1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Protesta në Shkup të qeta dhe pa incidente

Fatos Musliu11 Korrik 2014

Protesta e së premtes në Shkup kaloi pa incidente. Për herë të parë protestuesit shpalosën kërkesat që kryesisht kanë të bëjnë me lirimin e të burgosurve shqiptarë në rastin „Monstra“.

https://p.dw.com/p/1CbS4
Albaner protestieren in Skopje gegen Gerichtsurteil
Fotografi: DW/F.Musliu

Mijëra qytetarë shqiptarë të premten ( 11.07.2014), protestuan ndaj me vendimit gjyqësor për dënimin me burg të përjetshëm për gjashtë shqiptarë në procesin e ashtuquajtur “ Monstra”. Kolona e protestuesve u ndalua në afërsi të Qendrës Tregtare “ Mavrovasja”, sepse forcat e mëdha policore penguan që protestuesit t'i afrohen ndërtesës së gjykatës. Protesta kaloi pa incidente, nuk u konstatua dhunë dhe kohë pas kohe protestuesit thërrisnin parrula të tilla si “Stop diskriminimit”, “UÇK, “Shqipëri etnike”, “Stop drejtësisë selektive ndaj shqiptarëve”, “Duam liri”, etj. Në protestat e zhvilluara në Shkup, ndryshe nga herët e tjera, ishin të pranishëm edhe personalitete të jetës politike dhe shoqërore në Maqedoni si kryetari i Komunës së Strugës , Zijadin Sela, ish-deputeti Hisni Shaqiri, kampioni evropian i boksit Nuri Seferi dhe publicisti Kim Mehmeti. Kur masa e protestuesve u gjend ballë për ballë me kordonin e policisë dhe mjeteve të shumta të blinduara policore, të gjithë protestuesit u ulën në tokë dhe më pas u lexua deklarata në të cilën ishin kërkesat e protestuesve. Shpallja e të dënuarve të pafajshëm, lirimi i menjëhershëm dhe dëmshpërblimi i tyre, shkarkimi i prokurores në rastin “Monstra” dhe ndjekja penalisht e saj për keqpërdorim të detyrës zyrtare, dorëheqja e ministres së Punëve të Brendshme, dhe lirimi i menjëhershëm i të gjithë të arrestuarve në Shkup dhe Tetovë gjatë protestave të ditëve të kaluara, ishin kërkesat kryesore të protestuesve. Në deklaratën e lexuar nga njëri prej familjarëve të të dënuarve thuhet ndër të tjera, se këto protesta nuk janë kundër popullit maqedonas por kundër institucioneve qeveritare përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut. Në Shkup ishin parashikuar edhe protestat e maqedonasve nën moton” Maqedonia e maqedonasve”, "Në mbrojtje të vendimeve institucionale", por pas shumë apeleve që të mos mbahen dy protesta paralelisht dhe që të mos arrihej deri tek një kontakt i drejtpërdrejt midis protestuesve të të dy etniteteve, protesta e maqedonasve u anulua.

Albaner protestieren in Skopje gegen Gerichtsurteil
Fotografi: DW/F.Musliu

Greuevski: ruani qetësinë, procesi nuk është i mbyllur

Gjatë ditëve të fundit nuk kanë reshtur apelet dhe thirjet për organizim protetstash të qeta dhe pa dhunë. Kryeministri i Maqedonisë Nikolla Gruevski për herë të parë mori pjesë në emisionin e lajmeve në gjuhën shqipe në televizionin shtetëror ku oi drejtua drejtpërdrejtë qytetarëve shqiptarë për të mos e shkallëzuar situatën dhe që të zhvillojnë protesta të qeta dhe pa dhunë. Sipas tij procesi për të dënuarit në rastin Monstra, ende nuk është i mbyllur, sepse vendimet e të duhet të shqyrtohen edhe në gjyqet e shkallës së Apelit, dhe asaj Supreme. Edhe dy partite më të mëdha shqiptare BDI dhe PDSH kanë bërë thirje për shmangien e dhunës dhe incidenteve në protesta. Në ditën e mbajtjes së protestave, Shkupi pothuajse ka qenë i blinduar në të gjitha anët me forca policore, ndërsa në vendkalimet kufitare me Kosovën dhe Shqipërinë është përforcuar kontrolli për hyrjedalje të qytetarëve. Për të premten e ardhshme janë paralajmëruar sërish protesta.