1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Përkujdesja për të moshuarit çështje e familjeve

Jennifer Fraczek/Angjelina Verbica27 Prill 2014

Në Gjermani theksohen shpesh dobësitë, jashtë vendit vlerësohet shpesh: sigurimi për përkujdesjen dhe shërbimin për të moshuarit. Ai u aplikua për herë të parë para 20 vjetësh dhe është imituar nga shumë vende.

https://p.dw.com/p/1Bos4
Fotografi: picture-alliance/ dpa

Eshtë ideale që njerëz të moshuar, të sëmurë të mund të vazhdojnë të jetojnë në mjedisin e tyre dhe t'u bëhet shërbimi në shtëpi. Para 20 vjetësh në Gjermani është futur sigurimi, për të mbështetur shërbimin në shtëpi, sigurimi i përkujdesjes për të moshuarit. Ai është një sigurim i detyrueshëm, punonjësit dhe punëdhënësit e paguajnë atë. Me të paguhen vende në azile pleqsh, shërbimet e kujdesit ambulant dhe ajo, që është unike në botë, familjarët, t cilët kujdesen për të moshuarit.

Japonia dhe Korea e Jugut kanë futur modele të ngjashme për kujdesin për të moshuarit, edhe Spanja dhe Luksemburgu kanë marrë shembull nga Gjermania. Në Turqi është duke u diskutuar prej disa vitesh lidhur me këtë çështje. Por Stephan von Bandemer nga Instituti për Punë dhe Teknologji në Gelsenkirchen thekson: "Gjermania është i vetmi vend, që ka një sigurim, i cili garanton, që kujdesi për të moshuarit të financohet si duhet."
Në fillim të viteve 90-të përkujdesja për të moshuarit në Gjermani paguhej pjesërisht nga sigurimi shëndetësor, dhe pjesërisht prej të personave të prekur. Në qoftë se paratë nuk mjaftonin, kishte ndihmë sociale prej komunave. Meqë qysh atëherë ishte e qartë se në të ardhmen do të ketë më të moshuar, që kanë më shumë nevojë për kujdes, nevojitej një zgjidhje e re, e cila u vendos në vitin 1994.

"Sistemi i përkujdesjes për të moshuarit është në përgjithësi i mirë", thotë drejtuesja e firmës konsulente Age Consult, Claire Désenfant, në bisedë me DW. Për shkak se kjo lloj përkujdesjeje nuk është e njëjtë me kujdesin mjekësor, që jepet në spitale dhe që paguhet nga arkat e sigurimit shëndetësor. Përkujdesja ka shumë komponentë socialë: pacientët duhen larë, për ta duhet gatuar, duhen nxjerrë shëtitje.

Reforma duhet të sjellë më shumë të holla për përkujdesjen
Reforma duhet të sjellë më shumë të holla për përkujdesjenFotografi: picture-alliance/dpa

Por ka edhe kritika. Të prekurit ankohen vazhdimisht, se nuk është e qartë, se si përcaktohet nevoja e një personi për përkujdesje. Prej kësaj varet niveli i përkujdesjes. Sidomos njerëzit dementë janë të lënë pas dore. Disa kritikë druhen se sistemi shpejt do të pësojë kolaps, sepse ai bazohet në kontributet e punonjësve dhe punëdhënësve dhe në të ardhmen do të ketë më pak njërëz që paguajnë, për shkak të pakësimit të popullsisë. Vazhdimisht ka njoftime për keqtrajtimin e banorëve të azileve të pleqve, për stafe të mbingarkuara dhe për infermierë të paguar pak, që punojnë privatisht në familje.

Përkujdesja është shpesh një çështje familjare, edhe financiarisht


Në disa vende, si në Poloni, nuk ka përkujdesje ambulante. "Kur njerëzit kanë në nevojë për shërbim atje, për ta kujdeset zakonisht familja", thotë Martina Hasseler nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Volfsburg. Kjo është kështu në shumë vende, si në Itali apo Greqi.
Ndryshe nga Gjermania, shërbimi në shumë vende financohet nga taksat. Megjithë kritikën ndaj sistemit gjerman të kontributeve, ai garanton të paktën që pagesat në fondin për përkujdesjen për të moshuarit të shpenzohen me të vërtetë për këtë qëllim. Në sistemet e financuara nga tatimet nuk është kështu.

Shumica e të moshuarve gjermanë, që kanë nevojë për shërbim qëndrojnë në shtëpi, një e treta shkon në azil
Shumica e të moshuarve gjermanë, që kanë nevojë për shërbim qëndrojnë në shtëpi, një e treta shkon në azilFotografi: picture-alliance/dpa

Kjo nuk do të thotë se kujdesi për të moshuarit i financuar nga tatimet duhet të jetë i keq. Në Suedi, ku përkujdesja për të moshuarit organizihet nga komunat, duke u financuar nga taksat, sipas një studimi nga Instituti Shkencor i Shoqatës së Sigurimit shëndetësor privat (WIP-ISHP) ekziston një "ofertë relativisht e gjërë". Për përkujdesjen ambulante të pacientëve ka për shembull infermierë të komunës, që kujdesen për të moshuarit. Suedezët shpenzojnë shumë në sektorin e përkujdesjes për të moshuarit: sipas një studimi në vitin 2007 ishin 3.5 për qind e produktit të brendshëm bruto, ndërsa në Gjermani vetëm 0.9 për qind.

Bandemer: Kualifikimi i kujdestarëve në Gjermani është shumë i mirë
Bandemer: Kualifikimi i kujdestarëve në Gjermani është shumë i mirëFotografi: privat

Para për familjarët, që përkujdesen

Në Gjermani familjarët, që i bëjnë shërbim një personi të familjes, përfitojnë 235-700 euro në muaj nga fondet e përkujdesjes, në varësi nga nevoja për përkujdesje. Prej rreth 2.5 milionë personave, që kanë nevojë për shërbim, sipas Zyrës Federale të Statistikave në vitin 2011 rreth gjysmës u bëhet shërbim në shtëpi nga anëtarët e familjes.
Një tjetër veçori është përgatitja e infermierëve geriatrikë. "Qeveria gjermane dëshiron që ata të kenë përgatitje geriatrike. Në botë kjo shihet me skepticizëm", thotë Claire Désenfant. Sidomos pasi trajnimi është shumë afër me praktikën, shpjegon Stephan von Bandemer. Në gati të gjitha vendet e tjera ai është akademik. "Kjo ka për pasojë që njerëzit marrin kualifikim të lartë, por në veprimtarinë praktike, shërbimin bazë, nuk janë në gjendje të punojnë në të vërtetë", thotë ekonomisti në bisedë DW. Punë të tilla, si për shembull larjen, apo veshjen e njeriut që ka nevojë për shërbim, e bëjnë pastaj asistentët, shpesh shumë më pak të kualifikuar.

Sigurimi ka nevojë të reformohet

Edhe pse gjermanët në disa aspekte janë për t'u patur zili për sistemin e tyre të përkujdesjes, ai ka nevojë për reformë. Një projekt përkatës është paraqitur nga ministria e Shëndetësisë. Ndër të tjera duhet përmirësuar gjendja e njerëzve, që vuajnë nga demenca. Gjithashtu në përgjithësi duhet të investohen më shumë para për njerëzit, që kanë nevojë për shërbim. Nëse sigurimi e përballon këtë, është e diskutueshme. Prandaj ka zëra, që kërkojnë që përkujdesja të përballohet privatisht.
Për eksperten Claire Désenfant kjo është më shumë çështje e shpërndarjes së financave. "Unë mendoj se para do të kishte, nëse do të kursehej diku tjetër", thotë ajo. Pyetja është e thjeshtë, se sa vlerë ka për një shoqëri kujdesi për të moshuarit.

Pacientët duhen larë, ushqyer, duhen nxjerrë shëtitje.
Pacientët duhen larë, ushqyer, duhen nxjerrë në shëtitje.Fotografi: picture-alliance/dpa