1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Puna me njerëz e bën të ndjehet mirë

21 Tetor 2011

Amir Xheladini është imam në xhaminë shqiptare në Leverkusen. Prej 15 vjetësh ai kujdeset për bashkësinë fetare këtu dhe angazhohet fort për integrimin e saj në shoqëri.

https://p.dw.com/p/12tYk
Amir Xheladini, imam i xhamisë shqiptare në Leverkusen
Amir Xheladini, imam i xhamisë shqiptare në LeverkusenFotografi: DW

Pesë herë në ditë falen në xhami kohët e namazit. Ai i mëngjesit kryhet në orën 04:45 dhe ai i mbrëmjes në orën 23:30. Imami Amir Xheladini nuk ka thuajse kurrë një ditë tetëorëshe të zakonshme pune. Për të qenë gjithnjë në xhami nganjëherë imamit i duhet të bëjë disa herë në ditë rrugën 5 km ndërmjet shtëpisë në Leverkusen- Reindorf dhe xhamisë. Në Leverkusen - Kuppersteg në buzë të autostradës gjendet xhamia Mesxhidi Aksa, një xhami e bardhë, e vetmja xhami shqiptare me kube dhe minare, vendi i punës i imamit 42 vjeçar. Në një ditë të zakonshme jave si kjo xhamia nuk është e mbushur fort. Më e frekuentuar ajo është të premteve dhe ditëve të festave, tregon imami: “Këtu predikojmë vetëm në shqip, megjithatë ndodh që edhe muslimanë të kombësive të tjera, të kthejnë këtu, kur u bie rruga në kohët e faljes. Gjermanisht flitet vetëm, kur kemi grupe vizitorësh, ose vizita të klasave të shkollave."

Xhamia Mesxhidi Aksa në Leverkusen
Xhamia Mesxhidi Aksa në LeverkusenFotografi: DW

Në mes të njerëzve të mi

Amir Xheladini punon në këtë xhami prej 15 vjetësh. Në qershor 1996, kur sapo kishte dhënë provimin e fundit në universitetin teologjik Mesxhidi Aksa ne Kajro, u caktua për të punuar si imam në Leverkusen. Ardhja në Gjermani, në një vend deri atëherë të panjohur nuk do të ndryshonte shumëçka në jetën e imamit, sepse ai do të qëndronte në mjedis shqiptar: „Në se flasim për vitin 1996, nuk ka pasur ndonjë ndryshim të madh. Për arsye se unë kam ardhur në një mjedis të shqiptarëve dhe puna ime në atë kohë ka pasur të bëjë 100% vetëm me xhaminë dhe vetëm me popullin shqiptar, ku ata më kanë pritur në familjet e tyre si anëtar të familjes së tyre.“

600 familje ka bashkësia e xhamisë, shumica nga Maqedonia, të ardhur në Leverkusen që në vitet 60-të, për të punuar në koncernin farmaceutik Bayer. Ndryshe nga xhamitë e vendlindjes, ku kryhen vetëm detyrimet fetare, xhamia në emigracion shërben edhe si pikë takimi për bashkëatdhetarët. Prandaj besimtarët, pasi dalin nga dera e gdhendur e faltores, nuk marrin menjëherë rrugën për në shtëpi, por preferojnë të ngjisin shkallët për tek dhoma e ndenjes së burrave ku, pasi ulen në mindere me një gotë çaj në dorë, bisedojnë për hallet e përditshme, apo ndjekin zhvillimet në vendlindje përmes televizorit.

Imami u qëndron pranë besimtarëve

Imami Amir Xheladini në një diskutim ndërfetar
Imami Amir Xheladini në një diskutim ndërfetarFotografi: DW

Jo vetëm në shpjegimin e çështjeve fetare është i kërkuar mendimi i imamit. Edhe për zgjidhjen e problemeve personale dhe familjare besimtarët kërkojnë këshillën e tij: „Prindët janë të parët, që me imamin konsultohen për një problem, që i ka lindur në shtepinë e tyre dhe imami është ai, që gjithmonë mundohet që familjeve t'u qëndrojë afër dhe të kontribuojë me aq sa ka mundësi në mënjanimin e problemit“, thotë Xheladini.

Sidomos rëndësinë e shkollimit ai nuk rresht së përsërituri si prindërve, ashtu edhe fëmijëve. Te shkollimi është përparimi, thotë imami, nëse dëshirojmë një integrim të mirëfilltë në shoqërinë gjermane: „Për arsye se pa studentë dhe pa ekspertë të lëmive të ndryshme ekonomike, politike dhe shoqërore nuk mund të integrohemi në këtë shoqëri.“

Duke qenë vetë prind i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali në moshë shkollore, ai e di nga përvoja e tij sa nevojë për ndihmë dhe mbështetje kanë të rinjtë: „Kohën e lirë, kur kthehem në shtëpi mundohem t'ua kushtoj fëmijëve të mi. T'u qëndroj pranë në mësimet, se të rinjtë më tepër do të kishin dashtë argëtimet dhe lojërat se mësimin. Por nëna dhe babai duhet t'i qëndrojnë mbi kokë se te shkollimi kanë përparimin e tyre."

"Ishte e vetëkuptueshme të ndiqja traditën e familjes"

Imami Amir Xheladini në Europafest
Imami Amir Xheladini në EuropafestFotografi: DW

Imami duhet ta koordinojë mirë kohën ndërmjet aktiviteteve brenda dhe jashtë xhamisë. Në fundjavë ai dhe gruaja e tij u mësojnë fëmijëve bazat e fesë islame. Në detyrimet e imamit bëjnë pjesë vizita tek të sëmurët në shtëpi dhe në spitale. Eshtë detyrë e tij të shoqërojë bashkësinë në gëzime, lindje, martesa dhe vdekje. A i duket kjo e fundit detyrë e vështirë? Jo thotë ai sepse me to është mësuar, që kur ka qenë fare i ri: „Ne jemi familje hoxhallarësh, unë edhe babain e kam hoxhë. Dhe ndoshta në aspektin familjar si te çdo i ri edhe tek unë ka ndikuar familja apo babai, që edhe unë të ndjek rrugën e tij.“

Dhe kujton se, edhe pse babai nuk ishte tërësisht dakord, për të ishte e vetëkuptueshme të ndiqte traditën e familjes, që kur shkonte në shkollën tetëvjeçare në vendlindje në Tetovë e më vonë në medresenë Alaudin në Prishtinë.

I angazhuar për integrimin

Projekti i integrimit, "engjëlli i kulturave"
Projekti i integrimit, "engjëlli i kulturave"Fotografi: DW

Në Leverkusen Xheladini është edhe kryeimam i të gjithë xhamive dhe ka, siç thotë vetë, detyrime të përbashkëta me xhamitë e tjera, të cilat i përfaqëson në aktivitete të ndryshme të qytetit, si për shembull së fundi në Europafest në Leverkusen: „Aty kemi pasur një shërbesë fetare të përbashkët të të gjitha religjoneve, ku dhe ne muslimanët kemi marrë pjesë në atë lutje. Dhe pjesën tonë të muslimanëve është dashtë ta përgatis unë.“

Xhamia është e përfaqësuar në shumë forume për integrimin në shoqëri. Ajo bën pjesë në tryezën e bashkësive fetare, në forumin dialogu i kulturave dhe në Këshillin e Integrimit. „Engjëlli i kulturave quhet projekti për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e feve, në të cilin jemi të angazhuar fort“, rrëfen Xheladini.

Puna e imamit është punë me njerëz, është tërësisht sociologjike prandaj Amir Xheladini ka vendosur të studjojë vullnetarisht degën e sociologjisë edhe: "se kështu mund të jem në rrjedha edhe me punët e integrimeve evropiane, që është e kërkuar në Gjermani këtyre ditëve.“

Një klerik është ndoshta i mbingarkuar, por nga ana tjetër bën një jetë plot përjetime, thotë Amir Xheladini me buzëqeshjen e tij të qetë në fytyrë. Ai është i kënaqur me profesionin, që ka.

Autor: Angjelina Verbica

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora