godine. Pati disa policë të lëndruar nga gurët që u hodhën në drejtim të policisë, ndërsa konfirmohet edhe për disa protestues që kanë marrë lëndime. Zyrtarë nga qendra klinike universitare, thonë se asnjëri nga personat që kanë kërkuar ndihmë në këtë qendër klinike nuk është në rrezik për jetën. Ndërkohë, policia konfirmon për dhjetra protestues të arrestuar.

Në një komunikatë për media policia e Kosovës njoftoi se "rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar t'i sulmojnë policët, duke hedhur sende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, ndaj të cilëve duke përdorur mjetet policore të ligjshme detyrimisht duhej të ndërhyehej për t'i parandaluar sulmet e tilla".

Për orë të tëra sheshet kryesore të Prishtinës u shndërruan në arenë përleshjesh ndërmjet policisë dhe protestuesve. Protestuesit mbanin pankarta të shumta kundër qeverisë, ndër to edhe "Trepça është e Jona", "Jabllanoviq jashtë".

Protesta e ditës së martë me (27.01) pason protestën e së shtunës, e cila përfundoi me dhunë dhe me një 'ultimatum' të protestuesve për qeverinë e Kosovës që brenda 48 orësh të shkarkojë ministrin Aleksander Jabllanoviq dhe të procedojë në parlament ligjin e veçantë për kompleksin metalurgjik Trepça, që e shndërron atë në ndërmarrje publike. Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur kërkesave të parashtruara.

Në reagimin e ditës së martë, ndërkaq, qeveria e Kosovës vlerëson se: "Gjuha kërcënuese e përdorur sot në protestë nga organizatorët e saj është e papranueshme dhe ne i dënojmë aktet e tilla nxitëse".

"Po ashtu, manipulimi me nxënës përmes këshillave të nxënësve dhe organizimi i tyre në protestë është manipulim i skajshëm dhe tërësisht i papranueshëm për qeverinë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës për pjekuri dhe maturi politike dhe qytetare, si dhe për tolerancë, gjë që e ka karakterizuar gjithnjë popullin tonë. Qeveria dënon dhunën e ushtruar ndaj Policisë së Kosovës, duke i falënderuar policët e Kosovës për profesionalizmin e treguar edhe gjatë kësaj proteste", thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës thuhet në reagimin e saj, "shpreh vullnetin e plotë që të bashkëpunojë me të gjitha subjektet politike, me shoqërinë civile dhe grupet e ndryshme të interesit për të adresuar të gjitha kërkesat e qytetarëve në rrugë ligjore dhe kushtetuese".