1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Për vizitë tek sintit në Köln

Philipp Jedicke / Ananda Grade /Eliana Xhani24 Tetor 2012

Markus Reinhardt dhe familja e tij jetojnë prej disa brezash në Gjermani. Nocioni "sintë dhe romë" nuk u pëlqen, preferojnë fjalën gjermane "ciganë". Ose sinti të Köln-it.

https://p.dw.com/p/16VVN
Sekulo Steinberger
Sekulo SteinbergerFotografi: DW/A.Binder

Vera duket sikur nuk pranon të largohet në këtë pasdite tetori të ngrohtë dhe me diell. Në rrugën e vogël Stichstraße në Köln-Roggendorf fëmijët luajnë në grupe të vogla. Në trotuar rrinë së bashku burrat dhe në fund të radhës së shtëpive gratë pregatisin për të ngrënë. Në kopshtet e rregulluara me kujdes para shtëpive sheh plot xhuxhmaxhuxhë dekorativë, në ajër ndjehet aroma e drurit të djegur. Këtu banojnë 18 familje sinti, në gjuhën e popullit "ngulim ciganësh".

Markus Reinhardt, muzikant, jeton këtu që nga rinia. Kur ngulimi u planifikua të ndërtohej në fillim të viteve '70 në lagjen e Köln-it me karakter rural, pati edhe konflikte me vendasit, tregon ai: "Banorët e vjetër nuk na donin këtu." Madje pronari i një pijetoreje pati vendosur edhe një tabelë ku shkruhej "Ndalohet hyrja për ciganët", por e hoqi sërish shpejt nga frika e një denoncimi.

Me kalimin e viteve situata është qetësuar, mendon Reinhardt. Pikërisht brezi më i ri ka shumë kontakte me "gaxhinjtë", siç i quajnë sintit dhe romët njerëzit jashtë bashkësisë së tyre.

Derë më derë me gaxhinjtë

Sintët në Köln - kolksioni dhe tradita
Sintët në Köln - kolksioni dhe traditaFotografi: DW/A.Binder

Tani edhe kur ndonjëherë ka zënka mes sintëve dhe fqinjëve të tyre direktë, ato kufizohen në gjëra të jetës së përditshme: "Ata i shqetëson herë pas herë tymi", tregon Sekulo Steinberger, më i vjetri në ngulim, i cili ndodhet pranë zjarrit. "Dhe kur festat tona zgjasin ca më shumë, shpejt vjen policia. Atëherë ne u biem violinave dhe kjo tingëllon shumë romantike. Kështu i vëmë në gjumë fqinjët", thotë duke buzëqeshur Steinberger.

Jeta e bashkësisë në ngulim ashtu si dhe më parë zhvillohet jashtë. Në pranverë disa nga familjet që nuk kanë fëmijë në moshë shkolle nisen për udhëtim me rulotë e tyre. "Sapo ndiejmë rrezet e para të diellit, nuk na mban më vendi", tregon Johann Feix, i cili disa vjet më parë erdhi nga Zara në Köln për të ndjekur dashurinë.

Gjuha si ruajtëse e identitetit

Romanes e vjetër dhe e re, gjuha e të parëve. Ajo e ka origjinën tek sanskrishtja dhe gjatë shekujve është pasuruar me fjalë dhe sintaksë nga gjuhët evropiane, kryesisht të Ballkanit. "Ne nuk kemi gjuhë të shkruar, gjithçka përcillet gojarisht. Të vjetrit janë librat tanë dhe kemi nevojë për ta", tregon Markus Reinhardt. Ndryshe nga shumë familje të tjera gjermane sinti, në ngulimin Roggendorfer flitet rrjedhshëm romanes dhe gjermanisht. Tek shumë të tjerë gjermanishtja është bërë gjuha e vetme e jetës së përditshme. Ashtu si të gjitha gjuhët e tjera edhe romanes i nënshtrohet ndryshimeve konstante.

"Për shumë gjëra ne përdorim fjalë gjermane. Për shembull për luftën, për të ne nuk kemi fjalë në gjuhën tonë pasi kurrë nuk kemi pasur një komb që duhej ta mbronim", thotë Reinhardt.

Gjymtyra lidhëse - muzika

Muzika
Muzika - e pashmangshme!Fotografi: DW

Një tjetër urë lidhëse me të moshurave dhe të rinjve është muzika. Por sipas Markus Reinhardt nuk ka një "muzikë cigane": "Një pjesë e identitetit tonë është të jemi gjithnjë në lëvizje, të marrim diçka diku dhe ta çojmë gjetkë. Në këtë kuptim ne kemi qenë evropianët e parë."

Xhaxhai i tij për shembull, i famshmi Django Reinhardt ka luajtur "evergreen", por në një mënyrë krejt të veçantë. Kitaristi ishte legjendë edhe gjatë jetës, ndërsa sot konsiderohet si babai i xhazit evropian. "Ne mësojmë muzikë ashtu si fëmijët që mësojnë të flasin. Ne shohim më të vjetrit dhe i imitojmë ata derisa jemi edhe vetë në gjendje të bëjmë muzikë", thotë Markus Reinhardt.